
Mbështetje dhe financim i filmave të studentëve
Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Universiteti i Arteve nënshkruan marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me synim mbështetjen financiare dhe profesionale të prodhimeve filmike studentore.

Qendra Kombëtare e Kinematografisë dhe Universiteti i Arteve nënshkruan marrëveshjen e parë të bashkëpunimit me synim mbështetjen financiare dhe profesionale të prodhimeve filmike studentore.
Marrëveshja u nënshkrua një ditë më parë nga kryetari i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, Jonid Jorgji dhe rektori i Universitetit të Arteve, Erald Bakalli.

Marrëveshja parashikon ndër të tjera dhe angazhimin praktik të studentëve në fusha si aktrimi, regjia, skenografia dhe disiplina të tjera të kinemasë, gjatë xhirimit dhe procesit të prodhimit të projekteve të financuara nga QKK.
“Ky është një hap i parë konkret drejt fuqizimit të talenteve të reja duke u dhënë mundësinë që në përfundim të studimeve, të kenë një portofol profesional dhe projekte të denja për nisjen e karrierës së tyre”, bëri të ditur QKK duke shtuar se do të ketë marrëveshje të tjera në të ardhmen me UA për programe të rëndësishme të cilat janë dhe nevojat reale të industrisë.
Në vijim të marrëveshjes, u mbajt edhe një sesion informimi për studentët mbi programin e edukimit të QKK-së, bursat e studimit dhe mundësitë profesionale si dhe mundësitë e studimit me bursat Chevening (program i Ambasadës Britanike në Shqipëri).
Jorgji ka theksuar së fundmi se nevojitet një zhvillim i kinematografisë në vend, për të mos e lënë të funksionojë si një ishull.
Gjithashtu, Jorgji ka hedhur idenë që kinematografia të mos konsiderohet vetëm si art, por edhe si ekonomi.
QKK dhe Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sporteve jo vetëm do të financojnë prodhimet filmike, por synojnë krijimin e një sistemi, industrie filmike dhe lidhjen e kinemasë me ekonominë kreative, turizmin dhe imazhin e vendit.
Burimi ATSH












