Ne e donim atdheun…

Ky tregim është shkëputur nga libri “Jeta në Pjatancë”, i gazetarit të ndjerë, Vangjel Sako.


Tregim nga Vangjel Sako

Ky tregim është shkëputur nga libri “Jeta në Pjatancë”, i gazetarit të ndjerë, Vangjel Sako (i botuar pas vdekjes së tij).

 

NE E DONIM ATDHEUN …

Në fillim ne (dhe kur them ne kam parasysh veten dhe familjen time), na u duk çudi e madhe emërimi im në atë rreth kufitar, sepse kishim marrë garanci që do të rrija në Tiranë. Madje, miku ynë në ministri, për të më treguar mua dhe familjes sime se gjithçka ishte planifikuar dhe vendosur siç donte ai, më kishte çuar një ditë edhe në Sauk dhe më kishte treguar atë që në të ardhmen do të ishte reparti ku do shërbeja unë, gjithmonë me qëllimin për të qenë afër shtypit ushtarak të kryeqytetit. Por, edhe kur enigma u zbardh, nuk bëmë dot asgjë.

Kjo asgjëja përkthehej në shqip, se unë duhet të merrja rraqet dhe të degdisesha aty mes ujqërve dhe arinjve. Se kështu e përfytyronim ne atë qytet në Veri: plot male e pyje dhe ku dikur rrinin diversantët, e tani rrinin ujqër e arinj. Shkuarja ime aty përfundimisht do të thoshte në një farë mënyre se kishte perënduar edhe ëndrra ime dhe e të afërmve të mi për t’u bërë gazetar i madh. Shkëndijat për të qëndisur shkronjat që kisha dhënë në 8 vjeçare, që u bënë zjarr në shkollën e mesme dhe që ngrohnin edhe të tjerët kur shkova në shkollën e lartë, u shumëzuan me zero. Larg syrit, larg zemrës, në këtë rast, përkthehej larg Tiranës, larg suksesit në këtë fushë.

Kështu më dukej mua në ato ditë të nxehta gushti, kur prisja të merrja rrugën për në Veri. Një shkundje të mirë, e mora nga një shok i tim eti, një babaxhan që edhe po të ishe 1.90 i gjatë, duhej të ngrije kokën për ta parë në sy, por ndodhi që unë isha në tavolinë i ulur dhe ai karabina u ul pothuajse në gjunjë dhe më foli ta dëgjoja vetëm unë:

–   Ore, unë të dija të mençur ty. Shqiptari për bukën e gojës ka shkuar deri në Amerikë dhe ka pastruar nevojtoret e zezakut, kurse ti… ja, 6 orë je larg nga shtëpia dhe ke një fat të madh, shko tani që je beqar dhe nuk ke rimorkio me vete. Çdo të bëja unë po të më jepnin një emërim të tillë, apo të vrisja veten. Nisu dhe … gëzohu që po shkon tani.

    – Jo për gjë, por isha mprehur për të qenë në Tiranë, pranë shtypit ushtarak… – doja të vazhdoja unë justifikimin, por binaja e madhe nuk më la.

    – Dëgjo këtu, more djali i mikut. Në fshatin tim, dikur donin të fejonin njërin djalë që ishte deli djalë, me shkuesi, siç ishte atëherë zakoni. Mësuan se në një fshat aty afër ishte një vajzë beqareshë dhe nisën dërgatën. Familja ku vajtën sapo kishin martuar njërin djalë dhe nusja ishte shumë e bukur, ndërkohë ajo që priste të martohej nuk ishte ashtu. Kur shkoi krushqia, pritësit nxorrën nusen e bukur me tabaka. E panë krushqit ardhës dhe u mbetën sytë. Aq e bukur ishte.
    – Nusja – pyeti kryekrushku, duke menduar se pyeste nëse ishte nusja e tyre.
    – Nusja – u përgjigjën mikpritësit, duke kujtuar se pyeteshin për nusen e shtëpisë.

    Ja bënë me kokë dhëndrit në e pëlqente apo jo, dhe pasi morën miratimin lanë ditën e dasmës. Ashtu siç ndodhte atëherë, i vunë duvakun nuses dhe e përcollën për tek dhëndri. Ky pasi hëngri dhe piu deri në mesnatë, u përcoll me shqelma e grushta dhe hyri në dhomën ku e priste nusja. Ajo gati pranë krevatit. Bën t’i heq duvakun dhëndri dhe shqyen sytë: nusja ishte një shëmtirë e vërtetë. Gati i bie të fikët, ai bën të turret nga dera, por një dorë e fortë e mbërtheu në krah.

      – Ç’pate zotrote?! – i foli nusja me një zë autoritar dhe nuk i lë kohë dhëndrit të fliste. – Dëgjo këtu, more dhëndër! Siç ëndërroje ti një nuse më të bukur se vetja, ëndërroja edhe unë një burrë më të bukur se vetja. Fati ishte me mua, se të gjeta ty më të bukur. Tani nënshtroju fatit se nuk ke ç’bën dhe ashtu ndodhi.

      Edhe ti dëshiroje një vend pëllumbash në Tiranë, por edhe aty ku do shkosh, eprorët presin një oficer të zotë, që në këtë rast je ti zotrote. Fati kështu deshi. Ndaj, bëhu gati dhe nisu, e shëndosh të shkosh e shëndosh të kthehesh dhe thuaj shyqyr që po shkon tani që je i ri.

      Ishte si një shuplakë që i jepet atij që i ka rënë të fikët për të ardhur në vete në gjendjen e plogësht që më kishte pushtuar mua dhe në atë midis dyzimi, urdhërit për të shkuar dhe mosdëshirës për ta bërë këtë gjë u nisa. Po ç’e kapi njeriun e shkretë dhe nuk e përballoi. I kalova shpejt pengesat e natyrës së egër dhe vështirësitë normale që të krijon një ambient krejt i panjohur. Ditët e para, padyshim që ishin të vështira, por më pas çdo gjë rrodhi normalisht. Në atë qytet ku shkova unë nuk kishte vetëm dhjetra oficerë ardhur nga rrethet e jugut, por edhe dhjetra mësues, agronomë, financierë e deri edhe punëtorë të thjeshtë ardhur nga rrethet e jugut, që punonin aty prej vitesh. Hyra edhe unë në ingranazhet e mëdha të jetës në këtë qytet dhe u bëra i zakonshëm midis atyre dhjetëra intelektualëve jabanxhinjë.

      Dalëngadalë, padyshim edhe me ndihmën e kolegëve po vlerësohesha në detyrë dhe nisa avash – avash të rindez edhe ato shkëndija të të shkruarit që nuk më kishin munguar kurrë, që edhe kur zymtohesha, dukej se lëvrinin nëpër tru, si bletë të ngarkuara me nektar dhe që duan ta shkarkojnë diku, duke më kujtuar se kisha një aftësi që ta aktivizoja. Më vlerësonin dhe më dhanë një pozicion disi privilegji. Ndjehesha mirë edhe me veten, edhe me punën dhe numëroja vitet që duhej të kaloja në këtë vend për t’iu afruar Tiranës dhe barometër për këtë kishim përvojën e shokëve. Atë më të mirën, se kishte nga ata që kishin ngrysur në këtë vend edhe 15 apo më shumë vite dhe nuk kujtohej njeri se ishin apo jo gjallë.

      Në këto vite që iknin aq shpejt sa kur mbaronin të dukeshin si muaj, rridhte jeta me gëzimet, vështirësitë, por edhe çudirat e saj. Pozicioni i punës më krijonte mundësinë të njihesha me njerëz të moshave, profesioneve, por edhe botëkuptimeve që sa ndryshonin nga njëra – tjetra. Po aq kishin edhe të përbashkëta dhe që në substancë mbartnin gumëzhimën e jetës. Ishin vite kur gdhiheshim në mëngjes dhe ngryseshim në darkë me ideologjinë zyrtare se nuk kishte mbi dashurinë për partinë dhe Atdheun, por që midis vendit, kur thotë shkodrani, kishim filluar dhe ta zgjidhnim gojën, por me frena të forta. Se ende ishin syzgjuar ata që ta bënin gropën dhjetë pashë.

      Në një nga këto ditë më hipi në kokë të shkoja në fshatin ku ishte çezma ndërkombëtare. Emërimin e kishte marrë nga fakti i vendndodhjes gjeografike, gjysmë andej dhe gjysmë këndej të tokës sonë dhe se me orare të mirëpërcaktuara aty mbushnim ujë edhe ne, edhe ata, matanë kufirit. Në të vërtetë edhe ata ishin gjaku ynë, edhe ajo andej ishte toka jonë, por ironia e fatit historik na kishte ndarë në: ne dhe ata. Kisha dëgjuar një thes me historira për atë çezmë, por nuk kisha asnjë përjetim. Në pamjen e parë të krijohej mendimi se ato orë të mbushjes së ujit ishin të gëzueshme, por ishte krejt e kundërta. Në të njëjtën çezmë, por në orare të ndryshme mbushte ujë edhe vëllai edhe motra, njëri këtej kufirit e tjetra matanë tij, që kishin vite pa ia parë fytyrën njëri-tjetrit. Në të njëjtën çezmë, por me orare të ndryshme mbushnin ujë dy motra, njëra këtej kufirit e tjetra matanë tij, që nuk ia kishin ledhatuar dot dorën njëra-tjetrës. Në të njëjtën çezmë, por në orare të ndryshme, mbushte ujë edhe daja edhe nipi, njëri këtej kufirit dhe tjetri në anën tjetër të tij, që nuk ia kishin parë fytyrën njëri- tjetrit dhe nuk njiheshin.

      Për disa ditë – netë më gjëmonte një pyetje, që në dukje ishte fëmijërore, por që po më linte pa gjumë: kur të bëhesh me nipa e mbesa dhe të marrin vesh se ke shërbyer dhe jetuar në këtë rreth e afër kësaj çezme, si do u përgjigjesh nëse kërkojnë t’u tregosh ndonjë episod apo thjesht të të pyesin: a ke qenë ndonjëherë në atë çezmë? Këtë gjë e quaja një përgjegjësi morale, sepse edhe fantazia më e shfrenuar atëherë nuk mund ta mendonte se do të vinte një ditë se do të shkriheshin krejt kufijtë dhe në atë çezmë mund të mbushje ujë kur të doje.

      Mora autobuzin, më pas u dhashë këmbëve, kalova lumin me trapin vetpërdorimësh, ngjita të përpjetën dhe u gjenda në dyert e postës kufitare. Aty akomodohesha sa herë më duhej të inspektoja repartet buzë kufirit. Ata e kishin normën e ushqimit më të lartë se ne të ushtrisë dhe kjo ishte një nga arsyet pse shkonim tek ata. Gjithsesi, nuk ishte vetëm kjo arsyeja, se me postin që kisha, në çdo repart që të shkoja më prisnin me tepsinë plot. Më dhimbseshin edhe kuadrot që shërbenin aty, sepse për vetë detyrën u duhej të ishin më të sakrificës. Mos mendoni se kuadrot aty ngryseshin sapo na shikonin, me idenë se kishim ardhur t’u hanim racionin.

      Përkundrazi, më shumë gëzonin ata se ne. E si të mos gëzoheshin?! Mund të kishin ditë, javë apo edhe muaj që kishin parë vetëm fytyrat e njëri – tjetrit dhe kishin bërë të njëjtin ritual: zgjohu, shko në vijën e kufirit, hajde në postë, përtyp ushqimin, gjumë dhe… nisu nga e para. Edhe një fshat që e kishin fare pranë, kishte pak kallaballëk dhe gratë, pas të tridhjetave më shumë dukeshin si burra, ngaqë vuajtjet e jetës ishin të papërshkruara, që nga sigurimi i bukës e deri tek bërja e druve në mal. Nga lodhja e jetës. Më shpesh aty takoje ujqër dhe dhi të egra, se sa njerëz. Aq e vërtetë ishte kjo, sa kur babai i një shokut tonë në një tavolinë në qytet ku ishim mbledhur nja tre – katër vetë dhe që kishte ardhur për ta takuar të birin t’i mbushte mendjen për t’u martuar, i tha në një çast se nëse nuk të pëlqejnë ato që i kishin gjetur ata, le të gjente vetë një aty në fshat. Ai me shakanë që ka brenda gjysmë të vërtetën, i tha: – Baba, veç të martohem me arushën, se tjetër gjë të mirë nuk ka aty.

      Iu nënshtrova urdhërit të ushtarit rojë për të mos lëvizur nga vendi, derisa erdhi Nikua, komandanti i postës që sa më pa, i vajti buzëqeshja vesh më vesh.

      – O sa mirë ke bërë që ke ardhur, o sa më gëzove!

      Duke hapur çelësin e portës, i kujtova se i kemi ministritë të ndryshme dhe se mos i bëj zarar që po shkoj tek posta e tij, por ai menjëherë më pa në sy dhe tha:

      – Ore ti, mirë se erdhe se ma bëre zemrën mal! Kam ngelur vetëm me ushtarët, qenin dhe kapterin tim.

      Nuk kishim ndonjë shoqëri të madhe, por në male, shoqëria të krijonte ambient të ngrohtë vetvetiu. Aq më tepër Nikua, që unë nuk e mbaja mend asnjëherë të vrejtur. Edhe në analizat kur kritikohej reparti i tij, ai asnjëherë nuk e pranonte zymtësinë në fytyrën e tij. Nuk ishte e para herë që shkoja në një postë kufitare, që ngjanin me njëra – tjetrën, si ata fëmijët e shtëpisë të jetimëve, shabllone që nga konstrukti i godinës, organika dhe ambientet e brendshme. Padyshim ashtu edhe uniforma e ushtarëve.

      Këtu nuk kisha ardhur për të analizuar këto situata, por për çezmën ndërkombëtare dhe nuk isha pa emocione. Nuk e dhashë veten dhe nuk e zbulova misionin tim që në fillim të bashkëbisedimit me Nikon. Biseda jonë sillej rreth jetës në repart, a kishte folur me lajmëthirrje me të afërmit në qytetin e largët të jugut, a kishte probleme me ushtarët që në natyrën e tyre kanë gjithmonë arsye të thyejnë rregulloret. Ishte një dyshe ushtar – rregullore që shumë rrallë gjenin gjuhën e dashurisë dhe më së shumti ishin si dy thika që rrinin majë më majë. Vështirësitë që kërkonin zbatimin e tyre nuk shkonin baraz me kushtet në të cilat ata jetonin dhe kjo ishte kontradikta kryesore.

      Ndërkohë ishte përgatitur ushqimi dhe sapo konsumuam atë, Nikua më propozoi të shkonim njëherë nga ushtarët. Ata po luanin futboll dhe neve, pa na vajtur ushqimi në stomak, u futëm në lojë, secili në ekipe të ndryshme. Kushdo ka luajtur futboll, por futbolli ushtarak ka të veçantat e tij. Numri limit i tyre në një repart, si ky i postës kufitare, i detyronte ata të aktivizoheshin të gjithë, ndërkohë që ndonjë prej tyre as kishte parë top më parë dhe bëhej qesharak, kur e gjuante atë. Ishte pastaj sedra për të qenë si ekip fitues, sedër që as që krahasohet në ambiente të tjera jashtë uniformës.

      Aty ku luanim ne, së pari duhet të kishe kujdes të mos gjuaje fort, se topi mund të përfundonte në tokën e tyre dhe duhej të nisnin bisedimet dy palëshe për ta rimarrë, ose në të kundërt përfundonte në lumin poshtë postës dhe ushtarit më të shpejtë do t’i duhej minimumi gjysmë ore për ta marrë, në rrugën vajtje – ardhje.

      Pastaj nuk duhej bërtitur shumë, se posta e tyre e kufirit, në vijë ajrore nuk ishte më shumë se 70 – 80 metra dhe çfarë thuhej aty, dëgjohej andej. Ashtu ishte konfiguracioni gjeografik. Në njërën bregore gjendej posta jonë, pastaj ishte një përrua jo shumë i madh dhe në bregoren simetrike me tonën, ishte e tyrja. Në mes të përroit ishte ajo, çezma e famshme që quhej ndërkombëtare, sepse mbushnin ujë shtetasit e dy shteteve të ndryshme, por të një kombësie. Unë, edhe pse po luaja fort futboll, mendjen e kisha tek ajo çezmë. Pyetje të shumta më gërryenin: “Si do të jetë?”, “Çfarë të veçantë ka nga çezmat e tjera?”, “Si  rregullohet mbushja e ujit aty, pa u takuar banorët e dy anëve me njëri – tjetrin?”

      Shumë enigma i zbulova në mbrëmje, duke parë televizor me Nikon që pyetjeve të mia u përgjigjej pa ndonjë kuriozitet të madh. Mbase këtë e kishte bërë me dhjetra herë dhe nuk i bënte më përshtypje. Çezma kishte qenë aty, që kur kishte lindur njeriu, por rëndësinë e kishte marrë kur u vendos aty kufiri, me padrejtësitë e njohura tashmë ndaj palës sonë. Sipas marrëveshjeve të shumta dypalëshe, një orë paradite dhe një orë pasdite duhet të mbushte ujë pala jonë. Të gjithë fshatarët në rresht për një, si ushtarët dhe po ashtu në orë të ndryshme, po dy herë në ditë, pala tjetër. Ushtarët dhe oficerët nuk pengoheshin të shkonin aty në çdo orë të ditë – natës, veçse nëse në çezmë ndodhej njëra palë, sapo shikonte që nga pala tjetër nisej për në çezmë, duhet të largoheshin menjëherë, pasi nuk lejohej asnjë kontakt. Të drejtë kishim vetëm të shikoheshim me njëri – tjetrin në largësi.

      Atë bëra edhe unë të nesërmen. Mora dylbitë, gjeta një pozicion që nuk dukesha nga ana tjetër dhe me kuriozitet shikoja ç‘bëhej andej. Në fund të ditës, u bëra pishman që vëzhgimin e kisha kryer imtësisht. Kjo sepse disniveli i jetës së përditshme midis atyre dhe neve ishte aq i madh, sa më krijoi një dhimbje në shpirt. Ushtarët e tyre ishin të veshur me gëzhupa modernë, ndërkohë që ushtari ynë kishte vetëm benevrekë dhe këmishë fanellate, një triko disi të trashë, gjimnastorkën dhe kapotën e leshit të dhisë.

      Ushtari ynë e kishte të përcaktuar ushqimin tre vakte në ditë, njëra nuk ndryshonte nga tjetra, në mëngjes fasule, në drekë mish i thënçin me pilaf dhe në darkë djath e çaj, ndërkohë që ata, veç ushqimeve me disa pjata që u servirej në mencën e repartit tre herë në ditë, në dy mesvaktesh, zakonisht në orën 10 paradite dhe 17 mbasdite, u nxirrte kapteri i repartit disa kuti ushqimi dhe i vendoste në tavolinat e oborrit që çdo kufitar të shkonte të merrte pa limit.

      Vetëm pas demokracisë mësuam se ato ishin molto dhe ushqime të thata, të domosdoshme për një moshë rinore. Ne e dinim që këtë, ata e bënin edhe për të ndezur tek ushtarët tanë ndjenjën e xhelozisë, por atyre nuk u bënte shumë përshtypje kjo gjë. I pashë të gjitha këto, por nuk mund t’ia thoja njeriu se atëherë pas çdo dere, ferre apo njeriu rrinte një syzgjuar që të raportonte tek vendi dhe të vinin më pas byzylykët.

      I shpreha Nikos të nesërmen në mëngjes dëshirën për ta parë nga afër çezmën ndërkombëtare dhe ai më shpjegoi se duhet të shkoja aty pas mbarimit të ritualit të mbushjes së ujit nga pala e tyre, që ishte pas ritualit tonë.

      Prita orarin dhe kur pamë se ata në shumicë po largoheshin, komandanti më dha një ushtar për të më shoqëruar dhe u nisëm. Rrugës mësuam se me njëri – tjetrin ishim bashkëpatriotë dhe ushtari, Petraq e quanin, kishte mbaruar vetëm shkollën 8 vjeçare. Ishte një çun simpatik në paraqitjen fizike, por shumë enigmatik në fizionominë e fytyrës. Teksa dukej i qeshur dhe i qetë, të jepte ca përgjigje kur e pyesje, sa të mbushte mendjen se nuk kishte aq shkollë sa të kishte thënë. Megjithatë ishte i lezetshëm në komunikim dhe kjo ma lehtësoi rrugën deri tek çezma. Kur shkuam të hapnim portën e kufirit, ata nuk kishin kufi me tela me gjemba, siç e kishim ne, pamë se tek çezma ishin ende tre uniforma ushtarake të atyre.

      – Bëjmë sikur vonohemi tek hapim portën – më tha Petraqi dhe krijoi vetvetiu ca zhurma që tingëllonin më shumë se zakonisht.
      – Po sikur ata të vonohen? – më zuri mua meraku.
      – Jo, jo nuk vonohen se kështu është një rregull i pashkruar, që kur të na shikojnë ne duhet të largohen, ashtu siç veprojmë edhe ne – më shpjegon me një siguri që të bënte me zili Petraqi.

      Pa mbaruar ne bisedën, ata u larguan.

      Ne shkuam drejt çezmës. Për mua ishte një zhgënjim i madh. Kushedi se ç’e mendoja atë çezmë, nisur nga emërtimi “ndërkombëtare”. Në të vërtetë, ajo ishte një çezmë fare e zakonshme dhe jashtë përfytyrimit tim. E kisha menduar se rubinetat e tyre do të ishin më të lezetshme se tonat, ashtu siç edhe tjegullat e të gjitha shtëpive të tyre shkëlqenin në krahasim me pllakat e gurit që mbulonin shtëpitë e anës sonë. Mendoja se edhe dyshemeja e pjesës së tyre do të ishte e shtruar me pllaka porcelani, kurse pjesa jonë do të ishte direkt e në tokë, por në tokë ishte edhe pjesa e tyre.

      Kisha përfytyruar se ata mbushnin ujë në kushte më të mira se kushtet tona, ashtu siç më lartë ishin në dukje në të gjitha kushtet sociale, por kisha gabuar. Katër lëfytet, afërsisht njëzet centimetrash dilnin nga një punim pothuajse katrorë betoni, në përmasat afërsisht dy me dy. Dukej se fundi i lëfyteve ishin lidhur në burimin që nuk dukej, ndërkohë që pas lëfyetave, uji derdhej në përrua për të shkuar në lumin fare pranë. Dukej që e njëjta dorë e kishte punuar të gjithë këtë vepër që vetëm artistike nuk mund të quhej. Në mes të masës së betonit lart ishte një vijë e lyer me bojëqielli.

      Po kjo?! – i thashë Petraqit për vijën e lyer.
      Aty ndahet kufiri – më shpjegoi ushtari.

      Unë kisha hipur mbi beton me këmbët në tokën tonë. Në të përpjetën që të çonte në postën e tyre, ishin gati në fund tre ushtarët dhe komandanti i tyre. Pashë se shikonin vëngër nga ne, po nuk e ndalën lëvizjen. Mata me sy edhe distancën që ishte pothuajse 30 – 40 metra dhe se ç’më hipi në kokë një dëshirë e marrë të bëja një shaka me shumë kripë e zarar me ushtarin. Me ushtarin që hante në mëngjes vetëm një pjatë fasule, që dilte orë e pa orë në shërbim të mbrojtjes së tokës mëmë. Ushtarit që kishte të veshur vetëm benevreke dhe këmishë fanellate dhe isha i sigurtë se natën dridhej nga të ftohtit. Ushtari ynë e shikonte përditë ndryshimin midis tij dhe ushtarëve të tyre dhe mallkonte veten që ishte në këtë anë dhe ëndërronte në gjumë, sikur edhe ai hante nga ato kutitë mbështjellë me celefon që hanin ushtarët matanë kufirit dhe të vishte të paktën vetëm njëherë edhe ai xhupin që vishnin ata.

      Nuk e di ku e gjeta guximin t’i thoja një ushtari, ndonëse bashkëpatriot, por që unë e takoja për të parën herë atë, që nuk do guxoja ta thoja tjetërkund, madje as vetes sime.

        – Po sikur unë të kaloj këtë gjënë e bojëqiellit (e kisha fjalën për vijën ndarëse të kufirit mbi çezmë) dhe të nisem përpjetë për tek ata, ç’do të bësh ti, o ushtar?

        Me një qetësi olimpike, ushtari me emrin Petraq, mbiemrin e të cilit nuk e mësova kurrë, më vështroi drejt në sy dhe ndërkohë lëvizi pak, fare pak armën dhe më tha:
        – Shko deri ku të mundesh, o komandant, shko deri ku të të hanë këmbët, por unë kam aq kohë sa të të qëlloj me këtë armë (dhe i ra lehtë armës, si ta kishte pjesë trupi), do të marr në krah, do të të sjell përkëtej asaj vije bojëqielli dhe do të ulem përsëri këtu ku jam tani, do pres të vijnë të më marrin shokët dhe të bëhet ç’të bëhet me mua.

        Pushoi pak dhe foli përsëri ngadalë – ngadalë, sikur të dridhte një duhan cigare:

        – Unë e dua Atdheun tim, o komandant dhe nuk mund ta tradhëtoj atë. Ashtu siç nuk do të lë ta tradhëtojë dhe asnjë tjetër sa të jem në këtë detyrë që më kanë caktuar. Ashtu më kanë mësuar në familje. Unë e dua Atdheun tim dhe tokën e tij. Ashtu siç e do edhe ti, paçka se me komandantin tim ju hëngrët nga pesë pjata me ushqim dhe ne ushtarët vetëm nga dy.

        Ushtari kishte të drejtë. Ne ndoshta nuk e donim më partinë. Ne kishim filluar të përgojonim veprimet e barkfryrëve që na vinin e na flisnin me zjarr për partinë, teksa krekoseshin me kollare dhe u skuqeshin faqet nga të ngrënit. Ne nuk ishim dakord me ato padrejtësi që kishin kohë që po ndodhnin, por ne e donim tokën tonë amtare, donim Atdheun tonë që na e kishin copëtuar padrejtësisht monarkitë e Ballkanit.

        BIOGRAFI

        Vangjel Sako ka lindur në Urë Vajgurore (sot i quajtur Dimal), në Kuçovë, Berat, më 6 gusht 1959, rritur në Çiflik, nga prindërit e mrekullueshëm Lefterì dhe Llambi Sako. Ai ishte vëllai i vogël i Apostolit dhe Agimit, të cilët prehen në dritë të kujtimit të familjarëve të tyre, si dhe vëllai i motrës së vetme, Marildës.

        Vangjel Sako kreu Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej”, Tiranë gjatë viteve 1974 – 1978, ku fitoi aftësi teorike dhe praktike për kuadër ushtarak.

        Gjatë viteve 1979-1982 kreu Akademinë Ushtarake, Tiranë (ish-shkolla e Lartë e Bashkuar e Oficerëve “E. Hoxha”, Tiranë, ku duke fituar aftësi teorike, praktike dhe kërkimore në fushën ushtarake, në degën Artileri Kundër Ajrore (AKA), u titullua oficer.

        Në vitet 1982 – 1994 punoi oficer në detyra të ndryshme në Divizionin e Kukësit,  ndërsa në vitet 1994 – 1996 punoi oficer me detyra të ndryshme në Divizionin e Fierit.

        Fillim viti 1996 qe i egër për armatën e ushtarakëve, por Vangjeli nuk ra, diti të ecte, të orientohej, të riformatohej. Mori rrugët e kurbetit për në Belgjikë familjarisht. Por, edhe pse nisi ta ndërtonte mirë jetën në mërgim, atë e digjte malli për Atdheun, sepse kishte dhe ndjente çdo çast një dashuri të vërtetë për vendlindjen. Shpesh më thoshte: “Kurbeti të bën me para për të jetuar normalisht, por s’ka si vendlindja, s’ka si Çifliku, si Vlora, si Fieri, si Tirana, si Shqipëria”. Kujtojmë që qysh nga vitet 1979-2023 ka kryer trajnime të ndryshme edhe në fushën ushtarake, edhe në atë të gazetarisë, brenda dhe jashtë vendit.

        Vangjel Sako u martua në 25 qershor të vitit 1989 me Kalikën, ku si fryt i martesës erdhën në jetë dy fëmijët Florjani dhe Arjola, me të cilët nuk janë vetëm prindërit e tyre krenarë, por edhe Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, ku ata u shkolluan si studentë shembullorë me rezultate të shkëlqyera.

        Sot, Arjola e Flori plotësojnë amanetin e babait të tyre, sepse pasionin për letërsinë Vangjeli ia la vajzës. Ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeçe, kur Arjola na dhuroi librin e saj të parë “Para pasqyrës së dëshirave” dhe kujtoj që i botova një shkrim në një gazetë qendrore në Tiranë, me titullin “Një pulëbardhë Vlore mbi detin e estetikës”. Gjithashtu, para maturante, Arjola na dhuroi një tjetër libër simpatik me ese – rrëfime me titullin “Qielli është limit”.

        Vangjeli ishte njeri korrekt dhe i përgjegjshëm, i aftë të përshtatej dhe të bashkëpunonte në mënyrë të shkëlqyer në grup. Kishte aftësi të mira organizative, dinte të menaxhonte burimet njerëzore dhe materiale në mënyra efikase dhe efiçente. Kishte aftësi studiuese, komunikuese dhe marrëdhënie të shkëlqyera sociale dhe profesionale, që dinte t’i krijonte aq bukur me njerëzit. Njihte karakteret e njerëzve dhe futej në botën e tyre, njihte psikologjinë e tyre dhe futej në lëkurën e tyre. Ai ishte bamirës dhe ka ndihmuar shumë njerëz në nevojë apo u ka zgjidhur probleme të ndryshme që u dilnin në jetë, në punë, me pushtetin, me politikën etj., sepse ishte trim i fjalës së drejtë. Ai fliste aq me dashuri me një tropojan, me një kuksian, me një skraparlli, me një fierak, me një dibran, me një himariot, me një lab, me një myzeqar, me një shkodran, me një gjirokastrit, me një delvinjot, me një korçar, me një lushnjar, me një kavajas, me një elbasanlli, sikur ta kishte nga Kuçova e tij, nga Çifliku, me zemër të hapur, si vëlla, sikur të hidhte “sirën” me mirësinë e tij humane…

        Vangjel Sako i dha fytyrë të re dhe qytetare gazetarisë në Vlorë, Fier e Tiranë. Ai ka qenë gazetar / opinionist në gazetën qendrore “Sot”, Tiranë nga viti 2003 – 2023;  po ashtu, në këtë periudhë kohore ka punuar si gazetar / opinionist në radio “Val’ e Kaltër”, Vlorë; ndërsa në vitet 2005 – 2018 gazetar, korrespondent i TV Apollon Fier për Vlorën.

        Vangjeli qe gazetar i terrenit dhe njeri i ideve vizionare, publicist e polemist i drejtë, korrekt dhe serioz, ndërkohë që humori i tij me spec ishte, sa thumbues aq shërues.

        Një ndihmesë të shquar Vangjel Sako ka dhënë si drejtor në Gazeta “Albania Times”, nga dita e themelimit të saj në qytetin bregdetar, deri sa gazeta u mbyll dhe fatkeqësisht, sot në Vlorë s’ka asnjë gazetë të botuar, edhe pse kujtojmë që Vlora e viteve 1912 – 1920 kishte dy gazeta me peshë kombëtare.

        Vangjel Sako ishte një shkrimtar  kërkues, shumë i rreptë ndaj vetes, që ndjente neveri ndaj mburrjeve tullumbaceske. Ai, qysh nga vitet 2015, kishte përgatitur një libër me prozë letrare, të cilën ma dorëzoi mua me besim për redaktim dhe libri ishte gati për botim në vitin 2017, por ai nuk e botoi sa qe gjallë, sepse kishte merak, si do të pritej nga lexuesi. “Dua ose të dal, ose mos të dal fare” – mundohej të më bindte, kur këmbëngulja ta botonte librin, sepse i përmbushte kriteret e duhura letrare.

        Libri titullohet “Jeta në pjatancë”, është një vëllim me 20 tregime dhe pas gjashtë vitesh ndodhet midis duarve tuaja, për ta shijuar, për ta bërë pjesë të jetës suaj, për të lexuar realitetin parë dhe përjetuar në sytë e Vangjelit.

        Vlen të përmendim se autorit V. Sako, përvoja gazetareske i vjen në ndihmë për krijimin letrar, pa ngatërruar formacionin shkrimor të secilës gjini, sepse vërtet kanë afri letërsia me gazetarinë, por tjetër zhanër është proza letrare dhe tjetër publicistika me nëndarjet e saj si publicistikë filozofike, sociale apo letrare etj.

        Sako ka kulturë komunikimi, brum letrar dhe realizon vëzhgim deri në detaj për të disaquajturat imtësira të padukshme, të parëndësishme, por autorit i vlejnë për tipizime profilesh të personazheve që prodhon. Në fakt, personazhet e tij, në të shumtën e tregimeve, janë persona realë të letrarizuar, që i përkasin jo më botës së vogël të një reparti ushtarak në Veri apo në Jug, të një shoqërie, vëllazërie, profesioni, lagjeje, ndërmarrjeje, sporti, porti, a një qyteti, por futen natyrshëm në botën e madhe të artit, të letrave.

        Profilin profesional, letrar, kulturor e njerëzor të autorit të vlonjatizuar nga Kuçova Vangjel Sako do ta paraqesim me një shprehje të tij: “Duke jetuar pranë detit jam bërë si ai”…

        Familja e mrekullueshme e gazetarit, shkrimtarit, ish-majorit dhe shahistit Vangjel Sako ishte dhe është model për shoqërinë tonë; miqësia jonë me të – krenari për ne.

        Por Xheka ynë i dashur, na iku si një ëndërr e bukur me ideale të larta më 28 shkurt të vitit 2023. O Xheka ynë, vëlla shpirti dhe ideali Vangjel Sako! Fluturofsh në krahët e bardhë të Kujtesës sonë përjetë! Qofsh i dritës! I paharruar!

         

Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit promovon destinacionet turistike të Kolonjës

Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë pikturuar vendet më të bukura

Simpoziumi Ndërkombëtar i Artit promovon destinacionet turistike të Kolonjës

Nën kujdesin e piktorit të njohur Helidon Haliti, artistët kanë pikturuar vendet më të bukura

Liri përmes Artit II, si liria përmes ëndrrës

Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore

Myslimanizmi lirik

imami Abdullah Kolgjini krijoi këtë "lehva" të dashuruarish në xhaminë e Floqit