Pak fjalë për Vanin dhe albumin e Lucit!

Mjeshtri Nikolin Luci, që punon dhe jeton në Firence, a ka kushtuar Vani (Wanny Antonio Di Filippo) vepra të veçanta


Nga Fatos Kola

PAK FJALË PËR VANIN DHE ALBUMIN E LUCIT

Vani (Wanny Antonio Di Filippo) është një stilist dhe sipërmarrës fiorentin, i njohur botërisht si themeluesi i firmës dhe markës së lëkurës “Il Bisonte”, që prodhon çanta, rripa dhe aksesorë prej lëkurësh cilësore, të punuara me dorë.

Vani është i njohur për veshjen e tij me ngjyra të ndezura, kapele të mëdha, shall dhe bizhuteri unike. Pamja e tij është bërë ikonike në botën e modës dhe dizajnit për stilin personal tejet unikal.


Mjeshtri Nikolin Luci që punon dhe jeton prej vitesh në Firence, ia ka kushtuar mikut të tij Vani mjaft vepra të dedikuara e të përmbledhura në një album tejet cilësor për nga realizimi tipografik. Ndër këto punime të mrekullueshme të Lucit unë përzgjodha si “përfaqësues sintetik” dhe shqyrtova njërin nga portretet me personazh Vanin.

Në këtë portret dhe në të gjitha punimet e përfshira në albumin dedikuar Vanit, (apo të realizuara në Itali dhe gjetkë), mjeshtri i madh Nikolin Luci na ofron kuptimësinë e imazheve jo thjesht si objekte estetike, por si fenomene kulturore me thelb kontekstual, e që harlisen përmes harmonisë së formës, ngjyrës, stilit dhe kompozicionit.

Paletat e Lucit qysh në kontaktin e parë na ballafaqojnë dhe na përmbushin me portretizime plot sqimë dhe filozofi të imazhit. Madje jo vetëm kaq, por na shtyjnë të reflektojmë kah ndërtimi i identitetit të përsonazhit. Proces analitik ky që na mundëson ndjekjen e trajektores piktorike kah lartësimi dhe kulmimi i imazhit si formë e të shprehurit, si formë e të menduarit dhe njëkohësisht si njëri nga konceptet themelore të kulturës vizuale. Dhe kjo ndodh sepse imazhi piktorik i personazhit “Nikolin-ian” nuk riprodhon thjesht realitetin, por krijon kuptime të reja dhe bëhet ndërmjetës komunikimi mentalo-pamor midis artistit dhe shikuesit. Kësisoj figura njerëzore shndërrohet në një shenjë, në një shprehje të botës së brendshme, në një konstruksion kulturor.

Për Lucin kuptimi modern i imazhit përfshin dhe instrumentalizon kodin vizual, gjuhën simbolike dhe subjektivitetin në përpjekjen cfilitëse për të na kumtuar sesi imazhet ndikojnë mënyrat tona të të menduarit, të të kujtuarit, të perceptuarit dhe të kuptuarit e vetvetes.

Duke ndërmendur pjekurinë e thellë profesionale të Lucit konkludojmë me lehtësi se, për të si mjeshtër virtuoz imazhet janë gjurmë njohëse që strukturojnë perceptimin dhe identitetin individual e kolektiv. Për Lucin, kultura vizuale funksionon si një arkiv kuptimësish, prej nga ku çdo imazh del i bashkëshoqëruar dhe shpreh vizualisht botën e brendshme të personazhit të portretizuar. Motivet dekorative mbështjellin subjektin teksa personazhi dhe konteksti ndërkallen aqsa identiteti, stili dhe arti mbivendosen.

Në këtë kuptim dhe kontekst, portretet e Lucit nuk janë ilustrime thjesht realiste, por janë nyje konceptuale ku ndërthuren disiplina sikurse anatomia e artit, antropologjia, estetika dhe psikologjia.

FILOZOFIA E IMAZHIT

Filozofia e imazhit tek portretet e Lucit shpërfaqet si një tendencë e brendshme e artistit dhe si një ftesë për të parë më thellë, për të menduar vizualisht, për ta perceptuar vizualen jo si një pamje, por si një formë ekzistence. Ndaj dhe në këtë kontekst portretet e tij: janë bartëse dhe gjurmë të shenjuara të shpirtit; janë metafora të autorit dhe të personazheve që udhëtojnë pandalshëm në botën e tij të imazheve; janë mënyrë dhe formë e të menduarit të tij vizual; janë akte simbolike në të cilat arti, personaliteti dhe kultura e Lucit kryqëzohen e përthithen reciprokisht.

NGJYRA

Ngjyra është një nga aspektet më të fuqishme të këtij kompozimi. Nëpërmjet saj Luci na kumton se ngjyra nuk është, ndër të tjera, edhe një “mbulesë” e formës, por është bartëse e fuqishme kuptimësie e qëllimësie, me anë të të cilave mjeshtri i dozoi fytyrën dhe veshjen e personazhit me kontrastin kromatik maksimal.

Por ndonëse paleta dominohet nga të gjelbrat, të verdhat, blutë dhe thekse të së kuqes, mënyra sesi ngjyrat janë fragmentuar enkas, sikur të ishin copëza të një mozaiku, të kujton stilet moderniste, por të kujton gjithashtu edhe traditat dekorative toskane, të mishëruara sidomos tek ngjyrosja e pëlhurave artizanale.

Paleta e përdorur është jashtëzakonisht e pasur, por jo kaotike. Ngjyrat parësore dhe dytësore harmonizohen në një arkitekturë kromatike që komunikon kompleksitet dhe thellësi të brendshme. Ngjyrat dominuese të gjelbërta evokojnë vitalitet dhe kreativitet, ndërsa e verdha dhe okra ndërmendin diellin, mençurinë dhe pjekurinë. Blutë e thella të sfondit krijojnë një ndjesi nate, pothuajse kozmike, në të cilën personazhi shfaqet si një arketip i zbritur nga një kozmos i dendur me simbole.

FILOZOFIA E NGJYRËS

Në portretin e Vanit na jepet jo vetëm pamja e një personi konkret, por edhe imazhi i plotë i një personaliteti të shndërruar në një mit, në një arketip vizual të bazuar fort mbi një filozofi ekzistencialiste të shprehur estetikisht.

Prandaj kur shikon këtë portret dhe të gjitha punimet e Lucit të pasqyruara në album konstaton menjëherë se në paletën e tij jo vetëm që nuk gjenden ngjyra të rastësishme, por gjithësecila syresh mbart kuptim dhe ngarkesë emocionale.

E gjelbra (ngjyra dominuese në veshje), shoqërohet me natyrën e gjallë, origjinalitetin dhe organicitetin. Kjo ngjyrë e jetës dhe e ripërtëritjes duket sikur e paralamëron shikuesin se po përballet me një person që është ngulitur dhe përfshirë fort në ritmet e botës ku jeton.

E gjelbra (në pallto) simbolizon gjithçka që karakterizon filozofinë e markës “Il Bisonte”, e themeluar nga Vani.

E verdha dhe okra (në kapelë dhe shall) përcjellin ngrohtësi, mençuri dhe dritën e botës së brendshme.
E kuqja (në kravatë) përfaqëson dhe mbart një shenjë pasioni, force dhe natyre artistike.

Tonet e thella blu dhe vjollcë të sfondit krijojnë kontrast, duke evidentuar fort personazhin dhe duke i dhënë atij një dimension pothuajse mistik.

Ngjyrat në portretin e Vanit janë të organizuara në një mozaik kompleks ku secili fragment ngjyror emeton informacione rreth personalitetit të tij prej esteti në jetën e përditshme dhe në veshje. Ndaj dhe Luci e ndërton paletën piktorike si një kod të njimendtë të vetëshprehjes vizuale.

Thënë në mënyrë të përmbledhur, ngjyra në këtë vepër nuk bart vetëm një efekt pamor sugjestiv, por shërben edhe si ekuivalent metaforik i personazhit, duke zbuluar personalitetin e tij shumështresor të “heroit-mit”.

FORMA DHE GJEOMETRIA SIMETRIKE

Forma si gjuhë e strukturuar, në këtë portret është ndërtuar si një mozaik vizual ku spikasin fort fytyra, kapela, mjekra, rrobat. Ky stilizim formal i lejon mjeshtrit Luci të kombinojë konkreten dhe universalen, fiziken dhe simboliken.

Kjo qasje na ndërmend dhe na referon traditat e artit dekorativ të pikturës bizantine të ikonave dhe të “epokës së modernizmit”…, ku forma shndërrohet në strukturë solide e rendit të brendshëm, dhe jo vetëm komponent i ngjashmërisë së jashtme.

Shpesh forma në portret shndërrohet në një metaforë: nuk është thjesht dhe vetëm një regjistrim dhe renditje realiste e tipareve, por një teksturë dhe përfaqësim vizual i personazhit të pozicionuar në kohë dhe hapësirë të hierarkuar shoqërore.

Forma, plasticiteti dhe skema e subjektit, struktura formale dhe gjuha vizuale e përdorur nga Luci nuk na dëshmojnë vetëm sesi e formëson ai një imazh, por edhe sesi e strukturon përvojën e thellë vizuale që disponon.


Për Lucin forma është dimensioni përmes të cilit imazhi fiton lexueshmëri brenda kulturës së tij vizuale. Ndaj dhe në portret, forma është qartësisht e lexueshme, por është gjithashtu edhe e fragmentuar dhe e gjeometrizuar.

Fragmentimi formal dhe i qëllimshëm i mjeshtrit e përshpejton njohjen e menjëhershme të personazhit, dhe kjo teknikë është veçanërisht e rëndësishme për aktin e identifikimit të tij.

Struktura formale e fytyrës i bën jehonë veshjeve: të dyja i nënshtrohen të njëjtave ligje formale, duke krijuar ndjesinë e integritetit të subjektit. Shndërrimi i kapeles, shallit dhe mjekrës në nyjtime simbolike të krijon idenë sikur Luci e grish shikuesin të eksplorojë gjithçka që vibron nën sipërfaqe.
Duke pohuar se fytyra, mjekra, rrobat, kapelja dhe gjithçka është paraqitur me fusha ngjyrash të ndara në plane të thyera, tërthorazi kemi pohuar se ky trajtim formal i Lucit plotëson të gjitha kushtet për të na çuar tek e ashtuquajtura “sintaksë vizuale” e tij, që nuk është tjetër veçse leksikoni dhe konvencioni i tij i modernitetit vizual.

STILI SI THAGMË ESTETIKE

Në këtë portret, stili figurativ është përzgjedhur si narrativë tendencioze estetike, që bazohet në kontrastin midis dekorativitetit të strukturuar, abstraksionit simbolik dhe psikologjizimit të personazhit, me tendencë kah miti individual.

Stili ekspresiv i Lucit mundëson evidentimin e detajeve të punuara me kujdes, qysh nga tiparet e portretit, nga tekstura e kapeles e deri tek vrimat e kopsave. Kjo përkujdesje ndaj çdo detaji e bën stilin e elaborimit të portretit jo vetëm spektakolar në gjendjen e vet emotive, por edhe filozofik në përmbajtje.

Falë këtij stili Luci ia arrin të respektojë individualitetin e personazhit larg një dekorativiteti për hir të efektit, por formulon gjithashtu edhe një filozofi vizuale që lartëson idealet dhe dinjitetin njerëzor.

Në këtë portret e gjithë sipërfaqja piktoriale është e organizuar sipas një logjike modulare përplot me fragmente drejtkëndëshe dhe poligonale. Vetë fytyra nuk është dhënë me nuanca të buta natyraliste, por me plane të qarta kromatike, pothuajse si pllaka mozaiku. Ky sistem formal-estetik të ndërmend artin bizantin, koloritin gotik dhe skolastikën teorike të lëvizjeve të tilla si Kubizmi Sintetik dhe Orfizmi. Ndaj dhe efekti që përftojmë prej kontaktit fillestar me këtë portret është ai i ngjasimit me një ikonostas me figurë hierarkike që duket sikur qëndron e pezullt në një hapësirë simbolike.

SIMBOLIKA HAPËSINORE E ZGJIDHJES KOMPOZICIONALE

Kompozimi është simetrik, por dinamika e sfondit të portretit e shpërthen atë në një pafundësi fragmentesh gjeometrike, ku gjithsesi është kompozimi që përcakton hierarkitë vizuale. Fytyra e personazhit është vendosur në qendër të kanavacës dhe shikimi i tij drejtohet direkt tek shikuesi. Qendra e kuadratit piktorik është vendi i kuptimit dominues të mesazheve, nëpërmjet të cilave figura qendrore rrezaton kontroll dhe personalitet.

Ndaj them me bindje se ky kompozim respekton traditën ikonografike bizantine, ku figura zë boshtin kryesor të imazhit e ku shenjtori apo filozofi pikturohen frontalisht si një prani konkrete dhe simbolike në hapësirën e kuadratit piktorik. Kuadrat në të cilin qendërsia (centriciteti) luan një rol dhe funksion ontologjik në sintaksën vizuale që Luci e formulon dhe e përdor me zhdërvjelltësi si një set rregullash strikte, me anë të të cilave organizon imazhin. Ndaj dhe sintaksa e tij vizuale derivon me lehtësi dhe qartësi tek simetria e fytyrës, tek përsëritja e moduleve gjeometrike, tek zbukurimi i sfondit dhe tek lartësimi gradual i konstruksionit estetik të subjektit në të cilin forma pasqyron thelbin.

Në vepër sfondi na “flet” me një gjuhë tjetër, atë të identiteteve të shumëfishta… Ndaj dhe duke e trajtuar kompozimin e veprës si një rrëfim të njimendtë ekzistencial Luci e ka trajtuar sfondin si një vorbull formash gjeometrike dhe dritëhijesh që evokojnë një dimension shpirtëror dhe mistik që të krijon idenë sikur figura del nga një thellësi e padukshme e pavetëdijes kolektive.

SFONDI SI UNIVERS VIZUAL

Sfondi në këtë portret dhe në të gjitha punimet e Lucit përfaqëson një hapësirë dinamike mbushur me forma gjeometrike dhe fragmente plot ngjyra. Ai jo vetëm e shoqëron dhe e plotëson figurën, por hyn në një dialog me të. Sfondi si fushë njohëse dhe hapësirë reale me dendësi dhe përplot pasuri dekorative, forma, ide, kuptime, figura dhe simbole – shndërrohet në peizazh kulturor dhe në një psikokozmos të njimendtë të personazhit.

Parë kësisoj ky sfond mund të kundrohet si një vizualizim i botës së brendshme, mendimeve, përvojave, shtresimeve kulturore. Realizimi mjeshtëror i sfondit prej Lucit, jo vetëm që nuk e shpërqendron vëmendjen nga personazhi por ia rrit atij dimensionin konceptual.

MESAZHET ARKETIPALE TË PORTRETIT

Mjekra gri, kapela dhe veshja e paraqesin personazhin si një burrë të moçëm urtak, që jo vetëm jeton midis njerëzve, por nuk i humbet kurrë lidhjet me idealet humaniste dhe me kuptimet më të larta.
Një shall shumëngjyrësh, një veshje e pazakontë, një buzëqeshje e lehtë në fytyrën e tij – e gjithë kjo sugjeron që para nesh qëndron një mendimtar që shkatërron modelet banale të mjedisit urban e shoqëror duke shkaktuar kaos të përkohshëm me dromca lirie, mbarsur me një kuptim të ri dhe dashuri për jetën.
Nëpërmjet penelit të Lucit portreti i Vanit sofistikohet dhe lartësohet në një strukturë vizuale të personalitetit ku veshja transformohet në arkitekturë të identitetit me performancë estetike, ngjashëm me post-strukturalizmin pamor që e kundron identitetin e objektit artistik si akt dhe si thelb.

Ndaj dhe Luci e ka vendosur subjektin në qendër të një aureole vizuale që e shndërron Vanin gati-gati në një figurë totemike, e aftë, e denjë dhe e dispozuar për të frymëzuar…

Ky arketip i rëndësishëm për personalitetin krijues të Lucit na pahon se komponentët estetikë të shpaluar prej tij janë një mënyrë e qëllimtë për të ekspozuar dhe kulmuar konvencionet.

Pikërisht ky është personazh-portreti arketipal, në të cilin figura njerëzore shndërrohet në epiqendrën e kompozimit dhe në grykëderdhjen burimore të mesazheve përmbajtësorë.

IMAZHI SI FILOZOFI E QËNIES

Duke qenë themelues i markës “Il Bisonte” me reputacion ndërkombëtar, Vani përfaqëson figurën e njeriut që krijon gjëra me shpirt. Ndaj dhe portreti i tij emeton një krijues jo thjesht të objekteve me shije të lartë estetike, por edhe të botëve të lëkurës, ngjyrës, formës, stilit. Janë pikërisht këto cilësi që e shndërrojnë portretin e Vanit në universal dhe mitik, si dhe në një manifest vizual në të cilin bashkohen botëkuptimi dhe roli kulturor i individit.

Nëpërmjet emetimit të këtyre atributeve të personazhit në veprat e dedikuara, artisti përcjell jo vetëm imazhin si filozofi, por edhe lirinë për të qenë vetvetja. Ndaj dhe nga ky këndvështrim teorik, piktura e Lucit ia ka arritur të jetë sintezë e gjuhës pamore dhe simbolizmit ngjyror e konceptual, që e ftojnë shikuesin jo vetëm të shikojë e shijojë, por edhe të reflektojë.

Kjo është një vepër në të cilën portreti bëhet pjesë integrale e filozofisë vizuale të modernitetit ku analiza strikte na ndih të identifikojmë rrafshet kryesore të shqyrtimit: ngjyrën (konfigurimin kromatik); formën (hartografinë formale); përbërjen (konfigurimin strukturor), si dhe marrëdhënien e tyre me përvojën kulturore dhe të menduarit vizual.

SI KONKLUZION DUHET THËNË SE:

Këtë portret mjeshtri Luci e ka ndërtuar me inteligjencë simbolike dhe dashuri për detajet. Ndaj dhe në tërësi vepra na pohon se bukuria e saj mbështetet në koherencën midis shpirtit dhe imazhit. Por përtej vlerave estetike portreti është transformuar edhe në një objekt dhe konstrukt filozofik që e modulon dhe e proliferon imazhin si strukturë vizuale.

Në fundore, nëpërmjet ndërkalljes së figuracionit me realizmin, rendit me ritmin dhe materies me mendimin, mjeshtri Nikolin Luci ka arritur dhe ka kulmuar nivele eprore të denja për talentin e tij që ngarend drejt perfeksionit.

——

(Marrë nga Facebook-u i të ndjerit Fatos Kola)

Gonxhja: Ekspozitë unike me ikonat shqiptare në Francë

Mbi 45 vepra ikonografike të Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar do të udhëtojnë nga Korça drejt qytetit Chambery, në Francë.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.