
Kleo Nini – Një jetë mes filmit dhe pikturës!
Ekspozita e piktorit të mirënjohur Kleo Nini është e hapur te Galeria e Artit Tiranë

Nga Genti Gjikola
Kurator i ekspozitës

Ekspozitat retrospektive shpesh ndërtohen mbi një supozim a priori se ekziston një vepër qendrore, një medium dominues, një identitet i vetëm krijues rreth të cilit mund të organizohet e gjithë karriera e një artisti.

Në rastin e Kleo Ninit kjo qasje rezulton vetëm pjesërisht e vërtetë. Edhe pse publiku e njeh kryesisht si piktor peizazhi, një vështrim më i kujdesshëm mbi krijimtarinë e tij na tregon një figurë më komplekse, të vendosur në kryqëzimin e disa praktikave: pikturës, vizatimit, kostumografisë, posterit filmik dhe kinemasë.
I diplomuar për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë në vitin 1968, Nini i përket një brezi artistësh që u formuan në një sistem ku kufijtë ndarës ndërmjet arteve klasike dhe atyre të aplikuara ishin më të lundrueshëm sesa sugjerojnë sot kategoritë tradicionale të historisë së artit. Për dekada Kleo Nini punoi në Kinostudion “Shqipëria e Re”, në një mjedis ku vepronin disa nga emrat më të rëndësishëm të kulturës pamore shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX. Për shumëkënd, Kinostudio nuk ishte thjesht një vend pune, por një laborator kolektiv ku takoheshin piktorë, kostumografë, skenografë, fotografë, regjisorë dhe operatorë, dhe ku imazhi ndërtohej si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm.
Dhe një nga çelësat për të kuptuar krijimtarinë e Ninit qëndron pikërisht në këtë fakt. Kleo nuk i përket figurës romantike të piktorit të izoluar në studio sepse puna e tij u zhvillua në lëvizje konstante mes xhirimeve, udhëtimeve, peizazheve, Jugut, Veriut, kostumeve për t’u dizenjuar dhe skenave për t’u ndërtuar. Si rrjedhim, vizatimi për Kleon nuk ishte thjesht një mjet paraprak për pikturën që do të ndiqte më pas, por mënyra më e drejtpërdrejtë se si ai e mendonte dhe regjistronte botën.
Kjo bëhet menjëherë e dukshme në dhjetëra skica, kostume dhe vizatime të realizuara gjatë dekadave, të cilat nuk kanë karakterin ceremonial të veprave të destinuara për ekspozim. Janë punë të lindura nga nevoja, gjë që kuptohet menjëherë nga formati i vogël dhe përmasat modeste të letrës.
Merr nga vizatimet e tij këdo prej punëve: një gji deti, një mal, një kthesë lumi, një profil, një teknik filmi, një grup njerëzish në pritje: linja e vizatimit, si me laps, si me penë, si me stilolaps, shfaqet me një siguri të habitshme pa kërkim të gjatë, pa korrigjime të tepërta. Tek vizatimet e lira të Ninit shfaqet dukshëm ekonomia e mjeteve, qartësia strukturore dhe aftësia për të reduktuar një formë komplekse në elementet e saj thelbësore.


Nuk është as e tepërt as e ekzagjeruar ta themi se vizatimi nuk duhet parë si periferia e krijimtarisë së tij, por si baza nga e cila lind më pas piktura.



Kostumografia e Ninit e mbështet akoma më tej këtë vëzhgim. Në këto fletë nuk kemi të bëjmë me manekinë të veshur në mënyra të ndryshme, një monotip mbi të cilin vishen e zhvishen kostume, por me personazhe reale – aktorë në role – që ekzistojnë me forcë që në letër përpara se aktori t’i luajë në film dhe përpara se filmi të shfaqet. Nini ndërton karaktere të dallueshme përmes siluetës, kombinimit të veshjes, dizenjimit të përkorë, ngjyrës dhe qëndrimit të trupit. Në pak vija – të cilat shumicën e kohës janë realizuar vetëm me një lëvizje lapsi – ai arrin të sugjerojë moshën, profesionin, përkatësinë shoqërore, klasore, ideologjike dhe temperamentin e figurës. Kjo aftësi e tij i afron këto vizatime të Kleo Ninit me traditën më të mirë të ilustrimit dhe dizajnit figurativ europian të shekullit XX.



E njëjta inteligjencë vizuale shfaqet edhe në posterat e tij filmikë. Veçanërisht domethënës në këtë ekspozitë janë disa nga variantet e realizuara për filmin Kthimi i Ushtrisë së Vdekur (1989), ku fotografia, kolazhi, tipografia dhe vizatimi bashkohen në kompozime me një forcë të pazakontë për kontekstin shqiptar të kohës. Të krijuara në prag të ndryshimeve politike të viteve 1990, këto punë dëshmojnë jo vetëm kulturën grafike të autorit, por edhe aftësinë e tij për të sintetizuar atmosferën morale të një vepre letrare dhe filmike në një imazh të vetëm. Në to ndjehet një afërsi me traditat e modernizmit grafik europian, ndërsa toni i errët dhe meditativ i përgjigjet në mënyrë të përkryer botës së Kadaresë dhe Anagnostit.



Përballë këtij materiali, pikturat e Kleos marrin një kuptim tjetër duke u vendosur në raport me pjesën tjetër të krijimtarisë. Peizazhet e Ninit nuk janë studime atmosferike në kuptimin klasik të fjalës. Shpesh, të ndërtuara nga një pikë-pamje panoramike, ato funksionojnë si reduktime vizuale të natyrës. Kodrat, pemët, fshatrat dhe brigjet organizohen në masa të mëdha ngjyrash dhe ritmesh. Në veprat më të arrira, piktura duket sikur ndërtohet ende nga logjika e grafistit, por me ngjyrat e vajit, diçka e afërt me postimpresionizmin, por jo në sensin francez.
Kjo ndoshta shpjegon edhe një paradoks interesant. Megjithëse piktura përbën pjesën më të njohur të krijimtarisë së tij, nuk është domosdoshmërisht aty ku individualiteti i tij shfaqet më fuqishëm.
Nini bëhet akoma më i dallueshëm si artist në vizatime, në kostume, në skica dhe në një mori posterash të mrekullueshëm për kohën. Po e përsëris: për Kleo Ninin mendimi artistik ekspresiv kalon drejtpërdrejt nga syri te dora.
Ndaj, kjo ekspozitë paraqet portretin e një artisti që kaloi një jetë të tërë duke lëvizur ndërmjet pikturës dhe kinemasë, ndërmjet peizazhit real dhe botës së imagjinuar të filmit. Në fund, mediumet ndryshojnë, funksionet ndryshojnë, por diçka mbetet e pandryshuar: besimi i palëkundur i Ninit te linja e vizatuar si mjeti më i drejtpërdrejtë i njohjes së botës.


Jo te një pikturë e vetme, as te një seri skicash, e as te një poster i vetëm filmi, por te ajo nevojë e vazhdueshme për të vizatuar, skicuar e pikturuar pa ndërprerje gjendet thelbi i veprës së Kleo Ninit.
Bio
Kleo Nini lindi në Palokastër (Gjirokastër) më 15.12.1943. Mbaroi studimet në Institutin e Lartë të Arteve në vitin 1968 dhe filloi punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku do të punonte për 25 vjet si piktor filmi. Krahas punës së tij në këtë institucion, vazhdoi krijimtarinë artistike edhe si piktor. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, ai mori pjesë në mënyrë sistematike në ekspozitat kombëtare dhe ndërkombëtare të organizuara deri në vitet 1990.
Ndër tablotë e tij kompozicionale përmendim: “Komunistët nuk dorëzohen” (1968), “Blegtorët” (1973), “Barinjtë” (1974), “Brezat” (1975), “Kallëzat” (1976), “Aksionistet”, “Kukësi i Ri”, “Këmishët me dyllë” (1983), “Në poligon” etj., shumica e të cilave ruhen në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Tre ekspozita personale përbëjnë një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë së tij artistike, përkatësisht në vitet 1989, 1992 dhe 1993. Gjinitë kryesore që lëvroi gjatë krijimtarisë së tij ishin kompozimi, portreti dhe peizazhi.
Pas vitit 1993 u largua nga Shqipëria për në Greqi, ku veprimtaria e tij artistike vazhdoi në një drejtim tjetër, si piktor dhe pedagog i pikturës bizantine. Pas kthimit në Tiranë, vijoi veprimtarinë e tij krijuese.












