
Kur pasioni bëhet profesion, historia e Aeda Durishtit në art dhe modë

Aeda Durishti, 20 vjeçe, aktualisht studente në Universitetin e Arteve në degën pikturë–tekstil–modë, ndau historinë e saj të rrugëtimit në art, si një shembull frymëzues për të rinjtë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Shqipëri.
E ftuar në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, Aeda tregoi se kontaktin e parë me botën e modës e pati që në moshën 11-vjeçare.
Sot, ajo zotëron një atelie veshjesh, punon si moderatore në televizion dhe jep mësim pikture, duke e shndërruar pasionin në profesion.
Sipas saj, prindërit luajtën një rol kyç në këtë rrugëtim, pasi vunë re herët prirjet e saj për pikturën dhe e mbështetën duke e regjistruar në një kurs arti.
“Punova shumë dhe, hap pas hapi, pa e kuptuar, e gjeta veten në liceun artistik”, rrëfeu Aeda, duke theksuar se kjo shkollë i dha jo vetëm formim artistik.
Ajo pranoi se ka qenë e dyzuar për zgjedhjen mes pikturës dhe dizajnit të modës, sidomos për shkak të paragjykimit se piktura nuk ofron siguri ekonomike.
Megjithatë, realiteti, sipas saj, ka qenë i kundërt. Edhe pse zgjodhi fashion design si degë studimi, të ardhurat kryesore i ka siguruar nga piktura.
Për këtë arsye, ajo apeloi prindërit që të mbështesin ëndrrat dhe talentet e fëmijëve të tyre, duke besuar se pasioni, kur shoqërohet me punë dhe përkushtim, mund të kthehet në një rrugë të qëndrueshme profesionale.
Burimi ATSH











