Akademik Rexhep Ferri, figurë e ndritur e artit mbarëkombëtar

“Të qoftë dheu i lehtë mik i dashur. Ke lënë pas një trashëgimi të pashoqe ne arte”


Nga Pashk Përvathi
Sot, ka nderruar jete nje prej me te medhenjeve ne artin figurativ te te gjithe trojeve shqiptare, Akademik, Rexhep Ferri.
Une pata fatin te kem prej tij shkrimin “Dita e Piktorit”, kushtuar krijimtarise time dhe botuar ne librin e tij me Ese me te njejtin emer.
Te qofte dheu i lehte mik i dashur. Ke lene pas nje trashegimi te pashoq ne arte dhe nje emer te mire ne ish studentet, koleget e miqte tuaj te shumte.

***

“Dita e piktorit”

Rexhep Ferri, piktor, akademik, Prishtinë – Kosovë

1.
Për të qenë një me një me jetën, jo vetëm për këtë apo atë kohë, dola te dita e piktorit.
Takova Pashk Përvathin.
Dhe përjetova diçka të panjohur, të papritur.
Si shkollë, si përshëndetje me ngjyra.
Për të ruajtur shkathtësinë dhe mendimin njerëzor, Përvathi nuk pikturon kartolina turistike. As mashtrime të modës e të modernitetit. Për prerjen e artë të lëvizjeve dhe të bukurive të pazbuluara artistike, ai çohet herët.
Për t’i parë stinët e vitit si në pesë stinë, me butësinë e graciozitetit kap dritën e parë.
Para syve tanë: vjeshta e kuqe.
Vjeshta në park.
Vjeshta në studio.
Dhe – dita me peizazhin në peizazh. Nga ngjyra e verdhë në atë të kaltër, shpirtërisht e butë. Dhe nga e përhirta e lehtë që shkon kah e bardha e qumështit dhe e kuqja në të kuqen.

2.

Po ashtu më vjen të them se në ato peizazhe vërehet vetja, ku ngjyra dhe hapësira përjetohen edhe si muzikë. Në ato përjetime, a ka vetmi që harresës i thotë: “Prit pak!”?
Është e pabesueshme, por Pashku, edhe pse frymëzohet nga natyra për të qenë më e pastër se ideja, nuk e kopjon natyrën. Ai me imazhin e ri e rimbledhë dhe e ringjall kujtimin e peizazhit. Si në botën e çudirave, lulja e sheh lulen dhe thotë: “Cila është më e bukur?”. Për stinët e vitit, kur çdo gjë është ëndërr, fillon heshtja mitike. Majtas e djathtas E Bukura e Dheut vizatohet vetë. Për sot dhe nesër, mes romantizmit dhe realizmit, për të mos thënë ekspresionizmit romantik, për hir të viteve që shkojnë e vijnë, Ajo kurrë nuk di të plaket.

3.
Kur është fjala për ndjenja të veçanta për vijat, shprehjet, muzikën nuk di si ta shpjegoj. Ka krizë, s’ka krizë. Pashk Përvathi orientimin dhe origjinalitetin e krijimtarisë së vet në asnjë mënyrë nuk e lejon të joshet nga kiçi i modës së besimtarëve të rrejshëm. Për hir të ndjeshmërisë së realizimit të ri magjik. Duke pikturuar ëndrrën i del përpara stina e pestë që do të mbahet mend si koha e peizazheve të buzëqeshura, dhe të shtrira në gjashtë dimensione të njohura nga shija e kripës.
Kur jeta e do jetën dhe kur jeta i thotë jetës “Prit pak!”, për të parë më larg se larg, Pashk Përvathi vjen më afër dhe motivet e bukura i pagëzon me emrin e vet.
Duke vrapuar pas dritës, ngjyrave, shkon e ndalet, shkon e ndalet. Para çdo peizazhi pret derisa të dalë ylberi e ta shohë harkun e ylberit, e të zgjatet, e t’i mbushet mendja për ta kapërcyer ylberin para se të shkojë paraqitja e tij.

4.
Gjatë pikturimit për t’ia qitur pikën, për t’i dhënë peizazhit një theks më tërheqës, Pashk Përvathi gjatë shëtitjes krejtësisht futet në peizazhin e vet. Është e vetmja gjë që kërkon gjatë ditës kur gjithçka është e mundur të realizohet. Me vija në ngjyra, mendja i del te vetvetja dhe te vetvetja shkon.
Për hir të një syqeshjeje të peizazhit në plan të parë është edhe një detal i vogël. Një fragment që shkon shumë mirë me gurët e mozaikut. Kjo sfidë nuk është një kriter që ka një domethënie për reflektime të thella. Qëllimi është përjetimi i bukur i stinëve të viteve që vijnë njëra pas tjetrës.
Në dialog me harkun e violinës, për të kujtuar lulen që sheh lulen, kjo bukuri kërkon kohë, përkushtim. Diku e dikur për kohën e kohës reale më shumë se kaq. Ndoshta prapë arrij të takohem me Pashk Përvathin.

5.
Në këto orë të qeta pse po më paraqitet kjo pyetje? Nga më erdhi nuk e di…
Tek e bukura e tokës shtrihet edhe ngjyra e dheut të pjekur.
Ku ta di në ç’masë shfrytëzohen mes vete lidhjet e arteve.
Për hir të natyrës, shqetësimet e bukura kapin lidhjet me fatin e gjuhës së imagjinatës.
Për ta shprehur vetveten, dita e piktorit, kohës së ardhshme i përgjigjet.
Peizazhi në peizazh qenka edhe një mundësi tjetër.
Aty ku koha vjen si kohë, në vijën e të bukurës janë një mijë e një shëtitje, kujtime, shije. Jo çfarëdo shëtitje, shije, kujtime.
Deri në bindjen konkrete prapë përjetime deri në syqeshje të panjohura.
Larg dhe afër janë fushat.
Kodrat.
Deti.
Shkëmbinjtë.
Rrugët.
Njerëzit dhe mitet dhe kalatë e fiseve krenare.
Për të dalë deri te dita e piktorit, Pashk Përvathi është nisur në rrugë të gjatë të jetës së kalorësve, bashkë me peizazhet e veta.
Jo vetëm për këtë apo atë kohë, por për të qenë një me një me jetën.

Freitag: Ju tregoj frymëzimin shqiptar në një përvojë perëndimore

Intervistë me piktorin me famë nderkombëtare Gazmend Freitag dhënë për gazetën kombëtare “Nacional”

Qazim Arifi, skulptori më i mirë i Bienales “Usa Tour 2023-2024”

Arifi ekspozoi punët e tij në "Bienalen Usa Tour" në Los Anxheles, Uashington, Miami dhe Nju Jork.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.