Falënderim për piktorin me famë ndërkombëtare, Gazmend Freitag. Nga dr. Mujë Buçpapaj

Stili i vizatimit i Freitag ndërthur realizmin bashkëkohor me elemente impresioniste dhe ekspresioniste


Nga Dr. Mujë Buçpapaj

Sot në Tiranë pata nderin të marr një dhuratë me vlerë të jashtëzakonshme artistike nga piktori patriot me famë ndërkombëtare dhe miku im, Gazmend Freitag – një portret timin i punuar me mjeshtëri dhe përkushtim të lartë në teknikën e lapsit, një portret skicë.

Ky portret – i realizuar me dorën e një artisti të formuar në shkollën e figurës dhe ekspresionit emocional austriak – nuk është thjesht një imazh i fiksuar në letër, por një reflektim i thellë i karakterit, përjetuar përmes vijave të sakta, dritëhijeve subtile dhe një ndjeshmërie që vetëm një portretist me shikim të thelluar mund të bartë.

Piktori Gazmend Freitag, është mik i gazetës letrare dhe kulturore, kombëtares Nacional prej themelimit të saj 17 vjetë më parë dhe bashkëpunëtor i saj me shkrime, përkthime, intervista dhe shumë punë të karakterit të portreteve si dhe ilsutrimeve të krijimtarisë artistike në gazetë.

Gazmend Freitag me origjinë nga Kosova, jeton dhe krijon në qytetin e Linzit në Austri, ku prej vitesh kultivon një vepër që lëviz mes realizmit figurativ dhe ndjeshmërisë moderne. Pasionin për artin e ka shfaqur që në fëmijëri, dhe pas emigrimit në Gjermani në vitin 1990, u përkushtua me seriozitet ndaj artit pamor. Studimet në Universitetin e Arteve në Linz i përfundoi në vitet 2013/14 në kursin e Akt-Zeichnen, ku fitoi një saktësi anatomike dhe finesë vizatimore që sot është mjaft e dallueshme në punën e tij.

Stili i tij ndërthur realizmin bashkëkohor me elemente impresioniste dhe ekspresioniste, duke përdorur teknika të ndryshme si: vaj, laps, krede, tushe dhe teknika miks. Ai arrin të japë jo vetëm pamjen fizike të subjektit, por shpirtin e tij të brendshëm – një fuqi e rrallë në artin portretues.

Në portofolin e tij shquhen portrete të shumë figurave emblematike të kombit shqiptar: Gjergj Kastrioti, Pjetër Bogdani, Ismail Kadare, Ibrahim Rugova, Aleksander Moisiu, Nëna Terezë, Lasgush Poradeci, Bekim Fehmiu, Anton Çeta, Ali Podrimja, Krist Maloki, Havzi Nela, Nexhmije Pagarusha, Jusuf Gërvalla, Anton Pashku, Zija Çela, dhe shumë të tjerë që ai i ka ringjallur në telajo apo në letër me një ndjesi fisnike dhe respekt të thellë për trashëgiminë kulturore.

Veprat e tij janë ekspozuar në galeri prestigjioze si: Bienalja e Veronës, Art Salzburg Contemporary, Galeria Artinnovation në Innsbruck, dhe janë vlerësuar nga kritika evropiane e arteve pamore për pastërtinë figurative dhe për qasjen moderne ndaj trashëgimisë shqiptare.

Një nga veprat e tij më të lavdëruara është “Kcimi i Tropojës”, që përshkruan valle tradicionale shqiptare (e njohur edhe nga UNESCO si pasuri shpirterore e njerezimit) me imazhin e modeles Emina Çunmulaj — një ndërthurje të ndjeshme mes kulturës shqiptare dhe artit bashkëkohor që forcon lidhjen ndërmjet artit dhe identitetit kombëtar.

Në vitin 2023 ai u nderua nga Lidhja e Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë, si një prej ambasadorëve më të denjë të kulturës shqiptare në diasporë.

Sot, ai ndodhet për disa ditë pushimi në bregdetin shqiptar, por fryma e krijimtarisë së tij nuk njeh stinë pushimi. Dhe unë, me shumë mirënjohje, mbetem thellësisht i prekur nga ky akt i tij artistik dhe miqësor – portreti im, i sjellë përmes vizionit të Gazmend Freitag, do të mbetet një kujtim i rrallë dhe një dhuratë me vlerë për mua. Ju faleminderit Gazmend!

Falënderim për piktorin me famë ndërkombëtare, Gazmend Freitag. Nga dr. Mujë Buçpapaj

Stili i vizatimit i Freitag ndërthur realizmin bashkëkohor me elemente impresioniste dhe ekspresioniste

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.