“Ikonostasët e Shqipërisë”

Më 23 dhjetor 2024, në Akademinë e Shkencave u përurua libri i dy bashkautorëve, Andrea Llukani dhe Ylli Drishti


Më 23 dhjetor 2024, në sallën “Aleks Buda” në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në Tiranë u përurua libri i dy bashkautorëve Andrea Llukani dhe Ylli Drishti me titull: ”IKONOSTASET E SHQIPËRISE”.

Ky Projekt është fitues në thirrjen për aplikim, financim dhe mbështetje me fonde publike nga “Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit”, në vitin 2024 si dhe u mbështet nga Credins Bank.

Libri me Titulli: “IKONOSTASET E SHQIPËRISË” ka 328 faqe dhe shoqërohet me 256 foto me ngjyra, 18 foto bardh e zi dhe 8 skica vizatime bardh e zi dhe me ngjyra.

***

Parathënie e librit

“…Ikonostasi si vepër arti përveç simbolikës së krishterë, në historinë e arteve pamore në Shqipëri përmban dhe shembujt më të bukur të zhvillimit të skulpturës: relievit dekorativ, tematik dhe artistik dhe është pjesë e Trashëgimisë Kulturore. Duke pasur parasysh që historia e ikonostaseve në Shqipëri ka një kohështrirje të gjatë, që lidhet fillimisht me “templonin” e bazilikave paleokristiane të shek. IV -VI dhe dekoracionet arkitektonike brenda tyre, në këtë botim, përveç një historiku të shkurtër të historisë së tyre në bazilikat paleokristiane kryesisht jemi ndalur në paraqitjen, analizën dhe vlerësimin e ikonostaseve prej muri të pikturuar dhe atyre të gdhendur prej druri në periudhën pasbizantine.

Në tetë ikonostaset prej muri të pikturuar që kemi paraqitur në këtë botim vëmë re disa elemente të përbashkët në strukturën kompozicionale të tyre. Kështu lartësia e tyre fillimisht ishte modeste dhe arrinte në 2 m lartësi (kisha “Shën Stefani”, Dhërmi, shek. XIII). Gradualisht në dy kishat e pikturuara nga Onufri më 1554: “Shën Kolli”, në Shelcan dhe “Shën e Premte”, në Valsh, lartësia e ikonostasit rritet deri në 2,75 m dhe pikturohet edhe nga pjesa e pasme e tyre. Ikonostaset prej muri përbëheshin nga dy dyer me hark: dera qendrore dhe dera veriore.

Në ikonostaset e disa kishave si: “Shën Maria”, Krorës, (Sarandë, 1672), “Ipapandia”, Dhërmi, (Vlorë,1751) dhe “Shën Gjergji”, Demë (Sarandë, shek. XVIII), vëmë re tashmë ato kanë tri dyer me hark sipër. Te kisha “Shën Spiridhoni”, Vuno (1778), ikonostasi përbëhet prej pesë dyerve me hark sipër. Pas ikonostaseve të parë të shek. XIII-XVI, vëmë re se ikonostaset e tjerë rriten në lartësi dhe struktura e tyre kompozicionale arrin në katër breza horizontalë (kisha “Shën Maria”, Krorëz, Sarandë).

Në fillimet e tij ikonostasi – “temploni” në bazilikat paleokristiane në Shqipëri në shek. IV-VI, përbëhej vetëm nga kolonat me arkitraun e dekoruar sipër dhe parapetet / pllakat e poshtme prej guri ose mermeri të gdhendura kryesisht me imazhin e kryqit, të shpendëve dhe dekoracioneve bomire. Në Bazilikën e Linit, në mozaikun e dyshemesë (shek. VI), vërejmë të realizuar me ngjyra Skenën e Eukaristisë të shoqëruar me motive të thjeshta gjeometrike.

Një nga tiparet e këtyre ndërtimeve bazilikale ishte struktura e tyre arkitektonike e përbërë nga naosi (kryesisht nga tri nefe), narteksi, eksonarteksi dhe atriumi. Bien në sy përmasat e tyre të konsiderueshme me gjatësi mbi 20 m, por në disa bazilika gjatësia e tyre është akoma më e madhe, si mund të kujtojmë: bazilika “extra muros”, në Skampin (Elbasan) me përmasa: 113,75 x 19.35 m; bazilika e “Shën Mëhillit”, Arapaj (Durrës) me përmasat: 65 x 28 m; manastiri i “40 shenjtorëve” (Sarandë) me përmasat: 43 x 23 m etj.

Të gjitha ndërtimet bazilikale paleokristiane të shek. IV-VI, në Shqipëri kryesisht janë me muret në gjendje rrënoje, përveç bazilikës së madhe të Butrintit (Sarandë), e cila ruan pothuajse të plotë lartësinë e mureve. Dyshemetë e bazilikave paleokristiane zakonisht kanë qenë të zbukuruar me mozaikë, ndërsa apsida ndahej nga naosi nga temploni i dekoruar.

Në naos në pjesën qendrore apo anën e majtë (jugore) zakonisht ishte amvoni. Duke parë kujdes dekoracionet e pllakave të parapeteve ndarës të templonit, të cilat edhe pse të fragmentuar i ruajnë imazhet e gdhendura në gur apo edhe në mermer, vëmë re se ato kryesisht janë dekoruar me imazhin e kryqit, zogjve dhe dekoracioneve bimore. Duke u konsultuar me artikujt e shumtë edhe të arkeologëve të tjerë, që kanë punuar në qendrat e rëndësishme, si, Bylisi, Butrinti, Lini, Antigonea, Amantia etj., jemi fokusuar kryesisht në vlerësimin e strukturës kompozicionale të templonit (ikonostaseve) të bazilikave paleokristiane, vendit ku janë vendosur pranë altarit dhe formës së tyre të larmishme.

Një rëndësi për ne kishte veçanërisht kronologjia e dekoracioneve me gdhendje në mermer dhe në gur. Synimi ynë ka qenë të kërkonim, të zbulonim, të evidentonim, veçanërisht trasmetimin apo ripërdorimin e dekoracioneve simbolike të templonit të bazilikave të hershme të shek. IV-VI në ikonostaset e gdhendura në dru të shek. XVII-XX. Një ndihmesë mjaft rëndësishme gjatë punës sonë studimore kanë qenë artikujt dhe botimet e veçanta për mozaikët e këtyre bazilikave të autorëve të ndryshëm, si edhe kolana e botimeve për mozaikët e Shqipërisë, përgatitur nga dy bashkautorët Marie-Patricia Raynaud dhe Agron Islami me titull: “Corpus of the Mosaics of Albania” (Ausonius Editions). Më me shumë mungesa janë studimet për ikonostaset prej muri, të pikturuara dhe të atyre prej druri nga ana e studiuesve të artit mesjetar.

Vlen të përmendim studimet e studiuesve Fatbardha Shkupi, Besim Tabaku, Mustafa Arapi, Kostandin Jakumis dhe Era Xhaferraj. Por, gjithsesi, vëmendja e tyre është përqendruar kryesisht në ikonostase të veçantë. Studiuesja Fatbardha Shkupi, në botimin e saj të veçantë, me titull “Voskopoja 4 mrekullitë e gdhendura në dru” (Gervis, Tiranë, 2001), përshkruan, analizon, zbulon dhe vlerëson mjeshtërit që kanë gdhendur ikonostaset e Voskopojës.

Ajo evidenton edhe emrat e gdhendësve shqiptarë të zonës malore së Oparit. Një ndihmesë të veçantë na kanë dhënë edhe dokumentacioni grafik i realizuar nga viti 1982 – 1990 nga specialisti restaurator i ish-Institutit të Monumenteve të Kulturës, Tiranë (sot IKTK), z. Besim Tabaku dhe relacionet e tij përshkrimore.

Puna konservuese dhe restauruese e Besim Tabakut, Erold Aliajt edhe e specialistëve të tjerë restauratorë, si, Ali Ago, Genc Hajdari, Sokrat Kuvarati në realizimin e dokumentimin grafik (kryesisht në shkallën 1;10 dhe 1:20), na kanë ndihmuar, veçanërisht për ta kuptuar sa më qartë strukturën organizative të ikonostaseve të ndryshme, përmasat dhe zbukurimet e tyre. Ky grup restauratorësh (Besim Tabaku, Erold Aliaj dhe Ali Ago) janë realizuesit e projekteve të konservimit & restaurimit të 12 ikonostaseve gjatë viteve 1982-1990. Autor është Besim Tabaku…”

Një foto e vjetër dhe qyteteria e një fshati!

Dardha, fshati i njohur malor në rrethin e Korçës, ka nisur mjaft herët marrëdhëniet me jashtë

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.