“Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo dhe koha e tij”

Studiuesja Suzana Varvarica-Kuka: Edison Gjergo, me pikturën, mendimin dhe jetën e tij shkroi disidencën e vet


U mbajt ligjërata “Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo (1939-1989) dhe koha e tij” me studiuesen e artit Suzana Varvarica-Kuka.

Komisioni i përhershëm i arteve pranë Akademisë Shkencave të Shqipërisë, sot, më 12 korrik 2024, organizoi ligjëratën “Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo (1939-1989) dhe koha e tij” me studiuesen e artit Suzana Varvarica-Kuka.

Veprimtaria u moderua nga gazetari Mentor Kikia.

Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi eksperten e shquar të arteve Suzana Varvarica-Kukën, e cila ka dhënë një kontribut të madh në studimin e veprave dhe autorëve të arteve pamore.

Akad. Tole vuri në dukje se kjo është veprimtaria e parë e komisionit të ristrukturuar të arteve, dhe bëri një prezantimin të shkurtër se çfarë përfaqëson komisioni i arteve, si një nga 13 komisionet e përhershme që funksionon pranë Akademisë së Shkencave, dhe që u dedikohet vetëm arteve shqiptare, ashtu sikurse Qendra për Studimin e Arteve, një institucion i ri shkencor, që u ristrukturua për të vënë në fokus të studimeve artin dhe artistët shqiptarë.

Akad. Tole prezantoi ndërkohë përbërjen e komisionit të artit të përbërë nga akademikë dhe specialistë të fushave të ndryshme të artit: Vasil S. Tole – kryetar; Stefan Çapaliku – anëtar; Fatos Kongoli – anëtar; Josif Papagjoni – anëtar; Najada Hamza – anëtare; Suzana Varvarica – Kuka – anëtare; Altin Basha – anëtar; Denis Bizhga – anëtar; Namik Dokle – anëtar; Megi Tafaruci – anëtare; Abigeila Voshtina – anëtare; Belfjore Qose – anëtare.

Studiuesja e artit Suzana Varvarica, në ligjëratën e saj, prezantoi disa fakte rreth Shqipërisë së viteve 1940-1990; shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1900-1940 si paraprijëse të shkollave të artit gjatë periudhës komuniste 1945-1990; shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1945-1990 dhe programet e tyre; liceu artistik “Jordan Misja”; shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1945-1990 dhe programet e tyre; Universiteti i Arteve etj., si dhe bëri një pasqyrim të trysnisë politike mbi artin në vitet 1940-1990. Më pas ajo prezantoi artistët e dënuar politikisht, grupimet dhe veçimin e tyre.

Varvarica bëri një përshkrim të zgjeruar të kohës që formoi Edison Gjergon, duke përshshkruar talentin, veprat, profilin e artistit dhe kalvarin e vuajtjeve të tij në diktaturë, si më poshtë:
Edison Gjergo u rrit në fillesat e sistemit komunist, në mesin e një shoqërie të varfër e me mendësi feudale. Prindërit, Vangjel dhe Kornelia e edukuan me pikturën, muzikën klasike, jurisprudencën dhe historinë. Kornelia Gjergo ishte mësuese dhe Vangjel Gjergo kishte qenë zyrtar, jurist e nëpunës në shërbim të mbretërisë shqiptare.

Pas çlirimit, familja Gjergo u përshi në listat e familjeve me origjinë të pasur e shtresë e lartë. Sistemi komunist i veçoi, i dalloi dhe i mbajti në survejim e përgjim.

Edison Gjergo si adoleshent e nisi jetën me guxim, plot talent në vizatim dhe në pikturë. I dashur dhe i ditur me muzikën klasike. Ai u hodh pastërtisht në botën e artit, duke kërkuar të panjohurën rreth tij. Në vitin 1958 përfundoi liceun “Jordan Misja” dhe punoi duke pikturuar reklamat e filmave që shfaqeshin në kinematë e Tiranës, ku u njoh edhe me të kundërshtarë të sistemit komunist. Në këto mjedise filloi të komunikonte me të tjerë pikëpamjet e tij të kundërta ndaj mënyrës realiste, tradicionale e populiste të krijimit, që mbështeteshin në mundësitë e kohës dhe kultura e propagandës, të cilat nuk i pranonin kurrsesi lëvizjet dhe drejtimet artistike të artit modern europian e më gjerë.
Koha e studimeve të larta ishte kohë e artë për të. Pedagogët e tij në ILA e vlerësonin pozitivisht dhe e dallonin për një talent të rrallë. Ai ishte i lirë. Krijimet e tij kishin një atmosferë figurative “modern revolucionare”, që dallonte nga atmosfera e ngurtë dhe përshkruese e realizmit socialist. Këtë ai e besonte dhe nuk e parashikoi dënimin dhe persekutimin artistik.

Përndjekja e tij ka nisur nga fundi i vitit 1968, kur Edisoni kishte filluar të krijonte dhe jetonte në mënyrë liberale, i kënaqur me aftësitë e veta, por i pakënaqur nga niveli social dhe artistik i shoqërisë së mbyllur shqiptare. Ai kishte filluar të fliste hapur me disa individë, ndërmjet tyre dhe me përndjekësit e paguar të sigurimit të shtetit. Erdhi një kohë që veprat e tij nuk pranoheshin në ekspozita.Ato kritikoheshin nga anëtarët e komisioneve të LSHA.

Edison Gjergo u dënua nga gjykata popullore si fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit dhe se “ka mburrur artistët e rrezikshëm modernist Frojdin, Shagallin, Sartrin, Kamy, Pikaso e tjerë … ka bërë piktura të ndryshme me përmbajtje moderniste e dekadente”.

Edison Gjergo u stërmundua disa vite në burgun e Spaçit, i cili ishte një kamp i tmerrshëm vuajtje dhe pune të stërmundishme. Edison Gjergo u lirua nga burgu më 15 nëntor 1982. Pas burgut jetoi vetëm 7 vite. Ishte një njeri tjetër nga Edisoni i viteve 1970. Punoi si punëtor mirëmbajtje, shkrues parullash. U mbyll në vetvete si një njeri i humbur, nën një disekulibër shpirtëror. Ishte i frikësuar, i pashpresë, I pafuqi. Ishte pa miq e shokë. Pas një jete të zvarritur, i martuar, me gruan shtatzënë, plot brenga sociale, i parehabilituar, i cilësuar armik, i braktisur nga kolegët dhe miqtë, i sëmurë rëndë ndërroi jetë më 26 qershor 1989.

Në ditët e sotme, duke njohur jetën dhe krijimtarinë e tij, Edison Gjergo është produkt i besimit në vetvete, i qëndrueshmërisë krijuese, i guximit për të mos u nënshtruar, i mosbesimit në marrjen e masave të egra dhe ekstreme ndaj tij; i vuajtjeve, kërcënimeve dhe i nënshtrimit në burg; i mungesës së forcës për të shmangur degradimin psikologjik e social dhe i një shoqërie që nuk e mbështeste dhe e ndihmonte individin, nuk protestonte e kundërshtonte, por ishte e nënshtruar.

Edhe pse në ditët e sotme trashëgojmë pak vepra, sepse studio e tij u bastis dhe veprat u eliminuan gjatë procesit hetimor, përsëri në sipërfaqen e tyre shohim përmbajte të lidhura ngushtësisht me kërkesat e temave që sugjeronte LShASh.

Ai, sipas kërkesës së kohës, pikturoi partizanë, punëtorë, fshatarë dhe heronj, por i perceptoi në mënyrën e tij si një artist që vlerësonte pavarësinë dhe individualitetit artistik të shprehjes së formës figurative. Përmes disidencës, veprave dhe qëndrimit të guximshëm për të mos e ndryshuar perceptimin figurativ modern ndaj subjektit dhe përmbajtjes socialiste dhe të 7 viteve të trishtuara të jetës së pasburgut, Edison Gjergo krijoi kohën e tij.

Ai dhe një grup artistësh të rinj dëshironin një mënyrë të ndryshme dhe rrugë të reja për zhvillimin e arteve pamore. Koha dhe sistemi nuk bënë asnjë kompromis me dëshirat e tyre dhe Edison Gjergos, Ali Osekut dhe Maks Velos nuk iu dha dora, nuk i shpëtuan dhe nuk e justifikuan rebelizmin e tyre.
Edison Gjergo në një moshë aktive dhe plot energji ishte një shpirt i lirë, karakteristikë e grupit të artistëve të rinj e të ndaluar të asaj kohe. Ai u përpoq ta pasuronte pikturën me elemente të artit të avangardës europiane dhe t`i pasqyronte figurativisht subjektet e jetës socialiste me elemente të një forme të ndryshme nga elementet e formës që sugjeronin parimet e metodës së Realizmit Socialist. Ai krijoi atmosferën e tij përmes imazhit ndjesor të nënvetëdijes figurative, për të cilën mendoj se është burim i qëndrueshmërisë së artistit dhe artit të tij.

Një nga deklarimet e tij në hetuesi, zbulon personalitetin e tij artistik dhe intelektual:
“Të them të drejtën, fjalën “socialist” që vjen pas fjalës “realizmi”, nuk e kuptoj; realiteti objektiv në art nuk ekziston, sepse nuk ekziston një realitet i tillë as si koncept në art. Arti është realitet i ri, që preket nga artisti dhe shijohet fortësisht nga njeriu”.

Edison Gjergo, me pikturën, mendimin dhe jetën e tij, shkroi disidencën e vet, të cilën do ta trashëgojmë në historinë e arit shqiptar si koha e Edison Gjergos.

Veprat e pakta të Edison Gjergos:

“Heroina Zonja Çurre”, 1966, GKA;
“Lavdi dëshmorëve”, para viteve 1969, vepër e humbur;
“Fonditori”, 1971, GKA;
“Portret malësoreje”, 1972, GKA;
“Epika e yjeve të mëngjesit», 1971, GKA;
Vepra e fundme “Epika e yjeve të mëngjesit», shenjoi fatalitetin dhe famën në jetën e artistit.

Ajo tregoi mënyrën e ndryshme dhe të guximshme të pasqyrimit vetjak gjeometriko-kubist përmes ekzekutimit të ngjyrës ekspresiviste-foviste në kohën e metodës së realizmit socialist. Një vepër që ruan befasinë kompozicionale dhe koloristike. Ajo ruan marrëdhënien e subjektit të temës së madhe të luftës (socialiste e kohës) me epikën dhe legjendën e hershme.

Vepra bënë të dukshme subjektin dhe formën figurative të lexueshme por jo realiste. Ajo është një nga veprat kryesore dhe të rëndësishme të artit shqiptar që dëshmon vitet 1969-1973, dëshmon krijimtarinë e Edison Gjergos dhe përfaqëson kulmin e artit të artistit. Ajo dëshmohet si pikturë përfaqësuese e modernizmit në periudhën më të egër të diktaturës.

Mbijetesa e “Epikës…“ është shenja e ekzistencës së kohës së Edison Gjergos dhe e të gjithë artistëve të ndaluar e të persekutuar në të tashmen e sotme dhe në të tashmet e ardhshme.

Kjo vepër ka skalitur përpjekjet dhe përvojat e këtyre artistëve në Historinë e Shqipërisë, si shenjë e providencës së shpirtit të lirë të artistëve, që nuk u nënshtruan, por të lirë sfiduan: metodën e imponuar, megamakinën kulturore mosovike, diktatorët, LShASh dhe sistemin komunist.

Në fund të ligjëratës së saj studiuesja Suzana Varavarica-Kuka bëri edhe një vlerësim kritik të pasviteve 1990 ndaj artistëve të persekutuar.

(Marrë nga faqja e Akademisë së Shkencave)

MË SHUMË LAJME

Jo, vejusha që e bëri të famshëm Van Goghun

Kur Vincent van Gogh vdiq në vitin 1890, ai nuk ishte artisti me famë botërore që njohim sot. Një pjesë…

“My City” – Arben Golemi, ekspozitë personale në Malin e Zi!

Piktori dhe arkitekti i mirënjohur, Arben Golemi, do të hapë sot - 19 shtator, ora 19:00 - ekspozitën e tij…

Ekspozita në “Marubi”, një dekadë krijimtari dhe dialog me trashëgiminë fotografike

Ekspozita “Marubi: Atelieja e Edukimit”, e kuruar nga Tereza Çuni dhe Jozefina Vokrri, sjell në Muzeun Kombëtar të Fotografisë, një…

KOMPOZIMI NË ART – Si të ndërtojmë një vepër të fortë artistike

Nga ChatGPT KOMPOZIMI NË ART – Si të ndërtojmë një vepër të fortë artistik Kompozimi është zemra e një vepre…

Gjon Mili – artisti më i njohuri diasporës shqiptare!

Nga Suzana Varvarica Kuka Artisti fotograf, amerikano-shqiptar Gjon Mili shkëlqeu gjatë shek. XX në Shtetet e Bashkura të Amerikës dhe…

41 vepra të Ibrahim Kodrës në ekspozitën “Deti dhe Muzika”

Pas shumë vitesh, 41 vepra të piktorit të njohur shqiptar Ibrahim Kodra do të prezantohen së bashku në ekspozitën “Deti…

“Gjithçka që shohim fsheh diçka tjetër”

Nga Ardian Isufi, kurator “GJITHÇKA QË SHOHIM FSHEH DIÇKA TJETËR”  Të shohësh nuk do të thotë gjithmonë të kuptosh. Figura…

Nga pritja e Bajronit në Tepelenë, në Sallonet e Artit nëpër Europë

Nga Prof.Dr. Ferid Hudhri Mëngjesi i 29 shtatorit të vitin 1808 e gjeti Bajronin pranë bregdetit të Shqipërisë. Kur lindi…

Jo, vejusha që e bëri të famshëm Van Goghun

Kur Vincent van Gogh vdiq në vitin 1890, ai nuk ishte artisti me famë botërore që njohim sot.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.