
“Ditët e Mios” mbledh në Korçë 42 piktorë nga bota
Në Korçë ka filluar edicioni i 15-të i kolonisë ndërkombëtare të piktorëve “Ditët e Mios”, një ngjarje që çdo vit mbledh artistë nga të gjitha anët e botës për të krijuar vepra që frymëzohen nga mjeshtri i njohur i peizazhit shqiptar, Vangjush Mio.

Në Korçë ka filluar edicioni i 15-të i kolonisë ndërkombëtare të piktorëve “Ditët e Mios”, një ngjarje që çdo vit mbledh artistë nga të gjitha anët e botës për të krijuar vepra që frymëzohen nga mjeshtri i njohur i peizazhit shqiptar, Vangjush Mio.
Pjesëmarrës në këtë edicion janë 42 piktorë nga Shqipëria, rajoni dhe shumë shtete të tjera, të cilët do të eksplorojnë bukuritë e Korçës dhe do të sjellin krijimet e tyre të frymëzuara nga ky qytet dhe nga puna e Mios.
“Kam pikturuar që nga fëmijëria dhe jam profesioniste që nga momenti kur fillova studimet për art. Dje vizituam muzeun e Vangjush Mios dhe pata mundësinë të shoh disa portrete të mrekullueshme. Ai është një artist i jashtëzakonshëm dhe u frymëzova shumë nga puna e tij”, u shpreh Andjelija Brankovic, piktore.
“Po pikturoj një peizazh por në mënyrën imersive, doja të dilja jashtë tradicionales. Është hera e parë që vij në Korçë dhe jam e mahnitur nga mikpritja, unë vij nga Serbia dhe ndihem e lumtur që jam në Shqipëri këto ditë”, shtoi Natasha Radosavljevic.
Ndërkohë, Jalldeze Mustafa theksoi se: “Kjo është hera e parë që kam marrë ftesë nga bashkia e Korçës jam e lumtur që jam këtu. Vjeshta paraqet ngjyra plot jetë e shëndet, ndaj e artistët janë në Korçë. Unë luaj me bojëra por koncepti i ditëve të Mios i mora detajet nga qyteti e t’i përcjell në telajo, pak tradicional, pak abstrakt”.
Kolonia “Ditët e Mios” do të zgjasë disa ditë, dhe në fund të aktivitetit, veprat e krijuara do të ekspozohen si një respekt dhe homazh për mjeshtrin Vangjush Mio, ndërkohë që shërbejnë si një pasqyrë e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar që po zhvillohet në qytetin e Korçës.
Marrë nga Euronews Albania











