Guri Madhi, “guri i madh” i arteve pamore!

“Artist i Popullit”. Një nga tre themeluesit e Universitetit të Arteve. Mbi 400 vepra në 33 vjet krijimtari.


Nga Dash Frashëri

“Artist i Popullit”. I përjashtuar nga Partia e Punës. Një nga themeluesit e Universitetit të Arteve. Mbi 400 vepra në 33 vjet krijimtari. I vdekur në Hungari, në rrethana ende të paqarta. Ky është Guri Madhi (1921-1988). Një ndër piktorët më të mëdhenj shqiptarë. Një artist në panteonin e pikturës shqiptare.

Për veprimtarinë e tij në artet figurative, Guri Madhi nderohet nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhrin “Naim Frashëri” – shkalla e parë në vitin 1972.

Në vitin 1976, Guri Madhit iu dha nga Presidenti i Shqipërisë titulli “Artist i Popullit”,  titull i rëndësishëm dhe njohja më e madhe për një artist.

Me artin e tij, Guri Madhi preku momente të rëndësishme për vendin tonë të cilat mbeten si dëshmi e një arti të angazhuar, krijuar nga një artist patriot.

***

Guri Madhi u lind në Korçë, më 15 maj 1921. Pas përfundimit të shkollës fillore, Guri Madhi ndoqi për dy vite shkollën e mesme italiane në Korçë, që kishte për bazë vizatimin

Arti ishte brenda vetëdijes së piktorit të ri. Ky vizatim i vitit 1942, kur ai ishte 21-vjeçar, e dëshmon më së miri talentin e tij.

Pas luftës filloi punë si piktor në shtepinë e kulturës dhe më pas si ndihmes-skenograf në Teatrin e Korçës, ku skenograf punonte një nga piktorët më të njohur shqiptarë të asaj periudhe, Vangjush Mio.


Piktori Vangjush Mio

Njerëzit më të dashurit të Gurit nuk mund të mos ishin brenda krijimtarisë së hershme të tij. Kjo zonnjë është e fejuara e tij. Vizatim daton në vitin 1950.

Gruaja mbetet një frymëzim i përhershëm i tij.

Portreti i nënës zë një vend të veçantë.

Babai, Petraqi, gjithashtu.

Por, edhe vjehrra dhe vjehrri i tij nuk mungojnë në krijimtarinë e tij.

***

Piktori Guri Madhi ishte një nga studentët shqiptarë që mbaruan studimet e plota (1951 – 1956) me rezultate të shkëlqyera për pikturë në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) të ish-Bashkimit Sovjetik (sot Rusia) .

Nudot janë në programin e shkollës, dhe Guri nuk mund ta shmangë.

Tema e tij e diplomës së vitit 1956 “Bajram Curri në shpellën e Dragobise“ tregon Heroin Kombëtar Bajram Curri në stilin tipik të impresionistëve rusë.

Fryma moderne e stilit piktorik të Guri Madhit ndihet fuqishëm, te tabloja “Luftëtarët” (1957), ku e “kuqja patriotike” shoqëron gjithë kompozimin e bukur.

Pas kthimit në Shqipëri, Guri Madhi mori postin e inspektorit pranë Ministrisë së Kulturës në Tiranë.

Në vitin 1958 ai emërohet pedagog në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë.

Guri Madhi është një nga tre themeluesit e Akademisë Shqiptare të Arteve të Bukura në vitin 1960.

Në vitin 1966 ishte një lëvizje e madhe në luftën kundër burokratizmit dhe shumë kuadro nga Tirana shkuan nëpër rrethe. Një nga këta ishte Guri Madhi që shkoi në Gjirokastër, dhe e caktuan në garnizonin e Gjirokastrës në Grehot.

Ishte në kushte skandaloze, ku qëndroi një vit dhe pak muaj dhe e braktisi pastaj. Dhe në atë moment që përjashtuan nga Partia, ai e braktisi garnizonin ku ishte dhe u kthye në Tiranë. Ishte i papunë pastaj. Ndenji rreth dy vjet pa punë dhe më pas e futën në punë në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore, ku bënte objekte mësimore për shkollat. Qëndroi disa vite atje deri në vitin 1971.


Historia tragjik0-komike e “Mbledhjes së Moskës”

“Mbledhja e Moskës” dhe denoncimi që i bëri Enver Hoxha liderit sovjetik, Nikita Hrushov, është një nga kompozimet epike të Guri Madhi.

“Mbledhja e 81 partive në Moskë, 1960“ konsiderohet si ndër më të rëndësishmet e realizmit socialist në Shqipëri.

Madhi ka kompozuar në pikturën qëndrimin e kundërt të Partisë së Punës së Shqipërisë ndaj pjesës tjetër të drejtuesve dhe partive komuniste në një konferencë në Moskë në 1960. Në njëren anë shfaqet në përmasa mbinjerëzore postura e fuqishme e Enver Hoxhës me funksionarët e partisë së tij dhe me anëtarët e partisë komuniste kineze, të cilët në atë periudhë ishin distancuar nga Moska.

Në anën tjetër ndodhen Hroshov, Brezhnjev, Ulbricht dhe drejtues të tjerë komunistë. Këta të fundit shfaqen në dritëhije thuajse të trembur nga reagimi dhe qëndrimi i Hoxhës. Piktura u dha si detyrë nga Komiteti Qëndror i PPSH me rastin e 30-vjetorit të clirimit të Shqipërisë dhe me rastin e inagurimit të ndërtesës së re të Galerisë Kombëtare të Arteve.

Vepra e përfunduar u paraqit në nëntor të 1974 para një komisioni të posaçëm. Ky i fundit vendosi që portreti i Enver Hoxhës nuk ishte realizuar siç duhet dhe vendosi t’i caktonte piktorit Zef Shoshi detyrën e përfundimit të portretit.

Më vonë, në vitin 1978, marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën u shkëputën. Guri Madhi kishte domosdoshmërisht detyrën të hiqte delegacionin kinez nga piktura.

Ai e kreu këtë gjë duke ua sfumuar fytyrave prejardhjen kineze. Historia vazhdon në vitin 1980 kur Mehmet Shehu, kryeministër i asaj kohe, gjendet pa jetë.

Në pikturën në fjalë ai qëndron në krah të Enver Hoxhës dhe, edhe këtë rradhë, Guri Madhi duhet të fshijë figurën e tij. Por këtë herë ai refuzon, pasi një veprim i tillë do të shkatërronte kompozimin.

Pas kësaj vepra do të nxirrej nga qarkullimi për të mos u shfaqur në publik. Sot ajo ndodhet ne Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.


***

Skënderbeu dhe historia e famshme e tij është një tematikë e preferuar e Madhit.

Temat patriotike dhe historike zënë një pjesë të madhe të krijimtarisë së tij.

Lirizmi është gjithashtu një temë e preferuar.

Madhi krijoi edhe art modern.

***

Guri Madhi u nda nga jeta në Budapest (Hungari) në qershor 1988.

Në vitin 1989, për nder të tij, Galeria e Arteve e qytetit të tij Korçë u emërua me emrin e tij Galeria “Guri Madhi”. Galeria do të rihapet së shpejti.

Në vitin 2009 emri i tij u zgjodh nga pogradecarët si një nga 100 personalitetet e Europës, emrat e të cilëve përmenden në Bulevardin “100 hapat drejt Europës” në Pogradec-Shqipëri.

Një rrugë në Tiranë (kryeqyteti i Shqipërisë) quhet “Guri Madhi”.

Posta Shqiptare ka krijuar enkas një pullë kushtuar piktorit Guri Madhi. Gjithashtu, edhe një kompozim i Madhit për Skënderbeun është përdorur si pullë, po ashtu edhe një peizazh.

Guri Madhi ishte një profesor i dashur për studentët e tij, një piktor popullor.

***

Duket sikur një ditë Guri Madhi do të rikthehet në studio…

 

…do të ulet sërish në karrigen e tij…

… për të marrë penelat për pikturën e radhës…

_____________

Tiranë, 12 mars 2024

Hisni Meta, mjeshtri i harmonisë!

Piktori Hisni Meta feston 70-vjetorin. Një artist me një dashuri të madhe për artin e bukur. Perfeksionist.

“Shqipëria në akuarel” në penelin e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti

Ekspozita me 60 punime në akuarel do të qëndrojë e hapur, deri më 10 maj në Galerinë FAB.

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit