
Griseld Hoxha, “syri” që përjetëson shpirtin e Durrësit!
“Çdo fotografi bardhë e zi që realizon, është poezi pa fjalë”

Nga BUJAR QESJA
“Mjeshtër i Madh”
Në Durrës, aty ku drita e detit përplaset çdo mëngjes në ballkonet e qytetit dhe gdhend hije të pafundme mbi kalldrëmet e vjetra, ka lindur para 26 vitesh një djalosh që sot e ka kthyer qytetin në laboratori të përhershëm artistik. Quhet Griseld Hoxha. Nëpërmjet syrit të tij, Durrësi jo vetëm shihet por rizbulohet.

Fotografia për të nuk është hobi, nuk është profesion, nuk është as zanat. Fotografia është gjendje. Është mënyra se si ai e kupton botën, si e lexon njeriun, si e ndjek rrahjen e zemrës së qytetit. Dhe prej një dekade, që nga mosha 16-vjeçare, Griseld Hoxha ka zgjedhur të jetë shërbëtori i vetëm i këtij pasioni të madh: “skllavi i fotografisë”, siç e quan veten me humor, por edhe me një lloj krenarie të heshtur.

Griseld Hoxha është nga ata djem, që i sjellin Durrësit një lloj drite të çuditshme. Është dritë që s’vjen prej projektorëve, por prej mënyrës si e sheh botën. Ecën nëpër rrugë siç ecin mjeshtrit e vërtetë, i qetë, me aparatin pranë trupit, me respekt të thellë për sekondat, për çastet, për frymën që nuk përsëritet. Ka njerëz që fotografojnë për të jetuar dhe ka njerëz që jetojnë për të fotografuar. Griseldi është i dyti. Nuk kërkon kornizën perfekte, e gjen atë. Nuk kërkon dritën perfekte, e krijon atë. Nuk kërkon miratimin, e meriton atë.

Në Durrës, qytet që e ka parë detin të kthehet në stuhi dhe në pasqyrë pa fund, ky djalosh ka ditur të shohë atë që ne të tjerët shpesh e humbim duke vrapuar. Një fëmijë që qesh, një plak që pret diellin e pasdites, një rrugicë që hesht, një derë që flet. Është i ri, por mjeshtëria e tij nuk njeh moshë. Aparati për të, nuk është objekt por shpirt. Dhe aty lind magjia.
Ka portrete që shkruhen vetë. Ka njerëz që ecin përmes qyteteve dhe lënë gjurmë si hije të lehta. Por ka edhe të tillë që mbartin një dritë të brendshme, të qartë, të prerë, të pakundërshtueshme. Tek Griseld Hoxha, kjo dritë është e lindur. E ka pasur që në fëmijëri, kur rritej me qetësi të çuditshme, por me vështrim që çponte gjithçka. Nuk ishte fëmija që kërkonte duartrokitje. Ishte fëmija që kërkonte kuptim. Dhe kjo e dallon një njeri që në nisje.

Nuk është djalë që mbijeton, por djalë që formon veten. Me përkushtim, me sakrificë, me pjekuri që shumë nuk e arrijnë as në të dyfishin e moshës së tij. Ky shkrim nuk është lavd. Ky shkrim është pasqyrë i një 26-të vjeçari që ka ditur të ngrihet, të forcohet, të mos prishet nga koha, të mos tkurret nga vështirësitë. Kjo është historia e një djaloshi që nuk bërtet për t’u dëgjuar, por që dëgjohet, sepse ka adrenalinën të tillë.
Ky shkrim nuk është as lavdërim i thjeshtë, as portret rutinë. Është përpjekje e sinqertë, për të kapur thelbin e një njeriu që meriton të përshkruhet me kujdes, me finesë dhe me respekt. Një djalë që e nderon qytetin dhe familjen, jo me fjalë të mëdha, por me jetë, me sjellje, me mendim, me kulturë.
Në qytetin tonë bregdetar, ku dallgët thyejnë heshtjen dhe i japin çdo dite ritëm të vetin, ka njerëz që ecin mes nesh në qetësi, por që mbartin dritë që shquhet mes mijërave. Nga këto drita është Griseld Hoxha, me pamje të ngrohtë, me sy të kthjellët e buzëqeshje të urtë, që vjen si shembulli më i bukur i një personaliteti të formuar, i një karakteri që nuk ngrihet me rastësi, por ndërtohet me punë, me kulturë, me rritje të brendshme, me mirësjellje dhe me respekt.

Griseldi nuk është vetëm i talentuar. Është prani. Një qetësi që flet. Një fisnikëri që nuk ka nevojë për zë të lartë. Është nga ato të rinj, që dëshmojnë se shpirti i mirë, edukata dhe vullneti i pastër, mund të krijojnë mrekulli në heshtje. Rrjedh nga familje e nderuar, me traditë qytetarie dhe me vlera të rralla njerëzore, ku modestia dhe puna kanë qenë gjithmonë shenjë dalluese. Këto vlera, të trashëguara dhe të ngulitura thellë, duket se janë bërë pjesë e pandashme e karakterit.

Fëmijëria dhe rrënjët të formuar herët
Griseldi ka qenë gjithmonë djalë i qetë, vëzhgues, i matur. Fëmijë që shikonte botën me sy të thellë, që nuk fliste kot, por mendonte më para kësaj. Që nuk kërkonte të ishte në qendër, por që çdo qendër i afrohej vetë, sepse rrezatonte jetë, mirësi.
Vlerat nuk i ka mësuar vetëm nga librat, por i ka marrë edhe nga shtëpia, nga mënyra e jetesës, nga edukimi i brezave që e kanë rrethuar. Ato vlera që nuk zbehen, nuk ndryshken, nuk dalin kurrë jashtë mode.
Që në vitet e para të jetës, Griseldi ka treguar butësi të lindur dhe kureshtje të vazhdueshme ndaj botës. Ishte fëmija që vëzhgonte, që dëgjonte, që kuptonte. Në çdo aktivitet të fëmijërisë, qoftë në kopësht, në shkollë apo në rrethe kulturore, njihej për sjelljen e rregullt, për etikën e përkryer dhe për ndjeshmërinë. Ishte ndër ato fëmijë dhe të rinj që e shikojnë botën me sy të pastër, por edhe me mençuri që duket sikur vjen përtej moshës.
Me kalimin e viteve, kjo qetësi nuk u shua. Përkundrazi, u rrit bashkë me të. Tani Griseldi është djalë që të dikton respekt me mënyrën e të qenit, me maturinë e mendimit, me mënyrën si flet dhe si sillet, me thjeshtësinë e bukur që e shoqëron në çdo hap.

Rrugëtimi i dijes, i përkushtuar, serioz dhe i ndershëm
Në shkollë, Griseld Hoxha ka qenë gjithmonë ndër nxënësit që mësuesit i kujtojnë me respekt. Jo vetëm për notat. Ato janë thjesht pasojë, për mënyrën si qëndronte në klasë. Për sjelljen, për etikën, për maturinë, për qetësinë, për përgjegjshmërinë.
Është ndër ata të rinj, që kuptojnë se dija është investim jetësor, jo detyrim i përkohshëm. Që nuk mjaftohen me minimumin. Që nuk kërkojnë rrugë të shpejta. Që nuk shohin anash, por drejt.
Në çdo detyrë e projekt, ka qenë ai që punon pa u ankuar, që mban peshën, që kërkon cilësi, që nuk dorëzohet. Ky tipar e shoqëron edhe tani, në moshën 26-të vjeçare.
Në projektet shkollore, është nga ato nxënës që mbante peshën pa e reklamuar, punon shumë, kërkon rregull, dëshiron cilësi dhe e bën çdo detyrë me dëshirën për të arritur rezultatin më të mirë.
Griseldi është gjithashtu i orientuar drejt dijeve bashkëkohore, teknologjisë dhe fushave kreative. Kjo e bën një profil modern, të gjerë, të formuar dhe shumë të aftë për t’u integruar në çdo drejtim.
Përplasja nga sporti tek arti, nga sakrifica tek fitorja
Hoxha është marrë me basketboll. 7 vite disiplinë, djersë, kundërshtarë, trajtime, përplasje. Pastaj e la. Jo sepse nuk donte, por sepse dera iu mbyll pa kuptim. Nuk u thye. Sepse djemtë e fortë të Durrësit nuk thyhen, vetëm kthejnë drejtimin. E gjithë ajo forcë, e gjithë ajo vëmendje, ajo këmbëngulje, ai respekt për punën u zhvendos në fotografinë, që sot e mban në këmbë.
Filloi me pak. Me një aparat të përdorur. Me lentet që kushtonin sa paga e një muaji. Me shpenzime që e nxirrnin jashtë buxhetit. Por sërish investoi. Mori kredi të vogla, për tu investuar me logjikë. Punoi natën. Punoi ditën. Punoi në shi. Punoi në vapë. Dhe është aty ku ka ëndërruar, por jo aty ku do të ndalet.

Magjia bardhezi vizioni që e vendos në panteonin e rinisë
Bardhezi. Dy fjalë, dy pole, dy mundësi. Për të tjerët mund të jetë kufizim. Për të është univers. Në një epokë ku ngjyra është bërë mani, ku filtrat janë bërë modë, ku shkëlqimi i tepërt ua merr frymën fotografive, Griseld Hoxha të kthen tek esenca, tek ndjenja. Në bardhezi njeriu nuk shpëton dot. Aty del i vërtetë. Aty zbulohet. Aty Griseldi e kap të vërtetën, të bukurën, konkuruesen.
Nuk fotografon vetëm fytyra, por edhe shpirtëra. Nuk fotografon skena, por edhe heshtjen. Nuk fotografon ngjarje, por edhe të vërtetat.
Dhe këto të vërteta, i ka çuar në ekspozita që kanë trazuar mendjet dhe admirimin e publikut. Në Durrës sallat janë mbushur me njerëz që vijnë jo për të parë foto, por për të parë jetën. Në Milano, të huajt ndaleshin gjatë para fotografive të tij, sepse aty gjenin diçka që Europa e industrializuar e ka humbur: njeriun. Aty Griseldi kishte çuar Shqipërinë e tij të sinqertë, të thjeshtë, të vuajtur dhe të bukur, ashtu siç ai di ta shohë, me sy prej artisti dhe zemër që rrjedh gjak profesional.
Puna e tij motori që nuk lodhet
Në kohën kur një pjesë e mirë e të rinjve kërkojnë rrugën më të shkurtër, Griseldi zgjedh më të vështirën. Zgjohet herët. Punon shumë. Filmon evente, bën dokumentarë, krijon projekte personale, ndërton katalogë, ngjit ekspozita, shkon në punë, kthehet, punon prapë dhe përsëri nuk lodhet. Sepse punon me shpirt. Sepse nuk e ka luksin të dorëzohet. Sepse është rritur në një qytet, që i ka mësuar njerëzit të jenë të fortë.
Studioja e tij nuk është thjesht vend pune. Është laborator i dritës. Qytetarët hyjnë për foto, dalin të prekur. Sepse nuk e sheh njeriun si klient, por si histori. Çdo zanatçi i harruar, çdo i moshuar i heshtur, çdo i ri që endet me ëndrrat në xhep, çdo fytyrë, çdo rrudhë, çdo shpresë tek Griseldi nuk është objekt, por dëshmi.

Djalosh me prezencë jo nga veshja, por nga mënyra e të qenit
Tek Griseldi gjen atë elegance që nuk blihet. Është paraqitjeje që vjen natyrshëm. Shikimi i tij është i kthjellët, i qetë, i sinqertë. Ka një mënyrë të foluri të matur, të butë, të respektueshme. Çdo gjest, çdo sjellje, çdo komunikim është i një njeriu, që nuk e ka humbur lidhjen me vlerat.
Nuk është prej atyre që bëjnë zhurmë. Nuk është prej atyre që kërkojnë vëmendje. Por është prej atyre që e marrin vëmendjen vetvetiu, sepse prezenca e tij të bën të ndihesh mirë, i qetë, i respektuar.
Ka njerëz që ecin rrugëve dhe nuk vënë re asgjë. Ka edhe të tjerë që ecin rrugëve dhe shohin gjithçka. Griseld Hoxha sheh atë, që të tjerët nuk e vënë re.
Në rrugët e lagjeve të vjetra, në prapaskenat e shesheve, në dritaret ku mbështetet një plak që pret të birin që s’ka ardhur kurrë, në duart e një zejtarit të moshuar që vijon ritualin e punës, sikur bota të mos ketë ndryshuar asnjë ditë, aty ndizet syri i Griseld Hoxhës.
Nuk bën fotografi për të bukurën e jashtme.
Fotografon frymën, trishtimin, këmbënguljen, dritën, plagosjen, përtejmen. Çdo foto në bardh e zi, të jep ndjesinë sikur ke hyrë në lëkurën e personazhit, sikur je ulur përballë tij dhe po dëgjon histori që nuk i ka rrëfyer kurrë askujt.
Talentin nuk e shpall, por e punon dhe kjo e bën të veçantë
Ka njerëz që talentin e tregojnë me zë. Griseldi nuk është prej tyre. Tregon me punë, me rezultate, me mënyrën si mendon. Ka logjikë të strukturuar, qartësi që rrallë e takon sot, intuitë të fortë që e ndihmon në vendimmarrje dhe në analiza.
Pavarësisht fushave ku është angazhuar profesionale apo kreative, sjell cilësi, sjell standard, sjell përkushtim. Ka ide të pjekura, vizion modern dhe kuptim të thellë të përgjegjësisë.
Nga cilësitë më të spikatura të Griseld Hoxhës, është modestia. Jo për veten me fjalë të mëdha. Nuk kërkon duartrokitje. Nuk kërkon skenë. Por kur vjen puna tek zbatimi, tek puna konkrete, tek angazhimi, Griseldi shkëlqen. Talenti shfaqet natyrshëm në mënyrën si punon, si krijon, si zgjidh situatat, si mendon me qartësi.
Intuitë të fortë ka. Ndjeshmëri artistike dhe logjikë shumë të zhvilluar gëzon. Këto janë armë të çmuara për çdo të ri, që synon të ndërtojë të ardhme të sigurtë.

Ekspozitat dyert që hapen nga forca e mjeshtrisë
Griseld Hoxha nuk vjen nga familje artistësh. Nuk ka pasur një shteg të shtruar. As mbështetje të trashëguar. Çdo hap që ka hedhur në art, e ka hapur me thonj, me punën, me kokën e ulur dhe me dinjitetin e njeriut që di të presë.
Ekspozitat e tij në Durrës, kanë qenë gjithnjë të mbushura me njerëz. Jo nga rastësia. Jo nga ftesat formale. Por nga kureshtja që krijon arti i tij. Nga forca e imazhit. Kur hapi ekspozitën në Itali, në Milano, qytetin e modës dhe të artit, fotografia e tij nuk u duk aspak provinciale. Përkundrazi. U pa si zë i ri, i fortë, i papritur.

Në fotografitë bardhë e zi, Griseld Hoxha arrin të shtrydhë emocionin e pastër dhe të zhveshur, pa ngjyrat që nganjëherë marrin vëmendjen, por humbin thelbin. Është partizan i bardh e zi-së, sepse aty njeriu shfaqet pa maskë. Aty rëra, deti, toka, duart, rrudhat, dhimbja, gëzimi, heshtja marrin peshën e vet reale.
Dallgët e një shpirti që ndriçon
Në rrugëtimin e tij Griseld Hoxha, nuk ndjek modë por krijon stil, fiton respekt, nuk flet me fjalë të mëdha, por me vepra që peshojnë më shumë se zërat. Në çdo ekspozitë lokale dhe ndërkombëtare, në çdo katalog, çdo çmim dhe çdo projekt, çfaqet karakteri i palëkundur, syri i mprehtë, shpirti që di të ndiejë thellë dhe të ndajë emocionet me botën.
Mes sfidave, Griseldi kthehet në shembull. Tregon se puna, përkushtimi, modestia dhe vetmohimi nuk janë thjesht fjalë, por veprime që ndriçojnë dhe frymëzojnë. Çdo fotografi bardhë e zi është poezi e heshtur. Çdo rrëfim urban, është histori e ndjerë, dhe çdo personazh i kapur, shndërrohet në dëshmi të përjetësisë së emocioneve njerëzore.
Në fund të këtij rrëfimi, ajo që mbetet është dritë. Dritë që vjen nga një sy i mprehtë, nga një dorë që kap çaste, nga një zemër që di të ndjejë. Griseld Hoxha nuk është vetëm fotograf, por dallgë që përhap ngrohtësi, është erë që çliron frymë, është hije dhe dritë që bashkëjetojnë në ekuilibër të rrallë.
Çdo fotografi bardhë e zi që realizon, është poezi pa fjalë. Një histori e mbartur në linjat, hijet dhe kontrastet që përshkojnë çdo imazh. E më tej çdo skenë, çdo moment, çdo personazh është tingull i qetë në simfoninë e qytetit, në ritmin e jetës që shtrihet mes detit dhe rrugëve të Durrësit. Dhe kur shikojmë këto foto, nuk shikojmë vetëm objektin, por edhe shpirtin që i dha jetë.
Lavdia e tij është e heshtur, si hije që lë gjurmë pa bërë zhurmë. Dhe në këtë heshtje lind fuqia e vërtetë, që kap emocionet, që prek indet, që flet për të bukurën, për të vërtetën, për nderin dhe për pasionin e papërshkrueshëm të një djali 26-vjeçar.
Shiko si një djalosh mund të bëjë magji me një aparat fotografik, si mund të kapë shpirtin e një qyteti, si mund të lërë gjurmë që do të qëndrojnë më shumë se çdo titull, më shumë se çdo çmim.
Griseld Hoxha është dallgë që përhap ngrohtësi dhe efekte, erë që çliron frymë dhe hije e dritë, që bashkëjetojnë në harmoni. E ardhmja e tij është thirrje për të rinjtë dhe artdashësit. Vështro Griseld Hoxhën, mëso nga pasioni dhe përkushtimi i tij, ndiq rrugën e tij. Koha mund të ndryshojë gjithçka tjetër, por vlerat e një njeriu të tillë jo.
Griseld Hoxha është dritë që nuk shuhet, zë që fluturon mbi valët, portret që nuk i përket vetëm kohës së vet. Hoxha tregon se arti është mision, pasioni është fuqia, dhe modestia është madhështia. Në çdo hap, në çdo kornizë, në çdo ekspozitë, lë gjurmë që rrezatojnë dhe frymëzojnë breza.
Ky rrëfim është solemnitet, është poezi, është oratori i shpirtit që nuk ndalet, por që vazhdon të ndriçojë mjedisin përtej objektivit të tij. Vetëm kështu Griseld Hoxha i jep jetës kuptim dhe bukuri që mbeten, nuk shuhen.
Durrës: 1 dhjetor 2025











