
Universiteti i Arteve certifikatë mirënjohjeje për skulptorin Kristaq Rama, i dorëzohet Zaho Ramës
Universiteti i Arteve në kuadër të 60-vjetorit të themelimit ndau sot certifikata mirënjohjeje për mbi 30 personalitet që kanë kontribuar në zhvillimin e këtij institucioni dhe formimin e artistëve të rinj.

Universiteti i Arteve në kuadër të 60-vjetorit të themelimit ndau sot certifikata mirënjohjeje për mbi 30 personalitet që kanë kontribuar në zhvillimin e këtij institucioni dhe formimin e artistëve të rinj.
Në aktivitetin e organizuar në Universitetin e Arteve, morën pjesë studentë e ish-studentë, pedagogë dhe personalitete të artit e kulturës.
Mes këtyre personaliteteve u nderua edhe skulptori Kristaq Rama “Për kontributin themeltar në krijimin e Fakultetit të Arteve të Bukura dhe rolin vendimtar në zhvillimin e Arsimit të Lartë në fushën e arteve, duke lënë gjurmë të qëndrueshme në formimin e brezave dhe në identitetin akademik të institucionit”.
Gjatë kësaj ceremonie certifikatën me emrin e Kristaq Ramës, e pranoi nipi i tij, Zaho, djali i kryeministrit Edi Rama dhe bashkëshortes së tij, Linda Rama.
Ky moment emocionues u duartrokit nga të pranishmit në sallë.
Skulptori i njohur Kristaq Rama (1932-1998) njihet si një ndër figurat themeltare të arsimit të lartë artistik në Shqipëri, me një kontribut vendimtar në krijimin e Fakultetit të Arteve të Bukura, pjesë e Universitetit të Arteve.
Marrë nga ATSH











