Mësimi i artit dhe herezia e njohjes!

Kur Da Vinçi studionte anatominë njerëzore, deri te gruaja e vdekur me fëmijen në bark, e morën për të çmendur


Nga Luan Rama

Që në lindjen e tij njeriu ka tentuar të njohë botën me të fshehtat e saj, duke krijuar kështu një mitologji më vete me mitet e tij, nga epoka e zjarrit dhe e bronxit deri në ditët e sotme ku mitologjitë vazhdojnë në forma moderne.

Njeriu gjithnjë ka ecur me guxim drejt njohjes si ajo qenie që nis të dalë nga shpella apo tuneli i errët i një bote, duke ndjekur dritën që shfaqet tutje dhe duke shkuar me etje drejt saj, pa e ditur se çdo të ishte ajo dritë, ajo botë.

Ishte një sfidë, një rendje e ethshme dhe e pafund duke rrezikuar vet ekzistencën, një tundim i jashtëzakonshëm për njohjen…

Kur Leonardo Da Vinçi nisi të kërkojë njohjen e trupit njerëzor dhe të shkojë nëpër morget e spitaleve e të bëjë hapjen e kadavrave mjerane për të studjuar anatominë njerëzore, deri tek gruaja e vdekur me fëmijen në bark, padyshim që miqtë e tij e morën për të një të çmendur, por ai e ndjente se pa njohjen e trupit njerëzor nuk mund të pikturonte, nuk mund të jepte shëmbëlltyrën e figurës, edhe pse rreth tij klithën për herezi.

Por ai vazhdoi, netë e ditë të tëra në atë ferr ku vetë Dante kishte zbritur me imagjinatën e tij duke pëshkruar “Ferrin” e botës.

Da Vinçi pikturonte kështu gjersa zërat e “herezisë” së madhe, e prekjes së trupit, e coptimit të tij, shkuan deri te Papa i Romës i cili menjëherë kërkoi ndëshkimin e artistit që ai mos të vazhdonte më në prekjen dhe depërtimin drejt trupit njerëzor.

E megjithatë gjeniu i madh kishte mundur ti vizatonte të fshehtat njerëzore, pasi të vizatoje, të pikturoje një figurë, një grua, një fëmijë, një burrë të ri apo plak, do duhej të njihje dinamikën e trupit dhe funksionimin e tij, të gjymtyrëve, të muskujve, çka të shërben për të dhënë një figurë sa të vertetë aq dhe jetësore e të përsosur.

Sfida më e madhe në jetën e tij ishte pikërisht ajo çka bëri në spitalet e Firences: prerja e kufomave dhe vizatimi i tyre, i muskujve, indeve, vizatimi i tyre me rrezikun e madh që vepra e tij artistike të ndërpritej.

Dhe ajo do ishte ndërprerë, mrekullia që krijohej do ishte ndalur, meqë dhe mbrojtësi i tij më i madh në atë kohë, Jules II vdiq. Por fati e solli që pikërisht atëherë, në Firence të vinte mbreti francez François I-rë, i cili kur dëgjoi për bukuritë e artistit të madh, në kthim e ftoi të shkonte të jetonte në Francë dhe të punonte atje.

Dhe më 1516, duke kapërcyer Alpet me dëborë Leonardo shkoi për ti shpëtuar mallkimit të kishës, shkoi i ngarkuar me disa tablo dhe me njohjen e madhe se më së fundi ai e dinte tashmë se çfarë ishte thelbi njerëzor.

Vështroj sot këto vizatime të Leonardos dhe imagjinoj piktorin e madh mes skenave makabre që syri i njeriut s’do ti shohë por që ato janë të domosdoshme për imagjinatën e një artisti që do të dojë të rrokë fizionominë e botës njerëzore apo të kafshëve, dinamikën e lëvizjes sê kuajve, etj, Ky kërkim i ethshëm i Leonardos të kujton përsëri Danten që zbriste në rrathët e ferrit për të zbuluar natyrën njerëzore. Ishin kufij që artistët e mëdhenj duhej ti kapërcenin.

Dhe Leonardo i kapërceu ato, kapërceu kufijtë, barrierat, atë çka i ndalohej, duke u përballur me sfidën e inkuizitorëve. Por artisti i madh historikisht di gjithnjë të triumfojë mbi barrierat e të gjitha ngjyrave, e të gjitha kohrave.

Nën shëmbullin e Leonardos, të tjerë artistë vazhduan të eksplorojnë këtë botë të fshehtë të qenies njerëzore, piktorë të Renesancës italiane e gjer tek Rembrandt e këndej.

Ja pse tabloja e famshme e Rembrandt “Mësimi i anatomisë i doktor Tulp” (1632) ndoshta meriton lavdet postume të mjeshtrit të madh Da Vinçi.

Mësimi i artit është i pandarë nga “herezia” e njohjes dhe është e pamundur që ajo të ndalet nga çdo lloj dhune e perandorie… Një himn për njohjen, edhe kur ajo ngjason me “herezinë”!

Lexo më shumë nga

“Impresione urbane”

Katër arkitektë të njohur Maksim Mitrojorgji, Valentin Voshtina, Pirro Stefa dhe Olsi Plasa prezantojnë krijimet e tyre

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.