“Konstelacion” – Joana Dhiamandi shndërron qelqin në art!

Arkitektja Dhiamandi çeli në Galerinë e Arteve në Tiranë ekspozitën personale “Konstelacion”


Joana Dhiamandi, e njohur si “vajza e qelqit”, me përkushtimin dhe pasionin e saj sjell në jetë krijime duke përdorur xhamin për të prodhuar objekte arti, bizhuteri, instalacione dhe elementë për ambiente të brendshme (interiere).

Me një karrierë të gjerë si arkitekte dhe artiste Dhiamandi sjell një perspektivë unike që e veçon punën e saj në tregun modern të artizanatit.


Mbrëmjen e djeshme Dhiamandi çeli në Galerinë e Arteve në Tiranë ekspozitën personale “Constellation”, të kuruar nga Ardian Isufi dhe të koordinuar nga Ergys Krisiko.

Në një intervistë për ATSH-në Dhiamandi tha se “ekspozita konceptohet si një proces dhe udhëtim përjetimor që shpaloset në tri faza: Laboratori, Gjeneza dhe Konstelacioni. Ato nuk lexohen në mënyrë lineare, por përjetohen përmes lëvizjes së trupit dhe kohës së kaluar në hapësirë”.

“Në dhomën e Ngjizjes, tingulli luan një rol thelbësor. Ai krijon një puls të brendshëm, një ritëm paraverbal, që nuk shpjegon veprat, por i bën ato të ndihen. Tingulli lidh trupin e vizitorit me materien dhe e kthen hapësirën në përvojë”, tha Dhiamandi.

Sipas saj, çdo vizitor duke parë ekspozitën ndërton marrëdhënien e vet me veprat, sipas ritmit dhe ndjeshmërisë personale.

Prej disa vitesh Dhiamandi drejton qendrën QELQ – Tirana’s Glass Hub, të cilën e ka ndërtuar gradualisht, nga një laborator i vogël eksperimental, në një hapësirë të hapur për publikun.

“Ideja e qendrës është rrjedhojë e një sipërmarrjeje familjare. Babai im është artist qelqi dhe ka qenë aktiv në Tiranë prej më shumë se 25 vitesh. Jam rritur mes furrës, materialit dhe procesit, ndaj qelqi ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Në një moment e kuptova që kjo përvojë nuk duhej të mbetej vetëm brenda studios apo familjes. Qëllimi kryesor i kësaj qendre është ta bëjmë qelqin një medium të kuptueshëm dhe të aksesueshëm. Të tregojmë se nuk është vetëm dekor, por material me histori, proces dhe vlerë. Njëkohësisht, qendra promovon ekonominë rrethore, edukimin dhe lidhjen mes artit, zanatit dhe komunitetit”, theksoi Dhiamandi.

Pjesa më e madhe e materialit të përdorur në punimet e saj vjen nga qelqi i ricikluar: shishe, mbetje industriale dhe fragmente të refuzuara.

“Për sigurimin e bazës materiale bashkëpunoj me biznese dhe institucione lokale. Materiali përpunohet i gjithi brenda qendrës – nga seleksionimi, deri te transformimi final”, shtoi ajo.

Në koleksionet e saj Dhiamandi frymëzohet nga natyra, peizazhi shqiptar, uji, drita dhe kujtesa.

“Më intereson procesi dhe historia që mbart objekti, jo thjesht forma”, tha ajo.

Një ndër koleksionet më të pëlqyera të krijuara prej saj është edhe “Vjosa”, një interpretim artistik i një lumi të paprekur.

“Qelqi sillet si uji: herë transparent, herë i thyer, herë në tension. Nuk është ilustrim i drejtpërdrejtë, por një reflektim mbi rrjedhën, lirinë dhe ekuilibrin natyror. Shpallja e Vjosës Park Kombëtar i jep këtij koleksioni një domethënie edhe më të fortë”, u shpreh Dhiamandi.

Koleksionet e saj preferohen gjithashtu edhe nga turistë, koleksionistë dhe institucione jashtë Shqipërisë.

“Ajo që i tërheq është autenticiteti – fakti që puna është e rrënjosur në kontekstin lokal dhe nuk përpiqet të imitojë trende globale”, tha Dhiamandi.

Ekspozita “Constellacion” do të qëndrojë e hapur deri më 22 shkurt në Galerinë e Arteve në Tiranë.

Lexo më shumë nga

“Konstelacion” – Joana Dhiamandi shndërron qelqin në art!

Arkitektja Dhiamandi çeli në Galerinë e Arteve në Tiranë ekspozitën personale “Konstelacion"

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.