
“Artisti si diplomat”
Gazeta prestigjioze austriake “Die Presse” i ka kushtuar një analizë figurës së ambasadorit Fate Velaj

Gazeta prestigjioze austriake “Die Presse” i ka kushtuar sot një analizë figurës së ambasadorit Fate Velaj, duke e trajtuar atë midis historisë personale, dimensionit artistiko-letrar dhe vizionit të tij të “Charme Diplomacy”
***
“Fate Velaj e kupton diplomacinë si një vepër komplekse arti”
nga Wieland Schneider
24 Maj 2026
“Artisti si diplomat”
Dita e ambasadorit të Shqipërisë në Vjenë, fillon në orën pesë të mëngjesit. Me një espresso pa sheqer – dhe bojrave në telajo. Sepse Fate Velaj nuk është vetëm përfaqësuesi i Shqipërisë në Austri. Ai është edhe artist, që pikturon, fotografon dhe shkruan. Veprat e tij ekspozohen nëpër galeritë Evropiane – por edhe në zyrën e tij në ambasadë, në rrugën Prinz-Eugen.
Për Velajn kjo nuk është vetëm shprehje e artit të tij. Për të, kjo është edhe një pjesë e rëndësishme e punës së tij diplomatike sepse nëpërmjet tyre, u tregon të ftuarve historinë e tij në Austri si dhe një Shqipëri shumëngjyrëshe e plot entuziazëm.
Në hapjen e ekspozitave, si së fundmi „E kuqja mes teje dhe meje“ në Vienna Grand Gallery, marrin pjesë ambasadorë të vendeve të tjera, përfaqësues të qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme të Austrisë, të bashkisë së Vjenës si dhe përfaqësues të artit e kulturës austriake.
Paraqitja e tij artistike bëhet kështu – siç thotë Velaj – pjesë e “diplomacisë së charmit” që ai po e praktikon ku nëpërmjet takimeve në çdo cep të Austrisë, lidhjeve institucionale midis dy vendeve dhe artit, krijon simpati për Shqipërinë.
“Dua të krijoj një imazh pozitiv pa imponim – jo përmes demagogjisë, por duke i tërhequr të tjerët drejt nesh me vlerat dhe kulturën tonë.” shpjegon ai.
Një ofensivë diplomatike i nevojitet mirë edhe Shqipërisë. Deri në vitin 2027, kryeministri Edi Rama synon të përfundojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimi Evropian. Deri në vitin 2030, vendi pritet të bëhet anëtar i Unionit.
Një sfidë e madhe. Raporti më i fundit i progresit i Komisioni Evropian vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë në negociata. Në të njëjtën kohë, kërkohen përpjekje të mëtejshme në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit.
Kur bëhet fjalë për pranimin e Shqipërisë në rrethin e shteteve të tjera të Bashkimi Evropian, Fate Velaj flet për “një trashëgimi historike që bazohet në vlera të përbashkëta”.
Njëkohësisht, ai thotë:
“Shqipëria nuk synon anëtarësimin në BE pa përmbushur detyrimet që i kanë përmbushur vendet e tjera para nesh.”- dhe shton:
“Ne do të anëtarësohemi vetëm atëherë kur të jemi vetë të bindur se e meritojmë të qëndrojmë përkrah francezëve, gjermanëve, italianëve, belgëve apo spanjollëve. Sepse vetëm atëherë do të mund t’i shikojmë në sy pa frikë dhe pa komplekse – pa shqetësimin se një ditë dikush mund të na thotë: ju u pranuat ngaqë na erdhi keq për ju.”
Rruga e Shqipërisë drejt statusit të vendit kandidat për në Bashkimi Evropian dhe anëtarësimit në NATO ka qenë e vështirë. Nën diktatorin komunist Enver Hoxha, Shqipëria ishte ndoshta shteti më i izoluar në Evropë. Nga paranoja e tij, Hoxha mbuloi të gjithë vendin me bunkerë të panumërt prej betoni. Kushdo që dyshohej për bashkëpunim me “armiqtë” jashtë vendit ose për kundërshtim ndaj regjimit, përfundonte në burg. Pas rënies së komunizmit, Shqipëria u zhyt në kriza financiare dhe politike – konflikte që shpesh u zhvilluan me përplasje të dhunshme në rrugë.
Historia e trazuar e Shqipërisë është edhe pjesë e historisë personale të Fate Velaj – një histori që ambasadori dhe artisti e ka përjetësuar në romanin e tij “Kreuztanne”. Pas një rruge të mundimshme dhe të rrezikshme, Velaj mbërriti si i ri në Austri – më 21 korrik 1991, ditë që do t’ia ndryshonte jetën.
Ai erdhi si refugjat, fillimisht në qendrën e pritjes në Traiskirchen dhe më pas në fshatin e vogël të Austrisë së Poshtme Sankt Anton an der Jeßnitz, në bujtinën “Kreuztanne”. Ai mësoi gjermanishten, mbajti veten fillimisht me punë të rastësishme, si larës enësh. Më vonë punoi me turne në fabrikën e metaleve Heiser në Gaming. Dhe njëkohësisht hodhi hapat e parë artistikë: filloi të pikturojë.
Në romanin Kreuztanne, i cili është përkthyer në disa gjuhë, Fate Velaj përshkruan se si më në fund hodhi rrënjë në Austri. Njëkohësisht ai rrëfen edhe për jetën e njerëzve që takoi gjatë këtij rrugëtimi.
Kreuztanne është një histori migracioni – mes autobiografisë dhe fiksionit, një roman mbi lindjen e artistit dhe një studim shoqëror në një gjuhë të butë, poetike dhe njëkohësisht të kthjellët.
Prej disa muajsh, ambasadori ndodhet në turne leximesh me romanin e tij në shumë pjesë të Austrisë.
“Dua të tregoj historinë time, e cila njëkohësisht është një histori austriake dhe evropiane – dhe që tregon se si ishim atëherë”, thotë ai.
Edhe të kaluarën e Shqipërisë Fate Velaj e pasqyron në librin e tij “Mossanga” i cili aktualisht po përkthehet në gjermanisht. Në qendër të romanit është po ashtu një histori e vërtetë – ajo e fëmijëve nga Kongo, të cilët për shkak të luftës civile në atdheun e tyre, gjejnë strehim në Shqipërinë komuniste. Atje, megjithatë, bëhen përpjekje për t’i shndërruar në komunistë të rinj. Kur rriten, ata kuptojnë se propaganda ishte larg realitetit dhe reagojnë duke përfunduar vetë viktima të sistemit diktatorial që dikur i kishte pranuar.
Velaj studioi në Universiteti i Arteve të Aplikuara në Vjenë, ndoqi një rrugë të gjatë artistike – ndër të tjera pranë Hermann Nitsch dhe Adolf Frohner –, iu përkushtua politikës kulturore, mori vlerësime të larta në Austri, Itali, nga Parlamenti Evropian dhe në SHBA.
Ai angazhohet për një Evropë të bashkuar – ku edhe Shqipëria të bëhet pjesë e saj. Që nga viti 2024, ai është ambasador i Shqipërisë në Austri.











