Helidon Haliti dhe ekspozita e tij “Shqipëria në akuarel”

Helidon Haliti është sot nga emrat e zëshëm të pikturës shqiptare dhe jo vetëm


Nga Josif Papagjoni

Helidon Haliti është sot nga emrat e zëshëm të pikturës shqiptare dhe jo vetëm. Po ashtu ai ka dhuntinë që ta bëjë të “flasë” atë në mediume sociale, televizive, ligjërime universitare, sepse Helidoni nuk është modeli i artistit të “mbyllur” që ndjehet rehat me vetveten dhe i mjafton ajo. Ai është dhe një moderator e organizator ekspozitash në këtë art, më së shumti në zhanrin e akuarelit, duke bërë bashkë piktorë shqiptarë me piktorë nga bota, në një ndërkomunikim që grish, bashkon, përqas stile, përvoja, emra të njohur. Këtë bëri së fundmi edhe në ekspozitën “Shqipëria në akuarel” me 60 krijime, 20 prej të cilave qenë nga artistë të huaj. Aktin e krijimit dhe produktin artistik ai jo rrallë e kthen në një proces vozitjeje, nga dhe me të tjerët, siç bën me emisionin e tij të pëlqyer në ekranin e TVSH.

Piktura e Helidonit është e “habitshme”; ka një thurje të ëndrrës, përfytyrimit onirik dhe arrative të mendjes fëminore me pamjen, veprimin dhe gjestin e besueshëm, ku e ngjashmja dhe e pangjashmja bashkëjetojnë e bashkëveprojnë. Tablo arketipale të tij, me këndezin që mban sipër he një shtëpi, herë një shtyllë të tensionit të lartë a një kalorës që i grah si Per Gynti i suedezëve fshesës së tij fluturuese, pastaj ca dhi e cjep krenarë që shndërrohen në metafora stoicizmi, edhe mbi shpinat e tyre ka njerëz të vrapit dhe aventurës, shtëpi dhe krejt një botë. Në këtë amalgamë mes njeriut, kafshës dhe natyrës ti sheh gjer dhe shëmbëllimeve baladeske të një Kostandini a një Doruntine shqiptare, një kalorësi që kridhet mes pështjellimit ngjyror. Pikturat e tij sjellin kësi pandehmash e sendërgjimesh, kredhur krejt në paradokse dhe dëshira të fshehta, që vetëm ëndrra i prodhon. Ndërkohë ai e rimerr materien mitologjike dhe e transformon duke krijuar kode të tijat për dekriptimin e tyre. Veçse tanimë miti nuk është i pastër. Ai, si të thuash, “korruptohet” nga ideja estetike e piktorit, sepse mbi të mbivendoset pikërisht një metaforë a simbol i fuqishëm, transparent, që të fton për meditim e përsiatje. Dhe ti atëbotë i ikën lëndës parake të mitit, që në rastin e krijimeve të Helidonit na shpërfaqet enkas si mit i “degraduar”, si fillesë, duke u shndërruar e gjitha në diçka origjinale, e pakonceptueshme si qenësi reale dhe njëmendësi. Pra, diçka që të habit, të rrëmben. Ndofta edhe të bën të qeshësh, të kesh brenda vetes ndjesinë e shakasë, të ribëhesh edhe ti një fëmijë dhe t’u besosh lodrave. Pra, në këtë rast, piktori e merr lëndën që vjen prej ëndrrës, lodrave, perceptimit fëmijëror, dhe pasi e derdh atë në pandehmat e mendjes së tij krijuese, krijon një përzierje të habitshme ku tashmë korpi ideor figurativ fiton hapësirat dhe domethëniet e metaforave, e simboleve, e asociacionave. Ky është një idiolekt krejt i veçantë i këtij piktori, që mua dhe besoj mjaft të tjerë, më habit, më befason, më mrekullon, më bën të ëndërroj, të qesh, të fantazoj. Epo kaq! Piktura e ka kryer funksionin e vet. Ka komunikuar me shpirtin tim. Më ka folur si zëri i një Zoti apostujve a ndjekësve diku në shkretëtirë, pa m’u shfaqur si fytyrë. Është gjetja piktorike që më flet. Ideja e fshehur pas imazhit onirik. Pse? Sepse piktura nuk është vetëm realitet, sado i përpunuar qoftë ai. Është po aq ëndërrim. Shpërfytyrim. Fantazi ngjyrash, objektesh, imazhesh, siluetesh, dritëhijesh…

…Mirëpo kjo teknikë, thënë më saktë kjo mënyrë pikturimi në ngjyra vaji që Helidoni e ka aplikuar gjerazi, në akuarel është tjetër gjë. Tanimë ngjyrat ndrisin, sikur vallëzojnë. Në fakt, ai është një këngëtar ngjyrash, shpesh të vrazhda, kundërthënëse, si në një betejë, ca më shpesh të buta, të ëmbla, harmonike, si të tymta, si të stërpikura nga drita që bie herë anash, herë nga poshtë e herë nga sipër. Pastaj janë pamjet nga larg, ku e madhërishmja, përmasa, sikur të zgjerojnë shpirtin. Edhe imazhet janë pranë atyre pamjeve të mrekullueshme që syri ynë sheh tek ngazëllehet nga drita e një mëngjesi. A një nokturni.
Teksa fotografova ca nga punimet e ekspozitës së tij të fundit, diku lart mbi shpinën e një mali ja tek duken shtëpitë e një fshati dhe poshtë tij harliset një bimësi si e porsa dalë nga gjumi dhe shiu; prapë një fshat, tashmë më afër, këmbanorja e një kishe dhe poshtë, në ngjyra blu, gri dhe kafe po ajo bimësi e harlisur, po ato kaçube që të ngjajnë si re. Dhe dritë. Qartësi… Ja më tutje një lëndinë shkrirë në një blerim si të dalë nga dimri dhe me retë në ngjyrë vjollcë… Ja një shtëpi e bardhë rrethuar nga ngjyra e fortë dhe imazhet si në ag, a ndofta në mug, kur drita e fundit e diellit që po vdes i jep puthjen e ëmbël bardhësisë së asaj shtëpie. Dhe një fantazmagori krijohet mes pemëve që ngjajnë si mugëtira avujsh e resh. Diku tjetër përsëri pemë, kaçube, barishte, në një tokë me ngjyrë okër, që rri aq mirë në martesën e saj të paqme me të gjelbrën dhe vjollcën. Pastaj dy pemë të kaltra në një përqafim, disa të tjera që edhe këto të duken si re poshtë një fshati mes luzmës së dritës. Pemë, shtëpi, objekte, peizazhe, që sikur animohen të gjitha dhe u jepet frymë e shpirt në një përthyerje ngjyrash mbresëlënëse.
Te kjo ekspozitë ka dhe disa akuarle të piktorëve të huaj (ukrainas, koreanë, rumunë). Më lanë mbresë veçanërisht portretet, ku ruhet stili klasik tradicional, me përvijime të holla të fytyrës, veshjes, një shami koke, një qeleshe, një pelerinë, mjekrra e gjatë e lëshuar teposhtë, një portret tjetër syngulur e shkëlqimtar para një akti entuziast zbulimi a soditjeje, ku elementet plotësues përtej atyre syve zbehen si në mugëtirë. Një kompozim i bukur e plot humanitet është ai me fëmijën mes një togu shalqinjsh, e brishtë dhe naive në natyralitetin e vet; godinat dhe sheshi i një qyteti në luftë, natyra të qeta etj. Ja dhe një peizazh i mikut tim Lefter Çeko nga Saranda, ku shkumëzimi i detit, gurët dhe njerëzit shkrihen në imazhe që lëbyren nga drita…

Sepse mua më pëlqejnë ngjyrat e ndezura, edhe kur vijnë në flu. Akuareli është një teknikë lozonjare, kërkon delikatesë, një shpirt lirik, ku piktori shfaqet si një dashnor fisnik i natyrës, ngjyrës, dritës. Kjo ekspozitë, në punët më të mira, ma dha këtë ndjesi…

Lexo më shumë nga

Buza, i pari piktor modern shqiptar

"Ai mbetet për mua më kompleksi, më origjinali  dhe më i jashtëzakonshmi piktor shqiptar i shekullit të kaluar"

“Reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në Shekullin XX”

82 artistë prezantohen në ekspozitën e hapur në Galerinë FAB me drejtues projekti Olsi Laskën dhe kuratore Suzana Varvarica Kukën

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.