Helidon Haliti: Muralet e Tiranës janë projekti im më i mirë!

“Mjeshtri i Madh”, piktori Helidon Haliti, intervistë për gazetën letrare “ExLibris”


Bisedoi Andreas Dushi

A.D.: Z. Helidon, prej kur keni filluar të pikturoni, deri tani, a keni të paktën kopje apo fotografi të të gjitha veprave tuaja? Nëse jo, a ka ndonjë vepër me të cilën mund të keni qenë vërtetë i lidhur por që tanimë ruhet vetëm në kujtesë, pra nuk keni më gjurmë të sajat?

H.H.: Unë kam filluar të pikturoj shumë herët si çdo fëmijë që në moshën 6-7 vjeç dhe ruaj një vepër të asaj moshe; im atë ma ka ruajtur dhe e disponoj dhe sot. Më pas, veprat e realizuara në liceun artistik i disponoj, të paktën shumicën e tyre. Ndërsa ato të rinisë së hershme shumë pak prej tyre pasi shumicën e kam dhuruar apo shitur. Më ka mbetur në mendje një portret të cilin nuk e gjej më dhe ai më ka mbetur në mendje dhe do dëshiroja ta rishihja.

A.D.: Si kompozohet një ekspozitë? Vjen natyrshëm, kur artisti vëren se pikturat kanë një element përbashkues apo është si ide më së pari dhe mandej realizohen pikturat? Si dhe, ju ka ndodhur ndonjëherë të bleni një pikturë tuajën të para shumë kohëve?

H.H.: Ka ekspozita që kompozohen që në zanafillë, pra artisti nis të pikturojë me një tematikë apo nga një shqetësim artistik i caktuar dhe vijon punën. Pasi ka kaluar procesin e akumulimit fillon “ekzekutimi i veprës në telajo” dhe më pas, ekspozita merr formë deri sa të arrijmë në muret e sallës ku aty fillon dhe “eleminimi” i disave prej veprave të cilat nuk i qëndrojnë së tërës. Por ka dhe ekspozita të cilat vijnë edhe pasi janë grumbulluar shumë vepra në studio dhe thërrasin për një udhëtim iluminues e të “përballen” me publikun dhe artëdashësit apo me kritikën pse jo. Shpesh ndodh që pikturat e realizuara në studio nuk i përkasin asaj, por një destinacioni tjetër, muri, depozitimi, botimi apo një akti muzeal.

Shumë shpesh po ndodhte të blija apo të shkëmbeja piktura të mijat të vjetra me para apo me piktura të reja. Kjo quhet “LUPË” në fushën e koleksionistëve. Por nga momenti që jam bërë më aktiv në ekspozim, që po kaloj mesomoshën apo thënë rëndomë, po bëhem përditë e më i famshëm, është shumë e vështirë të riblesh një vepër pasi zakonisht ata që e disponojnë, ja njohin vlerën si dhe përjetojnë një lidhje shpirtërore për atë vepër si birësimi i një fëmije që prindi “nuk e merr dot” më mbrapsht!

Gjithsesi, e rëndësishme është që vepra të rrijë bukur në familjen përkatëse, në institucionin apo në muzeumet. Së fundmi më nisën një pikturë timen e cila ndodhej që prej 35 vjetësh diku dhe personi e kishte çuar për kornizim dhe ju luta ta riblej por E PAMUNDUR. Ajo pikturë ishte një kryevepër për mua pasi kishte dy autorësi, e kishte nis im atë dhe e kisha përfunduar unë, me sa duket babai im kishte pasur një “QOKË” të rëndësishme për të bërë dhe e kishte dhuruar. Personi që i disponon ishte një njeri me shumë peshë në diktaturë! Vështirë se ia marr dot mbrapsht, por të paktën kam një foto të saj!


Bisedë mes ëngjëjsh mëkatar

A.D.: Cila mendoni se është shkolla artistike që më së shumti ka ndikuar në formimin e artistëve shqiptarë?

H.H.: Ka disa shkolla që kanë ndikuar në pikturën shqiptare, kryesisht ajo e lindjes, shkolla ruse por edhe ajo italiane. Pas 1990 është bërë një anarki shkollash dhe ka shumë ndikime, por shkolla shqiptare është shumë e konsoliduar, sidomos ajo e brezit të viteve 1985 të cilët mund të them se krijuan atë që quhet shkolla shqiptare, por pa dyshim me ndikime të pashmangshme!

A.D.: Ka një pyetje të shpeshtë mes shkrimtarëve: Një shkrimtar i mirë, duhet të ketë studiuar Creative Writing? Në kontekstin e piktorëve, a duhet që një piktor i mirë të ketë studiuar pikturë me patjetër?

H.H.: Një piktor i mirë sipas meje duhet të ketë ndjekur një shkollë me patjetër, pasi shkolla jep baza thelbësore, ndërsa të jesh artist i mirëfillte shpesh nuk ka nevojë për shkolle. Sipas Josef Boys, “Çdo njeri i thjeshtë mund të bëhet artist i madh”. Unë them që kushdo mund të bëhet artist i madh përveç piktorëve të këqij!

A.D.: Cili element, cila veçanti e një portreti, turpi, godine, peizazhi, nuk e di, e një subjekti të caktuar ju ngacmon aq sa ta ktheni në të pasqyruar në telajot tuaja?

H.H.: Mua më pëlqejnë të gjitha gjinitë edhe teknikat. Në teknikën e akuarelit më intrigon gjinia e peizazhit, ndërsa në teknikën e vajit më intrigon portreti dhe kompozimi, por së fundmi po aplikoj edhe NUDON, duke u joshur nga komunikimi me personazhin, modelin apo me morfologjinë e trupit!

A.D.: A mund të pikturohet një rrëfim? Dhe a ka rrëfim një pikturë?

H.H.: Im atë më rrëfente shpesh, duke u munduar të më ndikonte që të pikturoja rrëfimet e tija dhe në gjuhën tonë kjo quhet “Ilustrim”. Ka piktorë që e bëjnë mrekullisht këtë gjë; unë s’e bëj dot dhe preferoj të pikturoj përjetimet e mia dhe të krijoj sa më shumë ngjarje e histori, sepse pa të tilla, nuk krijoj dot!

A.D.: Në veprat tuaja, çfarë roli ka luajtur letërsia, sidomos poezia, edhe ajo e atit tuaj, poetit të ndjerë Faslli Haliti?

H.H.: Në krijimtarinë time, babai im ka gjurmë të rëndësishme, por me një analizë të thellë, secili udhëton në shinën e tij. Kam pikturuar poezi të tijat dhe janë mirëpritur, por kur janë përballë poezia me pikturën, vihet re qartazi se janë dy autorë dhe dy vepra të ndryshme.


Shëtitje me dem

A.D.: Ju keni lindur në Lushnjë, por prej dekadash jetoni në Tiranë. Parë nga të dyja këto perspektiva, si e mendoni, provinca i bën mirë apo dëm artistit?

H.H.: Jam lindur në Lushnjë dhe atje u bëra piktor, jetova 15 vite në Athinë dhe u përmirësova si artist, jetoj në Tiranë dhe po piqem që të arrij nivelin e fëmijërisë ku për të të besuar, duhet të plakesh mbi telajo. Pra udhëtimi është i domosdoshëm pasi ke qenë i gjykuar, më pas i paragjykuar tashmë i diskutuar dhe kur krijimtaria përfundon udhëtimin, je thjesht i pranuar!

A.D.: Nuk i kam kuptuar asnjëherë veprat letrare që kanë dy shkrimtarë. Si ndahen? Cilën pjesë ka shkruar njëri dhe cilën tjetri? E njëjta më duket edhe për veprat artistike, kryesisht në përmasa të mëdha, murale për shembull… Si mund të bashkëpunojnë dy vetë në një gjë aq personale sikurse është vepra e artit?

H.H.: Bashkëpunimi ndërmjet artistëve ka ndodhur dhe së fundmi ndodh edhe më shpesh, sidomos pas konceptit kurator. Pra unë përzgjedh tematikën, vëzhgoj cili artist më përshtatet, caktoj murin në diskutim me artistin, diskutojmë për skicat dhe koloritin dhe kështu fillon e mbaron muri, por në fund mban firmën e artistit, jo të kuratorit i cili në botën perëndimore është më i rëndësishëm se piktori ekzekutues, është njëlloj si ai që projekton avionët apo makinat dhe ata që e prodhojnë. Por të jem i sinqertë, unë e filloj dhe e mbaroj punën që në përzgjedhjen e artistit dhe rrallë i ndërhyj atij, por ka pasur raste që kam ndërhyrë thellë mbi 6 muaj diskutime pasi përveç artistit, në artet publike ka “rol” dhe publiku. Pra kuratori ka një rol shumë të rëndësishëm pasi lidh të gjitha kahet!

A.D.: Sa dhe si mendoni të ketë ndikuar arti, muralet e mëdha në fasada pallatesh apo vepra të tjera të një natyre të ngjashme, në formësimin e botëkuptimit urban? Sipas jush, qyteti i bën njerëzit ata që janë apo njerëzit e bëjnë qytetin ashtu sikurse është?

H.H.: Për mua, muralet e Tiranës janë gjëja më e vyer që ka ndodhur dhe një investim shumë i rëndësishëm dhe e ka futur Shqipërinë në hartën botërore të muraleve, ama dëmi fillon kur projekti përhapet pa kriter nëpër qytete dhe kryetarë apo këshilla përkatës fusin shijet e tyre dhe e banalizojnë. Është një projekt shumë i vështirë, pasi secili mendon se i takon të japi mendim, gjë që nuk ndodh me reklamat për shembull, të cilat dhunshëm apo në mënyrë organike kanë pushtuar botën dhe kjo ndodh pasi ato janë më efemere, ndërsa muralet kanë perceptim permanent, të përjetshëm. Gjithsesi muralet janë projekti im më i mirë, por që s’e shijoj pothuajse aspak pasi duke qenë piktor, dua që fëmijët t’i bëj vetë, jo me “ndihmën” e të tjerëve.

Marrë nga ExLibris

Lexo më shumë nga

Buza, i pari piktor modern shqiptar

"Ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar"

“Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në Shekullin XX”

82 artistë prezantohen në ekspozitën e hapur në Galerinë FAB me drejtues projekti Olsi Laskën dhe kuratore Suzana Varvarica Kukën

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.