
Ekspozita e Grupit “Muri” në Vlorë
Ekspozita e Grupit “Muri” mbetet një dëshmi se arti tradicional vijon të jetë i gjallë dhe i domosdoshëm, duke sjellë emocione dhe reflektim për publikun vlonjat.

Mbrëmjen e datës 20 dhjetor, në Galerinë e Arteve pranë Pallatit të Kulturës në Vlorë, u çel Ekspozita e Grupit “Muri”.
Me pjesëmarrjen e 12 artistëve – piktorë, karikaturistë, skulptorë dhe qeramistë – ekspozita solli për publikun vepra të ndryshme artistike, të ekspozuara në një hapësirë që u kthye në pikë takimi për artdashësit vlonjatë. Të shumtë ishin vizitorët që ndoqën ekspozitën, mes tyre edhe figura të njohura të artit dhe letërsisë, si shkrimtarja Helena Kadare.
Sipas organizatorit të ekspozitës, arkitektit Arben Meksi, kjo ekspozitë bashkon vepra arti, mendim dhe ndjeshmëri, duke sjellë së bashku artistë piktorë, karikaturistë dhe skulptorë për të ndarë gjuhën universale të artit.
“Piktura na bën të reflektojmë përmes ngjyrës dhe dritës, qeramika na kujton lidhjen e lashtë mes njeriut dhe tokës, ndërsa karikatura, me gjuhën e saj të mprehtë, përcjell mesazhe të forta shoqërore”, u shpreh Meksi.
Ekspozita e Grupit “Muri” mbetet një dëshmi e gjallë e dialogut artistik dhe e energjisë krijuese që vijon të pasurojë jetën kulturore të qytetit të Vlorës.
Karikatura, me gjuhën e saj të mprehtë dhe ironike, na sfidon të shohim realitetin me sy kritik. Këta 12 artistë bashkohen sot për të treguar se arti është i gjallë, i larmishëm dhe në dialog të vazhdueshëm me botën.
Karikaturisti dhe njëkohësisht organizatori i ekspozitës, Arben Meksi, u shpreh se kjo pjesëmarrje e gjerë tregon dashurinë e madhe për artin.
“Kur sheh këtë ekspozitë, ku janë të pranishme piktura, karikatura, qeramika e skulptura, kupton sa të bukura dhe të rëndësishme janë ekspozitat në grup. Edhe pse mjetet digjitale po e ‘sulmojnë’ artin e bërë me dorë, ky art nuk vdes kurrë, sepse është i krijuar nga dora dhe shpirti i njeriut. Për artin tonë dhe për kulturën vlonjate, kjo ekspozitë ka vlera shumë të mëdha”, tha karikaturisti Arben Meksi.
Në mbështetje të kësaj veprimtarie artistike ishte edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cila vlerësoi rolin e artit në jetën kulturore të qytetit.
“Vlora është djepi i artit dhe ne kemi nevojë për këtë art. Ju u jepni emocione qytetarëve të Vlorës përmes artit të bërë me dorë”, u shpreh kryetarja e bashkisë Brunilda Mersini.
Ekspozita e Grupit “Muri” mbetet një dëshmi se arti tradicional vijon të jetë i gjallë dhe i domosdoshëm, duke sjellë emocione dhe reflektim për publikun vlonjat.












