
Më në fund Shqipëria ka një Mbretëreshë!
Monumenti i Teutës është realizuar nga skulptori Julian Muçollari, me iniciativën e gazetarit Marin Mema

Nga Helidon Haliti
MË NË FUND, SHQIPËRIA KA NJË MBRETËRESHË!
Dhe jo një mbretëreshë të ardhur nga përrallat, por një grua që vjen nga thellësia e historisë sonë, nga një kohë kur Iliria kishte fron, ushtri, det, krenari dhe sovranitet.
Teuta, Mbretëresha e Ilirisë!

Ajo i kishte ilirët si bijtë e saj. Se e bija e kujt ishte, historianët le të vazhdojnë ta kërkojnë mes dokumenteve, burimeve dhe mjegullës së shekujve. Sot rëndësi ka se, pas më shumë se dy mijë vjetësh, ajo është ringjallur në bronz, në zemër të Lezhës.
Dhe Lezha nuk është një qytet çfarëdo. Është një nga ato vende të rralla shqiptare ku historia nuk ka nevojë të shpiket për t’u shitur si turizëm. Ajo është aty. Në gur, në kujtesë, në varre, në kala, në rrugët e qytetit. Një qytet që vitet e fundit po administron me kujdes identitetin e vet dhe ku ndihet se pushteti vendor, me kryetarin në krye, e ka kuptuar se historia nuk është dekor, por kapital kulturor.
Thonë se është fat të jesh lezhian. Ndoshta sepse këtu njerëzit ende dinë të bëhen bashkë kur qyteti ka nevojë për ta.
Por sot nuk dua të shkruaj për rrënjët e Lezhës. Sot dua të shkruaj për Mbretëreshën në bronz.
Monumenti i Teutës është realizuar nga skulptori Julian Muçollari, një djalë i urtë në komunikim, por me një fuqi të pazakontë brenda formës së tij artistike. Kam pasur fatin ta shoh këtë vepër në faza të ndryshme. E kam parë në baltë, kur forma ende mbante gjurmët e gishtave të skulptorit. E kam parë të shtrirë në bronz, ende të pasalduar, si një trup monumental që priste të bashkohej. E kam parë në fonderi, në procesin e gjatë dhe fizik të realizimit, dhe e kam parë edhe pas ndërhyrjeve e shtesave që autori i bëri me këmbënguljen e dikujt që nuk ndahet lehtë nga vepra e vet.
Dhe gjithmonë më ka pëlqyer.
Sot, e ngritur mbi piedestal, ajo fiton dimensionin që vetëm hapësira publike mund t’ia japë skulpturës monumentale.
Teuta nuk është thjesht një figurë femërore e derdhur në bronz. Ajo është ndërtuar si figurë e autoritetit. Vertikaliteti i heshtës e zgjat monumentin drejt qiellit, mburoja krijon peshën e mbrojtjes, ndërsa qëndrimi frontal i trupit shmang teatrin e panevojshëm. Nuk kemi një mbretëreshë që kërkon të na bindë se është e fuqishme. Ajo është e fuqishme.
Kjo është ndoshta arritja më e rëndësishme plastike e veprës.
Monumentaliteti nuk është vetëm çështje dimensionesh. Është raporti mes formës, hapësirës, kujtesës dhe publikut. Një skulpturë mund të jetë gjigante dhe të mbetet e vogël. Një tjetër mund të jetë e përmbajtur dhe të pushtojë të gjithë sheshin. Teuta e Muçollarit kërkon pikërisht këtë të dytën: të krijojë prani.
Dhe sot Lezha u mbush me qytetarë krenarë. Pashë njerëz të cilëve u ndizeshin sytë. Pashë flamuj. Pashë fotografi që brenda pak orësh nisën të qarkullojnë kudo. Skulptura filloi menjëherë jetën e saj të dytë, atë që nuk i përket më skulptorit, por publikut.
Kjo është prova e vërtetë e një monumenti.
Sepse monumentin e përuron një ceremoni, por e legjitimon koha.
Dhe sot ndodhi diçka edhe më interesante.
Mbretëresha papritur pati shumë baballarë!
Atë që e mendoi.
Atë që e propozoi.
Atë që e financoi.
Atë që e miratoi.
Atë që e projektoi.
Atë që e realizoi.
Dhe, në fund, popullin që e pranoi.
Sa bukur!
Për një herë le të ketë shumë baballarë një vepër e mirë. Sepse ndoshta kjo është pikërisht ajo që na mungon: të bëhemi bashkë jo vetëm për të kundërshtuar, por edhe për të ndërtuar.
Dhe sot një popull i tërë mund të përkulet simbolikisht përpara një gruaje.
Jo përpara një gruaje të dobët, por përpara një Mbretëreshe që, më shumë se dy mijë vjet më parë, guxoi të qëndronte në krye të një fuqie ilire dhe të përballej me botën e kohës së saj.
Por këtu dua të kthehem dy mijë vjet pas dhe, njëkohësisht, të vij menjëherë në ditët tona.
Sepse në qendër të Shqipërisë së dy mijë viteve më parë, ndërsa përurohet shtatorja e një miti të lashtë, mes njerëzve ecën edhe një djalë i kohës sonë, i cili prej vitesh kërkon nën tokë, mbi male, në rrënoja, në dokumente e në kujtesën e njerëzve atë Shqipëri që shpesh ne vetë harrojmë ta shohim.
Marin Mema.
Dhe këtu historia krijon një paradoks të bukur.
Ne sot ngremë në bronz një figurë që erdhi nga historia, ndërsa pranë saj ecën një njeri i gjallë që prej vitesh përpiqet t’ia rikthejë historinë shqiptarëve.
Ndoshta monumentet nuk u përkasin vetëm të vdekurve.
Ndoshta miti nuk lind gjithmonë dy mijë vjet më parë.
Ndonjëherë ai lind përpara syve tanë, ecën mes nesh, plaket me ne dhe vetëm brezat që vijnë vendosin nëse ishte vërtet i tillë.
Sot Teuta u kthye në Lezhë.
Një Mbretëreshë mbi piedestal.
Një qytet krenar poshtë saj.
Një skulptor që i dha trup bronzit.
Një komunitet që i dha jetë monumentit.
Dhe diku mes turmës, një djalë i sotëm që kërkon prej vitesh gjurmët e shqiptarëve të djeshëm.
Teuta erdhi nga miti në bronz.
Marin Mema po udhëton nga e sotmja drejt mitit të së ardhmes.
Koha do ta thotë fjalën e fundit.















