
Paralajmërime Pikturash-Andrra (Dream Painting Warnings)
Ekspozita “Komunikimi” e piktorit të mirënjohur Agron Bytyçi, e hapur te Galeria FAB

Nga Prof. Asc. Dr. Zef Paci,
Historian i Artit
Ndër andrrat që trazojnë pavetëdijen e Agron Bytyçit, banojnë trazimet e zhgjandrrave të tij. Ai rrëfen se përgiatë tanë jetës, dy andrra i faniten pa ia nda: andrra e paraluftës dhe e mbasluftës. Akti i të pikturuemit pa prâ skena të përafërta (jo të njëllojta) andrrash, ndoshta asht pyetja për zgjedhjet e asaj çka do të kishte dishrue prej jetës. E ai, i ka ba disa zgjedhje përfshimjet, përkatsijet e kahut në jetë e në art.

Prirja artistike e autorit, me anë të simbolikës së çuditshme, me copëzimin e peizazhit të mistershëm, lëviz në territorin e surrealizmit. Në rininë e tij, gjatë kohës së studimeve akademike, por jo falë tyne, ai asht ndeshë me të e asht ndi i joshun prej tij. Figurativiteti surrealist mund të ketë marrë një shtysë fillestare edhe në reagimin kundërshtues ndaj imponimit të kahut të akademisë, një divergjencë, jo aq e pazakontë në fushën e shkollimit artistik. Në atë mjedis shkollor ku mbizotnonte tradita abstrakte, studenti-artist ose e përqafon, ose e refuzon dhe zgjedh një rrymë figurative që asht po aq “radikale”. E surrealizmi, në këtë kuptim, bahet për të një formë kundërshtie e rebelimi, dhe një gjuhë për të rifitue imagjinatën vetjake.

Pak mbas përfundimit të shkollës, mbërriti lufta plot travajë, e ndoshta duhet me thanë se autori u përfshi në të, prej fillimit deri në fund, tue u shenjue fort prej përvojave të thekshme të saj. Kohët e fundit i shmang kontaktet me shokët që i kujtojnë luftën. Ia ka frikën, e dron se ajo mund të jetë afër. Atëherë ngulmon me këto imazhe të thekshme. Pësimi një gjendje afazie që buron edhe prej këtyne shqetësimeve (ptsd) e shtyn me pikturue kësisoj. Krijimtaria e tij vijon ndër vite me ngulm drejt këtij kahu. I qëndron një maniere që i detyrohet vizioneve të Dalisë, takimi me të cilin ka përba një soj zbulese. Gjithashtu edhe hijeve të atij stimmung-u që formësonte metafizikën e De Chirico-s. Merr ‘arratinë’ në hapësinën e andrrës tue përjetue hapësinat e vegimeve të pavetëdijes si një realitet konkret. Për kohë të tana, për të nuk bante dallim ku mbaronte andrra e ku fillonte zhgjandrra. Aty gjehen edhe elemente ekspresioniste (ulërimat, deformimet emocionale, theksimi i dhimbjes ose ankthit njerëzor) si edhe konceptuale (metafora të ikjes, barrës e kontrollit shoqnor, fragmentarizmit identitar).

Fminia e tij ka kalue në një zonë me nji prani të ndjeshme të qiellit, e për pasojë, edhe të shkulmeve të reve e vazhdave të avionëve. Aty nalt asht ma të shumtën hapësina ku i gjejmë të vendosun edhe personazhet e tij onirikë. Skena bahen objekte arkitekturorë e skenografikë si trupa të shkëputun që, tue sfidue ligjet e randesës, çohen pezull në ajër. Objektet kryesore janë blloqe guri apo struktura arkitekturore të ngjashme me skenografi absurde, me ndërtesa primitive që nuk kanë funksion si hapsina banimi… janë ma afër formave të kujtesës sesa të jetesës. Këto blloqe shpesh duken si rrënoja, segmente qytetesh të harrueme. Prania e tyne asht njëherësh sa e pakuptimtë, aq edhe plot kuptime të mshehta e të paspjegueshme. Po aq të mistershme janë dritaret, të cilat nuk funksionojnë si hapje të njëmendta por simbolike, të ngjashme me sytë e ftyrave të kahershme në pikturat e tij. Zogjtë që hyjnë e dalin prej këtyne dritareve-sy, nuk janë dekorativë, ata sugjerojnë shpresë për komunikim, lëvizje të brendshme, sheja e diçkaje të gjallë mbrenda inertes, shpirtna që kërkojnë dalje prej landës së ngurtë.
Nuk bahet fjalë për një hapsinë reale por psikike: një vend dislokimi ku kujtesat dalin prej mjegullës e shkojnë përpjetë. Struktura e hapësinës pret një skenë teatrale të kthyeme në një platformë rituale ku ekspozohen personat, herë të vendosun në podiume e herë të kllaposun mbrenda panelesh si “dhoma andrrash”. Kjo gjeneron ndjesinë e një teatri mental, ku çdo figurë asht simbol, jo karakter. Në pikturat shfaqen struktura si kuti, kasa gjeometrike, të zbrazuna ose të mbushuna me krena njerëzish. Objektet teknike, gjeometria, rrjetat lineare të botës standard, pilulat, objektet sferike, ngjyrat artificiale përcjellin jetën urbane të modularizueme. Trupa të vegjël sferikë a ovoidalë, sillen si molekula të shkëputuna rreth krenave e objekteve në vorbulla divergjente tue i shpërba.
Kjo tipologji e rranjosun te ky artist afron me psikologjinë bashkëkohore tue i evokue kutitë si seksione të mendjes, dritaret si të çame ku depërton ankthi, e panelet si fragmentime të identitetit. Artisti rreket me shpërfaqë një arkitekturë të mbrendshme të ndërgjegjes, një lloj “laboratori” psiko-emocional që shfaqet si skenografi.
Ajo çka mbisundon përherë në të gjithë këto peisazhe e struktura të ciklit piktorik, asht prania njerëzore. Ajo përbahet nga personazhe enigmatikë të ardhun prej kohësh të ndryshme. Kryesisht janë krena përmasash të ndryshme, me një laryshi ftyrash mashkullore e femnore që të shfaqun në plan të parë dhe në sfond. Fizionomia e tyne të çon ndërmend diçka prej largësisë a ftohtësisë së busteve të hyjnive të lashta, prej kujtimeve stërgjyshore nga mite e përralla. Këto ftyra flasin për një të kalueme që nuk zhduket, për një mbikqyrje të heshtun, një prani e fortë që vijon me banue andrrat e autorit. Prandej ato thuejse nuk kanë të bajnë me individë realë por me kujtesën e territoret mendore, dhe mund të interpretohen si autoritete të humbuna apo figura kolektive. Moria e ftyrave përban një heterarki arketipesh, dëshmitarësh, vëzhguesish, fantazmash, variantesh të vedit, zanesh të mbrendshëm, në zgrip ndërmjet patologjisë e një poezie psikike. Të trajtuem herë si pirgje blloqesh arkitekturore, si ngrehina, makineri a pjesë robotike, ato nënkuptojnë teknologjizimin e njeriut si një strukturë e programueme dhe hupjen e njomësisë emocionale. Shtresëzimi ndodh ma së shumti në zonën e kokës si një fragmentim i mendimit e vetëdijes. Një botë e fragmentueme ku komunikimi, identiteti e trupi njerëzor janë të ndamë në module, të thyem ose të mbyllun. Ankthi lind nga ndamja, dualiteti ndërmjet njerëzores dhe mekanikes. Njeriu i epokës moderne montohet me pjesë. Krenat e figurat janë të ndamë në copa, të shtresëzuem me ndërkallje objektesh të hueja (zëvendësimi i mjekrës nga tubacione, kapsula, fije, e copa inerte) gja që përcjell deformimin emocional nën trysninë e kohës, teknologjisë e shoqnisë.
Personazhet, duke ruejtë diçka solemne, në caqet e patetikes e të kitch-it, të denatyruem si skulptura a manekinë plastikë, kthehen përnjimend në muza shqetësuese . Ftyrat e tyne evokojnë edhe maskën (prosopon). Duket se përbahen prej landësh të ndryshme, herë të ngurtësueme e herë të shkrifta. Herë afrohen me një landësi solide shkambore e herë largohen përmbi horizont, të kthyeme në pareidolí resh. Secila asht e lyeme me një ngjyrë të vetën e cila, tue saturue këtë repertor të hershëm, paradoksalisht duket e sotme, industriale, si prej pantonesh kromatike virtuale. Tue ruejtë një ftoftësi cilësuese, ato krijojnë një atmosferë pezullie.
Mbrenda kësaj gjendjet disa prej krenave hapin gojët, në britma a shfrime emocionale e, nganjëherë që të mundesh me pa edhe mbrenda tyne. Gojët e hapuna përçojnë ndjesinë e një klithme kolektive prej depresionit e alienimit por rezultojnë thirrje të kota, makth i pashprehun… bërtitet por nuk të ndigjon kush. Britma nuk asht komunikim por simptomë. Disa të tjera janë gojëmbyllun e sytë e tyne, herë të zgjuet e herë të fikun, edhe kur janë të drejtuem kah spektatori, si krijesa skizoide, shohin përmbrenda vedit. Në një pikturë, goja e personazhit asht e zhdukun, ajo duket e qetë, heshtja e saj asht e fortë… dhe e imponueme. Pamundsi për me folë e pamundsi me u ndigjue, një tension ndërmjet heshtjes së imponueme e klithmës së pakuptueme, dy anë të krizës shoqnore të komunikimit. Tema shfaqet aktuale nëpërmjet dramatikës së alienimit të personazheve, pamundësisë së tyne me komunikue.
Krenat shofin ose shoqnohen me gjysëmfigura e figura të plota ma të vogla që formojnë grumbuj të ndryshëm. Ato gjenden në një hapsinë të pamundshme, bri do figurash të vogla që ecin me ngarkesa të randa të lidhuna në litarë. Paraqiten në nivele të ndryshme thellësie: në horizont, në mbrendësi të strukturave, tue krijue efektin e një komuniteti fantazmë, një turme të heshtun, që ka të bajë me ndërgjegjen kolektive, trysninë shoqnore e kujtesën historike. Turma asht gjithmonë e pranishme dhe e randësishme edhe pse s’ka një identitet. Ajo asht një publik që nuk artikulon. Piktori thotë se i sheh, ata duen me e çue dikund, duen me i thanë diçka, i bërtasin, por nuk merr vesh kurgja çka donë me i thanë. Personazhet rishfaqen pareshtë me të njajtën mënyrë të shtrueme pikturimi, kuadri përshkohet nga situata haluçinante prej një bote të pazakontë. Trupat e thyem e të montuem si objekte nuk janë organikë, përbahen prej modulesh arkitektonikë, si objekte muzeale, ato më shumë kujtojnë figura arkeologjike të vendosuna në rafte, gja që bjen idenë e fragmentimit të identitetit.
Në një pikturë që duket ceremoniale, mbi një podium ekspozohen tre figura femnore pa individualitet, por me poza koreografike si role, si maska të ndryshme arketipore të identitetit bashkëkohor në një skenë kolektive: qenia si aktore e ekzistencës, e vëzhgueme, e fragmentueme prej së mbrendshmi dhe e ekspozueme prej së jashtmi. Mbas (jo përballë) tyne asht një publik i pafund, i heshtun, që mund të shihet si turma, shoqnia si mekanizëm vëzhgimi, ndërgjegja kolektive. Ky publik, që ngërthen kujtimet, zanet e mbrendshëm, pritshmënitë shoqnore, gjykimet e presionet e tjetrit nuk rrin përballë skenës por mbrenda mendjes së të ekspozuemeve. Publiku që vendohet mbrapa skenës, tue përçue ndjesinë e survejimit, rrxon hierarkinë e teatrit, then marrëdhanien “aktor–shikues”, e kështu tue përmbysë rendin hapësinor, përmbysë edhe atë shpirtnor.
Si ka mundësi që edhe andrrat e tij vijojnë të “ndjekin” formulën surrealiste? Kjo pyetje prek marrëdhanien ndërmjet qëndrimit stilistik të pavetëdijshëm dhe formimit estetik. Pikturat e tij, tue ndjekë oniriken, na thonë se asht e mundun dhe ma e zakonshme nga sa mendojmë meqë pavetëdija jonë nuk asht krejt ‘e pamësueme’ e as një hapsinë amorfe. Ajo ka një gjuhë, e cila formohet nga ajo çfarë kena përshkue e na ka përshkue gjatë jetës. Nëse një artist asht ushqye për vite me ikonografinë e çuditshme të surrealizmit, andrrat e tij do të përdorin të njëjtën sintaksë. Truni e mban në përdorim atë repertor vizual gjithë jetën. Kujtesa vizuale e artistit nuk “modernizohet” me dekret. Nëse një estetikë artistike asht mbrenda pavetëdijes së tij si përvojë personale dhe psikike, ajo rikthehet natyrshëm. Ngaqë formati i imazheve të pavetëdijes stabilizohet gjatë moshës së hershme, zakonisht në periudhën e formimit estetik (adoleshencë dhe rini) pyetja gjen një përgjigje. Andrrat e artistit (duke qenë çuditshëm ‘konservatore’) shpesh marrin formën e materialit imagjinar të rinisë, ato përdorin figurat, motivet dhe gjuhën vizuale të fiksueme gjatë periudhës së formimit estetik.
Kjo tendencë, e kufizueme në sens historik mbrenda kontekstesh e kohësh të caktueme, mund të quhet e tejkalueme dhe disi anakronike, por jo në sensin estetik ose simbolik. Fakti që autori i sheh këto figura vazhdimisht në andërr asht çelësi për t’i lexue pikturat jo vetëm si komente shoqnore, por si material të pandërgjegjshëm, si pamje që vijnë nga zona të thella psikike. Nuk asht pavetëdija që kopjon surrealizmin, por asht ky i fundit që ka formue një skenë së cilës pavetëdija mund t’i jepej ma lehtë. Kjo i jep ciklit një dimension jungian, arketipal, pothuaj mitik ashtu siç edhe andrrat ishin arketipore. Surrealizmi i mbrendshëm i autorit asht gjuha që përdor pavetëdija e tij. Ai që ka vdekë asht “surrealizmi si grup pararojë”. Në këtë rast, mbijeton si post-surrealizëm personal, jo nostalgjik, por organik. Fjalori surrealist me shpërbamjen, simbolikën e andrrën si estetikë, na përcjell tema bashkëkohore të shekullit XXI mbi mekanizimin, fragmentimin, robotizimin emocional të subjektit në epokën digjitale, mbi trysninë e informacionit dhe komunikimin e këputun. Pikturat e Agron Bytyçit, teksa përcjellin një atmosferë të fortë psikologjike, ku qeniet shndërrohen në simbolet e krizave të mbrendshme të njeriut bashkëkohor, përbajnë një alegori moderne të ankthit social. Aty gjejmë njeriun e shpërbamë që kërkon kuptimin tue ndërthurë introspeksion e pasiguri mbi identitetin, në një botë të bame copash. Aty ndjehet pësimi i situatave, vuejtja e pamundësisë e jo moralizimi mbi ta, prandaj ai i çon ato simbolikisht në qiell para syve të dikuj. Andrrat nuk janë gjithmonë teatrale por na kujtojnë për aktrimin e ritet e jetës. Figurat e njerëzve nuk janë realiste por bartëse idesh. Për autorin peshon ma randë realiteti psikologjik se ai fizik. Ndoshta, me këto piktura, aludohet se ende gjendena në një andërr e, kur të çohena, asht shpresa se jeta ka me qenë ndryshe.











