Odhise Paskali, skulptori që skaliti historinë!
Themeluesi i skulpturës monumentale shqiptare dhe një prej artistëve më të respektuar në vend.
Nga Dash Frashëri
“Unë nuk jam skulptor në kuptimin profesional të fjalës; as jam poet në kuptimin tradicional; dhe as filozof në kuptimin shkencor të fjalës. Jam njeri. Çdo gjë njerëzore më ka tërhequr. Linda, jetova dhe do të vdes i varfër!”
Këto janë fjalët e shqiptuara nga Odhise Paskali, themeluesi i skulpturës monumentale shqiptare dhe një prej artistëve më të respektuar në vend.
Anëtar i Akademisë së Shkencave (1984), ndër të parët artistë që mori titullin e lartë “Skulptor i Popullit” (1961).
Autor i rreth 600 veprave në skulpturë. Në krijimtarinë e vet të larmishme realizoi edhe bustin e Ahmet Zogut – në kohën kur mbreti i ardhshëm i shqiptarëve ishte kryeministër- por edhe bustin e diktatorit komunist, Enver Hoxha, të cilësuar si zyrtar i Sekretarit të Parë të PPSH-së.
Krijoi edhe monumentin epik të Luftëtarit Kombëtar në Korçë, por edhe bustin e Skënderbeut, mbi portretin e të cilit bazohet tashmë prej dekadash arti shqiptar, piktura dhe skulputura.
Odhise Paskali ia kushtoi gjithë jetën e tij artit. Skulpturat e tij monumentale me karakter historik dhe pazriotik janë vendosur në sheshet e qyteteve kryesore të vendit. Grafikat e realizimeve të tij janë përdorur në pasaportën shqiptare, në monedha, në pulla postare, në kartolina dhe në publikime qeveritare.
Një figurë shumëdimensionale: shkrimtar, gazetar, përkthyes, piktor, mbi të gjitha skulptor, akademik.
Falë gjithë këtij diapazioni, Odhise Paskali konsiderohet si një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë. Poliglot. Ai fliste latinisht, greqishten e vjetër, greqishten e re, italisht, frëngjisht, gjermanisht dhe anglisht.
Odhise Paskali është vlerësuar me titullin “Nderi i Kombit”. Dekorimi i tij është bërë më 6 tetor 2003, me propozimin nga Ministrja e Arsimit të asaj kohe, Arta Dade dhe Drejtori i Muzeut Kombëtar, Moikom Zeqo.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, shpalli vitin 2009 në Artet e Bukura si “Viti Odhise Paskali”.
Autori i shkrimit, Dash Frashëri, pranë shtatores së Skënderbeut të krijuar nga Odhise Paskali. Ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë.
***
Sipas faqes së menaxhuar nga vajza e tij, Odhise Paskali u lind më 22 dhjetor 1903, në fshatin Kozani, sot një qytezë në Greqinë Veriore, por që më parë bënte pjesë në vilajetin e Manastirit në kohën e Perandorisë Osmane.
Tre vjet më pas, në 1906, familja e tij u zhvendos në Përmet. I ati në fillim qe sekretar në administratën turke të duhanit në Dishkatë e Kozhan dhe më pas prift në Koblarë, Miçan, Frashër, Zavalan e Soropull të Dangëllisë, në Lipe e Leusë pranë qytetit të Përmetit dhe në Bënjë të Shqerisë. në hapësirën e viteve 1903 – 1919, ka jetuar e qëndruar pranë familjes, me prindërit, Paskalin e Kaliopin, si dhe me tri motrat, me Uraninë, me Angjeliqinë dhe me Elpiniqin, në qytetin e Përmetit në Koblarë dhe në Frashër.
Në vitin 1918, mbaroi shkollën fillore greke në Përmet.
Më 1919 ai shkoi në Itali, ku më 1921 kreu Liceun Shtetëror “Vittorio Alfieri”, në Torino, për të vazhduar më pas, Liceun Klasik, në Asti.
“I Urituri” është vepra e parë në skulpturë e Odise Paskalit dhe një nga kryeveprat e skulpturës shqiptare. U realizua në 1924 në Torino.
Në vitin 1926, nga shkurti deri në gusht ai mori mësime skulpture në atelienë e Edouardo Rubino, në Torino. Deri në 1939 vepra gjendej në Pallatin Mbretëror. Më pas u mor nga Italianët si plaçkë lufte dhe ende gjendet atje.
Skulptori italian, Eduardo Rubino (1871-1954), me të cilin mësoi Paskali
U regjistrua në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë të Universitetit Regia në Torino, ku më 15 dhjetor 1927 mbrojti diplomën në fushën e historisë së artit.
Diplomë tip, e Universitetit Regia – Torino
Ai u bë nismëtar për krijimin e shoqërisë “Studenti shqiptar” në Torino. Odhise Paskali, së bashku edhe me Sejfulla Malëshovën i cili ka qenë sekretar i kabinetit në qeverinë Noli, gjatë studimeve të tij në Itali, botoi revistën “Studenti Shqiptar” , e cila botohej në Torino.
Në vitin 1929, nxori numrin e parë të revistës, të cilën e drejtoi derisa u mbyll, pas shtatë numrash. Krahas krijimeve letrare, aty botoi foto nga punimet e tij në skulpturë, si dhe nga tablotë e kolegëve artistë si: Abdurrahim Buza, Vangjush Mio, Kristaq Sotiri, etj.
Në prill 1931, bashkë me akuarelistin Qenan Mesareja, themeloi shoqërinë “Miqtë e Artit”, ku u mblodhën artistë të të gjitha fushave që jetonin në Tiranë. Po atë vit, Odhise Paskali organizoi Ekspozitën e Parë Kombëtare të Artit në Shqipëri, që u hap në Tiranë, në maj të vitit 1931. Ekspozita ndikoi edhe për themelimin e Shkollës së Vizatimit.
Në vitin 1934, kur ishte 31 vjeç, Paskali vendoset përfundimisht në Tiranë. Së bashku me Stephán Sioudi dhe Ismet Toto (në foto), një nga intelektualët më në zë të viteve ’30, i dënuar me vdekje me varje nga Zogu për organizimin e një kryengritjeje të armatosur në Delvinë, ai filloi revistën javore kulturore “Ilyria”.
Paskali ishte drejtori i Shkollës së Vizatimit, në vitin 1934 dhe deri sa ajo u mbyll.
Në periudhën 1932-1937, në disa qytete të Shqipërisë, u ngritën disa monumente skulpturore, punime të financuara nga shteti apo privatë dhe të realizuara mjeshtërisht nga Odhise Paskali.
Më 18 mars 1934 në Gjirokastër u vendos monumenti kushtuar atdhetarit Çerçiz Topulli, i realizuar nga Odhise Paskali. Kjo vepër u mundësua nga kontributi financiar i vetë qytetarëve të Gjirokastrës dhe gjirokastritët e mërguar në Amerikë, si një nismë e propozuar së pari nga gazetari Xhevat Kallajxhi. Kryetar i komisionit për kryerjen me sukses të projektit ishte Kryetari i Bashkisë së kohës Sami Kokalari.
Odhise Paskali është autor edhe i shtatores së gjeneralit italian, Enriko Telini, i vrarë nga grekët, më më 27 gusht 1923, në një pritë të mirëorganizuar. Shtatorja u përurua më 27 gusht 1941.
DISA NGA VEPRAT E PASKALIT
***
Pas vitit 1944, ndaj Odhise Paskalit në fillim u mbajt një qëndrim i rezervuar. Nuk u ftua të merrte pjesë në Ekspozitën Kombëtare të Pasçlirimit, në prill të 1945-ës, meqenëse kishte realizuar më parë statujën e mbretit Zog, si dhe buste të figurave të tjera të mbretërisë.
Odhise Paskali është një nga pedagogët e parë të Liceut Artistik “Jordan Misja”, i krijuar në janar të vitit 1946, së bashku edhe me skulptorët Janaq Paço, Kristina Hoshi, (e para grua skulptore, shqiptare), Andrea Mano, piktorët Foto Stamo, Abdurrahim Buza, Kel Kodheli, Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Guri Madhi, etj. Liceu ka nxjerrë emra të njohur në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai qendroi në lice deri në vitin 1953.
Rifilloi krijimtarinë në skulpturë me bustet e heronjve “Misto Mame” (1948), “Vojo Kushi” (1949), që u vlerësuan midis punimeve më të bukura të atyre viteve. Më pas, realizoi disa monumente si “Partizani Çlirimtar” dhe “Ndihmë Shokut” (Përmet, 1964), “Partizani Fitimtar” (Mathausen, Austri, 1968), “Skënderbeu” (Bashkautor Janaq Paço, Andrea Mano, Tiranë, 1968), bustet “Dy Heroinat” (Gjirokastër, 1974) “Vëllezërit Frashëri (bashkautor Thoma Thomai, Tiranë, 1978), “Idriz Seferi”, (Prishtinë, 1980), etj.
Në vitin 1965 realizoi variantin më të arrirë të bustit të Enver Hoxhës, që u riprodhua në qindra e mijëra kopje. Ajo u çmua si vepra që pasqyroi dhe i shëmbëllente më mirë figurës së udhëheqësit komunist të Shqipërisë.
Monumentin e Skënderbeut në Tiranë e realizuan Odhise Paskali, Andrea Mano dhe Janaq Paço.
Odhise Paskali ndërroi jetë, në Tiranë, më 13 Shtator 1985 i nderuar dhe i përcjellë me një ceremoni madhështore nga mijëra bashkatdhetarë, adhurues të veprës së tij të pavdekshme. I pranishëm ishte dhe Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor (post i barazvlefshëm sot, me atë të Presidentit të Republikës).
Në vitin 1986, Çmimi vjetor “Odhise Paskali” për skulpturën dhe pikturën, u vendos me dekret qeveritar.
Po këtë vit, botohet libri i tij “Gjurmë jete”, me kujtime biografike dhe rreth 130 fotografi të skulpturave të tij.
Në vitin 2009, Ekspozita “Rilindja e Paskalit” u hap në Muzeun Historik Kombëtar të Tiranës me 25 pjesë skulpturore të Paskalit. Ekspozita u organizua nga vajza e tij në 105 vjetorin e lindjes së Paskalit. Gjatë kësaj ekspozite u prezantua për herë të parë publikut libri “My Soul Revived” (810 ese filozofike të krijuara nga viti 1922 deri në 1985).
***
Memoriali i Skënderbeut në Lezhë – ka përfituar formën e tij përfundimtare në vitin 1981 – është ideuar nga skulptori i mirënjohur Odhise Paskali dhe arkitekt Latif Lazimi.
Në vitin 1957, Odhise Paskali u emërua drejtori i Galerisë Kombëtare te Arteve.
Odhise Paskali ishte gjithashtu, pjesë e grupit të punës në ndërtimin e Muzeut Historik Kombëtar, në Tiranë (i inauguruar, më 28 tetor 1981), se bashku edhe me nga personalitete të shquara si: Gani Strazimiri, Koço Miho, Besim Daja, Skënder Luarasi, Valentina Pistoli, Sami Pashallari, Ilia Papanikolla, Robert Kota, Latif Lazimi, Guri Pani, Maksim Mitrojorgji, Magdalena Furxhiu, Kristaq Rama, Shaban Hadëri, Foto Stamo, Fatmir Haxhiu, Guri Madhi, Ndreçi Plasari, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Aleks Buda, Selami Pulaha, Skënder Anamali, Emin Riza, Selim Islami, Burhan Çiraku, Kleanthi Dede, Ballkize Haxhihyseni, Taqi Miho, Iljaz Goga, Rrok Zojzi, Abaz Dojaka, Ramadan Sokoli, Enver Faja, Nina Shehu, Vilson Kilica, Fatmir Haxhiu, Myrteza Fushekati, Met Deliu, Aleksandër Meksi e shumë të tjerë.
Banka e Shqipërisë, përmes monedhës 1 Lek të vitit 1969, përkujton Çlirimin të Atdheut nga regjimi nazi-fashist. Monedha e përzgjedhur për të ilustruar këtë moment historik është pjesë e serisë së monedhave të emetuara në vitin 1969, përkujtimore.
Pjesa e përparme e monedhës paraqet gdhendjen e imazhit të skulpturës “Partizani Fitimtar”, realizuar nga Odhise Paskali dhe e vendosur në Mathauzen, Austri, në vitin 1968.
Pasaporta shqiptare në sfond ka veprën “Skënderbeu” të Paskalit.
PËRMETI
Odhisea jetoi në Përmet vetëm 14 vjet dhe shumicën e jetës 82-vjeçare e kaloi në Itali dhe në Tiranë, ai ishte i lidhur me vendlindjen.
Përveç ecejakeve të herëpashershme pranë familjes në periudha të ndryshme para djegies së shtëpisë së tij në korrik të vitit 1943 nga fashistët, ai krijoi në vendlindje një sërë veprash, midis të cilave skulpturën e “Partizantit Çlirimtar”, punën e grupit skulpturor “Shokët” në varrezat e dëshmorëve të Përmetit; bustin e Naimit; të Nonda Bulkës dhe të Fanjo Çiçakos në qytet; bustet e vëllezërve Frashëri në sheshin para Shtëpisë Muze në Frashër, bustin e dr. Refat Frashërit, etj.
Kompleksin e varrezave të dëshmorëve të Përmetit, ai e plotësoi me tri figura për të përjetësuar edhe tre kushërinjtë e tij të parë (Harallamb Papa, Gaqi Vinjau e Foti Adhami).
Inxhinieri Ibrahim Emiri me skulptorin Odhise Paskali para memorialit, në Varrezat e Dëshmorëve, Përmet
Në Muzeun vendor i Përmetit midis të tjerash, përveë pavijoni i Vëllezërve Frashëri, është edhe pavijoni i Odhise Paskalit, me artefakte të dhurura nga e bija e skulptorit të madh përmetar, Floriana Paskali, midis tyre edhe ora dhe një aparat fotografik.
Në Përmet, bulevardi kryesor quhet “Shëtitorja Odhise Paskali”.
Edhe në Tiranë dhe në Vlorë ka një rrugë me emrin “Odhise Paskali”, dhe po ashtu në Prizren, në Kosovë. Në Pejë, ndodhet edhe Shkolla e Artit “Odhise Paskali”.
***
Në 50-vjetorin e Akademisë së Shkencave (2022) u organizua ekspozita filatelike me pullat e emetuara nga Posta Shqiptare në nder të personaliteteve më të shquara të albanologjisë, një prej tyre ishte edhe skulptori Odhise Paskali.
Ekspozita “Paskali, artistët e Jonit dhe mureve të gurta”, me vepra të artistëve të qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Përmet e Sarandë u çel në qytetin bregdetar të Sarandës.
Këtë grup artistësh e udhëheq Odhise Paskali, artisti që në vitet 30 të shek. XX, me statujat e tij në bronz, të vendosura në Korçë, Gjirokastër, Kukës e Tiranë i ktheu vendbanimet në qytete me qendër urbane. Ai ndikoi aq shumë, sa dhjetëra skulptorë që përfaqësohen në këtë ekspozitë janë nga Përmeti, vendlindja e mjeshtrit të madh Paskali.
BOTIME