
Dy Portrete, Një Ikonë: Gjergj Fishta në Artin e Giuntit dhe Pervathit
Figura e Gjergj Fishtës (1871–1940), një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare, ka zënë një vend qendror në imagjinaren kombëtare, jo vetëm si poet epik dhe mendimtar, por edhe si simbol i identitetit kombëtar dhe i humanizmit françeskan.

Nga Dr. Kujtim Halili

Figura e Gjergj Fishtës (1871–1940), një prej personaliteteve më të rëndësishme të kulturës shqiptare, ka zënë një vend qendror në imagjinaren kombëtare, jo vetëm si poet epik dhe mendimtar, por edhe si simbol i identitetit kombëtar dhe i humanizmit françeskan. Si poet kombëtar, intelektual, françeskan i urdhrit OFM dhe autor i disa prej teksteve themelore të letërsisë shqipe, Fishta është interpretuar në mënyra të ndryshme në art, duke reflektuar jo vetëm personalitetin e tij, por edhe kontekstet estetike dhe ideologjike të epokave të ndryshme.
Në ikonografinë shqiptare të shek. XX–XXI, portretizimet e Fishtës paraqesin një fushë të pasur studimore ku ndërthuren arti, politika e kujtesës, dhe proceset e ndërtimit të identitetit kulturor. Brenda këtij konteksti, krijimtaria e Pashk Pervathi përfaqëson një kulm të mjeshtërisë portretistike bashkëkohore, duke i dhënë figurës së Fishtës një lexueshmëri të re estetike, simbolike dhe historike.
Ikonografia e Fishtës ka një histori të pasur që fillon me vizatimet dhe pikturat e para të realizuara gjatë jetës së tij, ku ai paraqitet si intelektual i angazhuar, teolog dhe orator. Ndër ikonografitë e hershme me rëndësi të veçantë janë ato të lidhura me kontaktet e tij në Itali, veçanërisht portreti me vaj i realizuar nga piktori italian Umberto Giunti rreth viteve 1930, gjatë qëndrimit të Fishtës në Siena. Ky portret, që riprodhon me finesë karakterin asketik dhe karakterologjinë e tij të thellë, është ruajtur për dekada nga P. Daniel Gjeçaj dhe pas vitit 1990 është vendosur në Bibliotekën Françeskane në Shkodër (Figura. 1).
Pas vitit 1945, për arsye politike të diktaturës, Fishta u ndalua, dhe ikonografia e tij u zhduk thuajse tërësisht nga hapësira publike. Vetëm pas viteve 1990 rifilloi procesi i “rikthimit ikonografik”, ku artistë të rinj nisën të ndërtuan imazhe të reja të poetit, duke krijuar një traditë të re vizuale që ndërthurte referencat historike me interpretimet bashkëkohore.
Ikonografia e Fishtës është ndërtuar mbi disa shtylla të pandara: Identiteti françeskan, i pranishëm në veshjen e zhgunit të errët, rrymën e qetë shpirtërore dhe përulësinë e formës.
Figura e mendimtarit me laps në dorë, libër, ose letra të shkruara—simbolizim i krijimtarisë.
Roli i tij publik, që shpesh pasqyrohet në kompozime më ceremoniale.
Në këtë mënyrë, Fishta kalon nga figura fetare brenda komunitetit françeskan në figurë kombëtare të kulturës dhe identitetit shqiptar.
Nëpërmjet një analize krahasimore, artikulli shqyrton marrëdhënien ndërmjet ikonografisë historike dhe transformimit të saj në kuadër të gjuhës piktorike të shekullit XXI. Në qendër të vëmendjes vendoset portreti i Pervathit (2022), duke e krahasuar me traditën më të hershme, në veçanti me portretin e realizuar nga piktori italian Umberto Giunti, i cili është vlerësuar si një ndër pasqyrimet më të hershme dhe më të rafinuara të ikonografisë Fishtiane.

Për Pashk Pervathin, Fishta nuk është vetëm subjekt piktorik, por edhe figurë morale e simbolike. Në veprën e tij, Pervathi ka krijuar një gjuhë të veçantë formale që identifikohet me realizem psikologjik, përpunim delikat të dritëhijeve dhe një ritëm kromatik që ndihmon të shpaloset intensiteti shpirtëror i personazhit.
Pervathi arrin të ndërthurë dy tradita:
1. Kanonin françeskan, ku asketizmi, pastërtia dhe dritebardhësia luajnë rol qendror.
2. Traditën europiane të portretit akademik, ku theksohen karakteri, profesioni dhe dimensioni intelektual.
Një nga paraqitjet më të hershme ikonografike është portreti i krijuar nga Umberto Giunti në Siena. Piktori italian, i njohur për kopjimin mjeshtëror të artit të Rilindjes, e trajton Fishtën me një seriozitet të veçantë duke e vendosur atë në profil, si figurë meditimi dhe refleksioni.

Karakteristika të ikonografisë së Giunti-t:
Dominimi i dritë-hijes së butë, e cila krijon një frymë qetësie dhe thellësie.
Paraqitja e Fishtës në një gjendje kontemplative, me një qasje të ngjashme me portretet humaniste të shek. XV. Përqendrim te silueta françeskane, duke shmangur elementet narrativë ose publikë.
Ky portret ka vlerë themelore për strukturimin e mëvonshëm të imazhit të Fishtës në art, duke vendosur një model solemn racionalist që e përjetëson veshjen, karakterin dhe prirjen e tij intelektuale.
Piktori lezhjanë Pashk Pervathi, i njohur për aftësinë e tij të lartë portretizuese dhe thellësinë psikologjike, krijoi një portret të ri të At Gjergj Fishtës. Ky realizim nuk është thjesht një riprodhim ikonografik, por një reinterpretim i figurës së tij për publikun e shekullit XXI.
Pervathi synon të sjellë një Fishtë më pranë qytetarit të sotëm, duke e bashkuar solemnitetin e traditës me një gjuhë piktorike moderne, të pasur me simbolikë narrative.
Struktura formale dhe gjuha vizuale: Vepra dallon për një sërë elementesh. Pervathi paraqet Fishtën në mënyrë frontale, i ulur, me një shikim të drejtpërdrejtë dhe të qëndrueshëm. Kjo qasje krijon një marrëdhënie të menjëhershme vizuale, një komunikim emocional me publikun, si dhe theksim të personalitetit të tij publik.
Drita vjen nga e djathta dhe thekson volumet e fytyrës dhe zhgunit: kontraste të forta, modelim i qartë i formave, një qasje që i afrohet realizmit modern.
Paleta e Pervathit është më e ndritshme se ajo e Giunti-t. Ngjyrat janë të pastra, të balancuara dhe të vendosura me një brushë të sigurt.
Tekstura e zhgunit dhe e lëkurës paraqiten me precizitet, duke ruajtur dinjitetin solemn të figurës.
Elementet narrative të Pervathit në tryezë, letra të shkruara, një laps, libra të përdorur, elemente që nuk janë vetëm dekorime, por simbolikë e aktivitetit intelektual të Fishtës, që e paraqesin atë si: poet, studiues, polemist, figurë me ndikim kombëtar.
Portreti si ikonë kulturore: Ndryshe nga Giunti, i cili krijon një imazh intim e meditativ, Pervathi i jep Fishtës një status publik, pothuaj monumental. Ai e shndërron portretin në një artikulim kulturor dhe identitar për brezat e sotëm.
Në portretet e Pervathit, Fishta paraqitet zakonisht me: Vështrim drejtues, i fokusuar, që përçon vendosmëri dhe prani intelektuale. Fytyrë të ndriçuar frontal, me dritë të butë që shpalos strukturën e mjekrës dhe zhvendos vëmendjen te sytë, si qendër semantike e figurës. Fraku françeskan, i cili nuk është vetëm detaj ikonografik, por simbol i një përkatësie shpirtërore dhe etike.
Sfond monokrom, që shërben për ta shkëputur figurën nga konteksti narrativ dhe për ta bërë atë ikonë të hapësirës kulturore (Figura. 2).
Pervathi shmang patetizmin retorik; në vend të tij, ai ndërton një portret të heshtur, meditativ, që të kujton ikonat e pikturës së vjetër shqiptare dhe portretin renascentist të Italisë së veriut. Kështu, Fishta i tij bëhet figurë “transhistorike”, që i përket një kohe më të gjerë se koha e jetës së vet.
Ndikimet stilistike dhe dialogu me traditën.
Në kompozimet e tij, Pervathi duket se dialogon qartë me portretin e Umberto Giuntit.
Tek Giunti vëmë re një naturalizëm renascentist, ku dominon modelimi i butë, tonaliteti i ngrohtë dhe vëmendja ndaj detajit.
Tek Pervathi kemi një ekspresivitet më bashkëkohor, ku dritëhija krijon dramacitet të brendshëm dhe një distancë estetike që e ngrit figurën në simbol.
Ndërkohë, te Pervathi shfaqet edhe një ndikim i dukshëm i pikturës shkodrane të shek. XX (Kolë Idromeno, Simon Rrota, etj.), sidomos në mënyrën e modelimit të fytyrës dhe qasjen e qetë, të disiplinuar të kompozicionit.
Dy vizione për të njëjtin personalitet. Krahasimi i të dy veprave shpalos zhvillimin e imazhit të At Gjergj Fishtës në art: Shekulli XX e sheh atë si shpirtëror, të heshtur, të përkushtuar.
Shekulli XXI e sheh si mendimtar të fuqishëm, polemist, figurë që flet drejtpërdrejt me publikun.
Kjo është edhe esenca e transformimit ikonografik në artin modern shqiptar.
Ikonografia e At Gjergj Fishtës, nga portreti rinor i Umberto Giunti-t deri te interpretimi bashkëkohor i Pashk Pervathit, dëshmon evoluimin e perceptimit të figurës së tij në kulturën shqiptare. Ndërsa Giunti e përjetëson Fishtën si figurë kontemplative në traditën e humanizmit italian, Pervathi e ringjall atë si ikonë të identitetit të sotëm shqiptar.
Kjo analizë nënvizon se portreti i Fishtës nuk është vetëm objekt piktorik, por një manifest kulturor, një mekanizëm kujtese dhe një simbol i ndërthurjes mes traditës françeskane, mendimit kombëtar dhe modernitetit estetik.
Portretet e Fishtës nga Pervathi nuk janë vetëm vepra arti, por edhe instrumente të kujtesës kolektive. Ato kontribuojnë në ringritjen e figurës së poetit në hapësirën publike pas një shekulli ndalese, duke krijuar një imazh që nuk është thjesht dokumentar, por edhe normativ; një figurë që udhëheq, inspiron dhe rikthen dimensionin humanist të kulturës shqiptare.
Në këtë mënyrë, përmes artit të Pervathit, Fishta rikthehet jo vetëm si poet i madh, por si ikonë kulturore e Shqipërisë moderne.
(Marrë nga faqja në Facebook e autorit)











