“Code 5” në Maison de l’Albanie – nevoja për të deshifruar pikturën!

Kamuran Goranci është hera e parë që ekspozon në Paris edhe pse Parisi nuk është i panjohur për të.


Nga Luan Rama 

“Code 5” në Maison de l’Albanie – nevoja për të deshifruar pikturën

26 tetor 2024 – ora 18.00

 



Kamuran Goranci është hera e parë që ekspozon në Paris edhe pse Parisi nuk është i panjohur për të kur shumë vite më parë vizitonte muzeumet dhe galeritë parisiane. I formuar si piktor në Aademinë e Arteve në Prishtinë si dhe në Beograd më pas, krahas punës si profesor i artit dhe disa vite si produktor filmash midis Kosovës dhe Shqipërisë (Etjet e Kosovës, 2005 ; Anatema, 2006 dhe Tri dritare dhe një varje, 2014) ai nuk e ka ndalur krijimtarinë pikturale, duke kërkuar të krijojë një origjinalitet të tijin dhe të zhvillojë në këtë rrugë ndjesitë e tij të holla përmes kompozimeve të reja, tablove figurative si kulla (një vështrim tepër i veçantë por pa e vazhduar si temë në tablo të tjera) dhe imazheve koloristike.
Para pak kohësh, në studion e tij në Fushë-Kosovë të Prishtinës kisha parë një tablo të titulluar « Gjethja », në ndjesinë e peizazhit dhe duke e parë këtë gjethe në shumë gjendje. Por edhe një gjethe e shumëfishuar në mënyrë artistike mund të përbëjë një tablo më vete dhe me shumë emocione. Brenda asaj tabloje e ndjeje menjëherë pyllin e natyrën e bulëzuar, gjethen e « stopuar » që ta shohim më mirë endjen e saj në fllad. Një tablo mjaft e bukur ishte dhe një fushë gruri, parë nga afër, një copëz gruanaje në prag korrjesh e që pikturimi i kishte dhënë një lloj dinamizmi të brendshëm sa dukej se ajo grunajë përkundej disi nga era, dinamikë që e shohim dhe në tablonë tjetër « Iluzion », 2022.


Në ekspozitën që do hapet në Paris, në La Maison de l’Albanie, janë tablo të tjera të viteve të fundit që së bashku përbëjnë një risi, pasi një tablo na çon tek tjetra për nga mënyra e kompozimit dhe trajtimi koloristik, një gjetje origjinale e piktorit. Janë tablo të përmasave të mesme, që si « simotra » kanë të përbashkët mënyrën ekspresive të punimit, punuar në akrilik, duke e hedhur ngjyrën, por jo me penel, çka krijon relieve interesante të ngjyrës me nuaca të shumta, duke u dhënë tablove një imazh sa uniform aq dhe të shumëllojshëm në imazhet që krijohen, hapësirat mes tyre, figura flu në ngjyra të përafërta, etj.
Kjo lloj pikture më kujtoi një tablo të piktorit Abedin Dino që jetonte prej gjysmë shekulli në Paris, një piktor turk me origjinë shqiptare. Një piktor që në vitin 1992 hapte ekspozitën e tij të fundit në Paris në Gallerie Vieille du Temple. Kureshtar që ta shihja ekspozitën e tij shkova ta vizitoja dhe përballë një tabloje të madhe me arabeska uniforme, pikasa një arabeskë në formë njerëzore, një portret në miniaturë, që ishte në ngjyrë të kuqe. Dhe unë e pyeta mjeshtrin e madh se përse në këtë tablo uniforme kishte një figurë në të kuqe. Duke më buzëqeshur dhe shpjeguar turmën njerëzore që përfaqësonte ajo pikturë, ky fisnik që kishte punuar dikur në një atelier me Picasso-n e Chagall, më tha se gjithnjë do të ketë një njeri që do të shkojë kundër turmës.
Edhe në tablotë e Gorancit, imazhet duken disi të njëllojta, por vendosja dhe kompozimi i tyre, krijonte diçka impresionuese. Po të qëndrosh ballë tablove të tij dhe ti kundrosh disi gjatë, ato të shfaqin imazhe disi orinrike, një botë të panjohur, të zbuluar në atelier e që ai na e zbulon. Eshtë një lloj udhëtimi sa horizontal aq dhe në thellësi të kompozimit, në thellësi të formave dhe ngjyrave e ku relievi i ngjyrës të thotë diçka tjetër, ndonjëherë flu, si në një ëndërr.

Kompozimet e tij nuk kanë tituj por veç shifra romake, për ti dalluar nga njëra-tjetra, po ku secila na paraqitet me një botë kromatike të veçantë, të vetën dhe origjinale. Ajo diku është me tone blu, diku me të kuqe, pastaj e gjitha në okër apo të verdhë në gjithë hapësirën e saj e më shpesh me jeshile që duket si një ngjyrë e preferuar e piktorit. Në kompozicionin XIII apo XII siluetat njerëzore janë më të deshifrueshme. Kompozicioni VIII, ku dominonngjyra e bardha, më ngjan nga më delikatet e të bukurit. Menjëherë gjendem në një peizazh dimëror, mes dëborës, ku bora bie e dendur dhe më mbulon të tërin. Pra dhe në këtë tablo, si dhe në tjerat, në formatin 100×80 apo më të vogla, ajo që bie në sy është harmonia. Një harmoni që duket se e ka vetëm muzika. Të ngjan me një lloj sonate, të paqtë, që të tërheq ngadalë në botën e saj. Por ndodh që dhe me vetëdije ai ta thyejë këtë harmoni, siç ndodh me « Kompozicion II» ku përmes një detaji gjeometrik, ngjan sikur ai kërkon es asaj magme qëndrën e botës. Po kështu « Kompozicion VI », një tablo tepër koloristike dhe me ngjyra të ndezura ku nuk mungon të pikturojë peshq që ngjajnë se lëvizin brenda tablosë. Mjaft interesant është një tjetër tablo e kësaj risie, me një kryq të madh në mes, që të krijon gjendjen e bukur të harmonisë. Deri tani, këtë risi ai e ka titulluar « Code » duke nënkuptuar nevojën e deshifrimit, duke e prezantuar në Këln të Gjermanisë (« Code I »), pastaj në Galerinë e Tiranës (« Code 2 »), në Galerinë e Shkodrës (« Code 3 »), në Shkup (« Code 4 ») dhe së fundi tani në Paris, që do të jetë « Code 5 », në La Maison de l’Albanie. Në gjithë këtë udhëtim piktorik, Goraci është shoqëruar nga kuratori i tij Zheni Ballazhi, një mjeshtër i njohur në dizajn.

Titulli Code më duket i gjetur, pasi kjo lloj pikture ka nevojë të gjendesh gjatë para saj, të kundrosh e të deshifrosh, pasi brenda së tërës, tabloja ka elemene disi të fshehura që të krijojnë asosiacione të veçanta.

Lexo më shumë nga

“Frymëzime”, piktori Librand Dhrami ekspozitë në Athinë

Ekspozita u vizitua edhe nga ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga.

15 vjet
“DKullolli Art – Studio”!

Në 2009 ishte një projekt ambicioz. Sot, në vitin 2024 është një dyqan prestigjioz i materialeve të artit në Shqipëri.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.