Helidon Haliti: Vepra ime nuk është një pikturë e vetme, por një mozaik, që ndërtohet me kohën

Me një aktivitet që përfshin ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, piktori Helidon Haliti është një nga emrat më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar


Nga Julia Vrapi

Me një aktivitet të pasur që përfshin ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, piktori Helidon Haliti është një nga emrat më të spikatur të artit bashkëkohor shqiptar, i njohur për veprat e tij që përzien emocione, përvoja personale dhe reflektime mbi realitetin social. Në intervistën dhënë për gazetën “SOT”, piktori Helidon Haliti “Mjeshtër i Madh” ndan rrugëtimin e tij artistik, frymëzimin që vjen nga kujtimet dhe jeta e përditshme, si dhe vizionin e tij për tërësinë e veprës, që e sheh si një mozaik që ndërtohet me kalimin e kohës.

Ai flet për influencat e hershme që formuan stilin e tij, si dhe eksperiencat e tij jashtë Shqipërisë, që i dhanë një dimension të ri artit të tij. Gjithashtu në këtë intervistë, ai ndan mendimet mbi marrëdhënien me publikun, sfidat e tregut artistik dhe rëndësinë e ekspozimeve për zhvillimin e artit pamor në vend.  Helidon Haliti është i nderuar me çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë shpërblime në vende të ndryshme si Shqipëri, Norvegji, Tailandë, Hong Kong, Republikë Çeke, Bullgari, Malajzi, Kinë dhe Kore. Ka fituar çmime ndërkombëtare dhe vlerësime në bienale të pikturës, përfshirë emrin e tij në listën e artistëve të nderuar në Bienalen e akuareleve në Tajlandë. Në vitin 2013 ai u shpërblye me çmimin “Kult” si “Artisti më i mirë i vitit”, si dhe ka fituar çmime të tjera si “Mjeshtri më i mirë” në Hong Kong dhe “Çmimi i Artistit më të Mirë” në Kinë. Nga kritikë dhe studiues ai cilësohet si një figurë e rëndësishme e artit bashkëkohor. Veprat e piktorit Helidon Haliti gjenden në galeri private, koleksione muzeale dhe tek koleksionistë në Shqipëri dhe jashtë saj.

-Si lindi pasioni juaj për pikturën?

Në moshën 6-vjeçare, duke konkurruar me babain tim, sepse ai pikturonte dhe unë mendoja se e bëja më mirë se ai.

– Kur e kuptuat se arti do të ishte rruga juaj në jetë?

Para se të shkoja në shkollën e mesme. Mbarova shkollën fillore dhe doja të shkoja në shkollën artistike në Berat. Nga shkolla në Berat, vijova studimet në Tiranë, në Institutin e Lartë të Arteve.

-Cilat kanë qenë ndikimet më të mëdha artistike në zhvillimin e stilit tuaj?

Fillimisht, Skënder Kamberi, më pas Nestor Jonuzi. Kur isha student ishte më shumë një realizëm magjik, i cili erdhi nga “përplasjet” artistike me studentët e tjerë. Më vonë u vendosa në Greqi dhe përqendrimi në artin arkaik. Në shkollën e lartë nuk përqafoja realizmin socialist, por realizmin magjik, që ishte diçka jashtë propagandës dhe më lidhte më pas me artin arkaik.

– Si do ta përshkruanit stilin tuaj pikturik dhe çfarë e bën atë të veçantë?

Stili im është spontan dhe i papritur, me bosht emocionin dhe jo logjikën.

-Nga çfarë frymëzoheni më shumë kur krijoni një pikturë të re?

Nga ngjarjet që shpesh vijnë në përditshmëri dhe nga reminishenca, kujtime personale.

-Çfarë roli luajnë emocionet dhe përvoja personale në veprat tuaja?

Pothuajse gjithçka.

-Cilat mesazhe përpiqeni si piktor të përcillni përmes veprave tuaja të artit?

Mesazhe eksperimisht sensibilizuese, me tendencë provokim  social.

 -Si e shikoni zhvillimin e artit bashkëkohor në Shqipëri sot?

Zhvillimin e artit bashkëkohor e shikoj si të gjithë jetën shqiptare, me një bosht të paqartë, duke pasur parasysh se mënyra e jetesës bëhet mënyrë e të bërit art.

-Keni një karrierë të gjatë artistike, me ekspozita, pjesëmarrje në konkurse, festivale, etj. Cili ka qenë një nga momentet më të rëndësishme në karrierën tuaj artistike dhe pse?

Mendoj se periudha e pjesëmarrjes në Bienalet e Akuarelit dhe vlerësimi ndërkombëtar me çmime në akuarel ka qenë një nga momentet më të rëndësishme.

-Çfarë sfidash has një artist në Shqipëri dhe si mund të kapërcehen ato?

Një artist në vendin tonë sfidën më të madhe e has me tregun, dhe kjo për momentin nuk varet nga artisti. Si shumica e gjërave në Shqipëri kanë organizim artizanal dhe tregu ka një organizim artizanal.

– Çfarë këshille do t’u jepnit artistëve të rinj, që duan të ndjekin rrugën e artit?

Të jenë sa më të veçantë dhe të mbahen mend sa më kollaj. Të pikturojnë me ndjesi, pa anashkaluar jetën dhe realitetin.

– Si e përjetoni marrëdhënien midis artistit dhe publikut?

Për hir të së vërtetës, marrëdhënia pothuajse funksionon shumë mirë, publiku më pret mirë. Por as unë nuk jam i mjaftueshëm për ta, as ai nuk është gjithmonë i mjaftueshëm për mua.

-Projekti artistik i radhës cili do të jetë për ju si piktor?

Unë si piktor do të vij me një tematikë shumë të veçantë, që ka 16 vjet që e elaburoj, e cila ka të bëjë me ngjarje të djeshme, të sotme dhe të nesërme, me bazë paragjykimet, ku një histori personale mund të kthehet në shqetësim social.

 -Keni krijuar vepra të ndryshme, por a ka ndonjë punë që e konsideroni veçanërisht të rëndësishme për karrierën tuaj?

Ajo që nuk është bërë ende, që do të thotë se mendoj që kam shumë rrugë përpara, sepse vepra ime nuk vjen në mënyrë të veçuar. Mendoj se i gjithë puzzle-i i veprës do të përbëjë atë që quhet vepra nominale. Pra, nuk e shoh si një vepër të vetme, si për shembull një roman që do të jetë më i miri, por dua që e gjithë vepra ime të shihet dhe të gjykohet si një formë puzzle-i, ku një pjesë të mungojë mendoj se do të cedojë për tu deshifruar.

– Sa e rëndësishme është për ju ekspozimi ndërkombëtar i artit shqiptar?

Mendoj se është shumë jetik, por varet nga pretendimet personale të çdo artisti. Për momentin, unë nuk e kam ekspozimin ndërkombëtar në prioritet.

-Pas disa ditësh do të jetë dhe ekspozita juaj më e re. Çfarë mund të na zbuloni më shumë rreth saj?

Kam një projekt që po punoj dhe që mendoj se do të flasë shumë këtë herë, më shumë se çdo herë tjetër.

-Çfarë duhet bërë që arti pamor të jetë më i pranishëm dhe më i larmishëm edhe në qytetet e tjera, pasi është i përqendruar në Tiranë?

Institucionet mund të krijojnë politika që mbështesin artistët dhe hapësira ekspozimi jashtë Tiranës. Ne jemi në luftë të pastër me shqetësime “të vogla” do merremi!? Dhe artistët e intelektualët janë xha në provë historike për të reflektuar seicili  në mënyrën dhe vokacionin e tij! Sfida të tjera për artistët sot janë edhe teknologjitë e reja, si inteligjenca artificiale, e cila mund të jetë ose pengesë ose mundësi krijuese. Për shembull, unë po punoj me AI dhe e gjitha ekspozita ime në vijim fokusohet tek ky medium i ri, duke treguar se teknologjia mund të ndihmojë artin të përhapet dhe të evoluojë, edhe jashtë qendrave kryesore.

(Marrë nga Gazeta “Sot“)

Helidon Haliti: Vepra ime nuk është një pikturë e vetme, por një mozaik, që ndërtohet me kohën

Me një aktivitet që përfshin ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, piktori Helidon Haliti është një nga emrat më të spikatur të…

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.