Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit – një urë arti, kulture dhe dialogu!

Nën kurimin e mjeshtrit Helidon Haliti dhe organizimin e VIZart, Bienalja sjell mbi 200 vepra nga autorë nga 50 vende të botës


Tirana, kryeqyteti i artit i Shqipërisë, mirëpriti edicionin e gjashtë të Bienales Ndërkombëtare të Akuarelit në Galerinë e Artit Tiranë, një ngjarje blatuar në një pikë takimi e rëndësishme e artit bashkëkohor, dialogut kulturor dhe frymës ndërkombëtare të bashkëpunimit.

E konceptuar si pjesë e iniciativës “Urat Mesdhetare”, frymëzuar dhe mbështetur nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Kulturës, Bienalia shndërron qytetin në një port mesdhetar shkëmbimesh ndërkulturore ku mediumi i brishtë e poetik i akuarelit shndërrohet në një gjuhë të përbashkët: e padukshmja merr formë, e heshtura tingëllon, drita fiton peshë.

 

Një ftesë për të ndërtuar ura përmes artit

Nën kurimin e mjeshtrit Helidon Haliti dhe organizimin e patëmetë të Shoqatës Kulturore VIZart, Bienalja nuk është thjesht një ekspozitë: është një akt i gjallë komunikimi njerëzor. Akuareli, si një nga teknikat më delikate të artit pamor, shndërrohet në një gjuhë universale që flet për miqësi, humanizëm, bukuri, përkatësi, dhe besnikëri ndaj shpirtit të krijimit.

Artistë të mëdhenj ndërkombëtarë, mjeshtra të akuarelit nga vende të ndryshme të botës, miq të vërtetë të Shqipërisë, rikthehen përmes veprave të tyre. Ata kanë vizituar vendin tonë, kanë përjetuar kulturën, zakonet, shijen e bukës sonë dhe freskinë e ujit, kanë zbuluar bukuritë natyrore dhe shpirtërore që Shqipëria ofron. Të gjitha këto përvoja janë derdhur në letër me mjeshtëri dhe ndjeshmëri, dhe tashmë kthehen në Tiranë si ambasadorë të artit dhe dashurisë për këtë vend.

Përurimin e Bienales e çeli Drejtoresha e Galerisë së Artit Tiranë, Edit Pula.

Presidentja e Shoqatës VizArt, Ormira Lulani, vlerësoi Edicionin e 6-të të Bienales Ndërkombëtare.

Kuratori i mirënjohur, Helidon Haliti, vuri theksin te dialogu mes kulturave mesdhetare, të krijojë një urë hapësire të hapur për reflektim, dialog dhe ndjeshmëri.

***

Me çmime speciale u nderuan katër artistë.

Ardian Isufi meritoi çmimin “Artisti më i mirë avant-garde”

 

Ikbale Kalaja Bushati, pedagoge dhe asistente piktorit të mirënjohur Ismail Lulani, u nderua me Çmimin Ndërkombëtar “Ismail Lulani”.

Me Çmimin Ndërkombëtar “Ismail Lulani” u nderua edhe piktori e studiuesi i arteve pamore, Abaz Hado.

Me çmimin “Artisti më i Mire i Akuarelit” u nderua piktori i mirënjohur Nestor Jonuzi, që dje festoi 80-vjetorin.

Një bienale me frymë të veçantë mesdhetare

Edicioni i sivjetëm vë theksin te dialogu mes kulturave mesdhetare, me një sallë të veçantë të dedikuar artistëve nga Egjipti, në veçanti pedagogëve të talentuar nga Universiteti i Arteve të Aleksandrisë. Ky bashkëpunim, i cili ka marrë jetë disa muaj më parë, përfaqëson jo vetëm një shkëmbim kulturor, por edhe ndërtimin e një platforme të qëndrueshme për krijimtari të përbashkët.

Këndi i NOSTALGJISË – një homazh për mjeshtrat tanë

Si çdo vit, Shoqata VIZart tregon kujdes të veçantë për të nderuar artistët veteranë, mësuesit tanë të mëdhenj që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e arteve pamore shqiptare. Këndi “Nostalgji” do të jetë një hapësirë reflektimi dhe respekti, një dialog i heshtur por i thellë mes brezave, ku kujtojmë me dashuri dhe vlerësim ata që na mësuan si të shohim përtej së dukshmes.

Akuareli – më shumë se teknikë, një ndjesi universale

Qëllimi i Bienales është i qartë: të krijojë një hapësirë të hapur për reflektim, dialog dhe ndjeshmëri, ku akuareli të mos shihet vetëm si teknikë, por si një mënyrë për të komunikuar përtej kufijve gjeografikë, kulturorë apo historikë. Një gjuhë që lidh njerëzit në nivelin më të thellë të shpirtit.

Në një epokë ku bota ka më shumë nevojë se kurrë për mirëkuptim, ky event bëhet një akt simbolik afrimi, një urë që lidh brigje, zemra, kujtime dhe vizione, përmes dritës, ujit, ngjyrës dhe frymës artistike.

Bienalia e Akuarelit në Tiranë nuk është vetëm një ngjarje – është një udhëtim emocional dhe vizual ku çdo vepër shndërrohet në një dritare drejt një bote tjetër, një rrëfim personal që, ndonëse i huaj në origjinë, është thellësisht i njohur në thelb: njerëzor dhe i përbashkët.

Bienalja u ndoq nga media të ndryshme televizive, të shkruar dhe online.

***

Disa foto nga Bienalja

Bienalja Ndërkombëtare e Akuarelit – një urë arti, kulture dhe dialogu!

Nën kurimin e mjeshtrit Helidon Haliti dhe organizimin e VIZart, Bienalja sjell mbi 200 vepra nga autorë nga 50 vende…

Agim Sulaj, artisti i mesazheve të fuqishme!

Piktori dhe karikaturisti i famshëm vlonjat numëron rreth 300 çmime ndërkombëtare dhe 40 ekspozita personale.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.