Të godasësh të paprekshmit!

Me një titull intrigues “Mish dhie”, që ngjalli kureshtje për t’u kuptuar dhe krijoi edhe pështjellim, piktori i njohur Helidon Haliti ka hapur ekspozitën në mjediset e FAB-it. Është një arritje domethënëse dhe një nga ekspozitat më tërheqëse të viteve të fundit përsa i përket mesazhit dhe nivelit artistik, por edhe të risive krejt të veçanta të krijimit e kurimit të saj.


Nga Agim Janina

Me një titull intrigues “Mish dhie”, që ngjalli kureshtje për t’u kuptuar dhe krijoi edhe pështjellim, piktori i njohur Helidon Haliti ka hapur ekspozitën në mjediset e FAB-it. Është një arritje domethënëse dhe një nga ekspozitat më tërheqëse të viteve të fundit përsa i përket mesazhit dhe nivelit artistik, por edhe të risive krejt të veçanta të krijimit e kurimit të saj.

Tablotë rrinë bukur dhe provokimi nuk është banal, por i krijuar e ndërtuar me shumë kujdes dhe i mirëmenduar.

Ekspozita fillon në hyrje të saj me një mollë të kalbur nga njëra anë që “të mirëpret” në intrigën e ekspozitës. Kalbësira është pjesë e jetës e ndoshta më domethësja, sepse pas saj lind jeta dhe në dukje lidhje e largët me çfarë paraqet ekspozita ajo është pjesë e saj si thelb i përbashkët që në shekuj e shekuj nuk ka kirurg e bisturi që e pret apo e kuron.

Dhia është një kafshë e dashur shumë për artistin dhe shpesh shfaqet nëpër kompozimet e tij në vite. Lidhja me të është tejet e hershme, kur i vogël është ushqyer me qumështin e saj. E mbanin në shtëpi, gjëndjen e së cilës e ka përshkruar mjeshtërisht i ati, poeti Faslli Haliti në poemën “Dielli dhe rrëketë”, por titulli këtë rradhë ka një domethënie tjetër. Dhe çuditërisht në ekspozitë nuk ka asnjë tablo, ku të paraqitet dhia si personazh, veç një mish dhie në dalje të lavatriçes si larja parash.

Mungesën e dhisë askush nuk e vë re se kërkon mesazhin, praninë kumt sjellësrrotullues në mjedisin e ekspozitës, shoqërues në hapat që hedh, duke kundruar tablotë.

Haliti është piktor i angazhuar dhe artin e shikon si të tillë dhe artistin e kërkon të lidhur me problemet shoqërore që kalon vendi e përtej tij. Qëndrimi është i drejtpërdrejtë dhe i hapur.

Dhia është një kafshë fisnike dhe mbart shumë vlera dhe domethënie, por këtë herë piktori merr një shprehje domethënëse nga populli, që ajo mbart dhe jep kuptim të thellë. “Mos i fut muhabetit mish dhie”! – kumbon shprehja filozofike e popullit gjithë sa herë dikush do të gjejë medoemos diçka ndryshe nga ajo çfarë duket apo dëgjohet açik dhe s’ka nevojë për tjetër interpretim. Është e vjetër sa bota dhe nis me dyshimin e vërtetësisë që u rimor nga sofistët e lashtësisë e për të mbrritur deri tek konspiracionistët modernë, që venë në dyshim gjithçka të arritur në zhvillimin shoqëror apo edhe në shkencë e art.

Ekspozita ka një fillesë dhe një shkak edhe pse i largët, por i bluar në mendjen e artistit deri sa erdhi çasti të sendërtohej në dhjetra e dhjetra tablo disa prej të cilave ende të paekspozuara.

Kur nusja e piktorit ishte në gji me Rikun, djalin një muajsh, duke pirë qumësht, shumë i lëvizshëm e goditi në sy dhe iu nxi syri. Një çudi sa askush nuk do ta besonte që fëmija një muajsh të kishte një forcë të tillë goditëse. Çifti i ri i duhej të shkonte me pushime, por si do të dukej nusja e re me syrin e nxirë kur do t’i duhej t’u përgjigjej dhjetra pyetjeve dhe vështrimet dyshuese dhe këtu lind ngjizja e artit, duke e ngritur një fakt të thjeshtë real në një fakt përgjithësues të qëndrimeve të gabuara që shpesh mbahen ndaj fakteve dhe fenomeneve apo edhe fake news, që jepen dhe transmetohen në media.

Personazhet ndahen në dy grupe në kafshë të pafajshme dhe njerëzit e shquar dhe një shumicë politikanësh si bartës dhe krijues të këtij fenomeni. Parakalojnë që nga Njeriu i Neandërtalit, ku fillon e shfaqet fenomeni e vijon me kafshë të ndryshme xhirafa, delja, qeni, struci, derri, lopa e demi, ariu e lepuri, Nëna e gruaja, kllounë, aktorë e artistë të shquar, vetë artisti, presidentë e Sekretarë të Partive, diktatorë e Burra Shteti, këngëtarë dhe aktorë, njerëz me ndikim të madh shoqëror, të gjitjë vihen nën kërkimin dhe interpretimin e piktorit, kthyer në modele që i nënshtrohen penelit në shndërrimin e tyre në qëllimin e artistit. Nuk është një lojë që Helidoni kërkon të bëjë. Nuk dimë se çfarë ai do ndjente sikur realisht ata të ishin vërtetë modele që kishin pozuar para kavaletit nën “urdhërat” e tij, por përpara kemi shembëlltyrat e tyre “të goditura” nga njolla që peneli i artistit ka lënë në syrin e majtë të tyre. E pamundur në realitet dhe tërësisht e mundur nën pushtetin krijues të piktorit dhe ata si në tabela qitjeje dëshmojnë pikërisht atë që shpesh kanë gatuar vetë apo ia kanë gatuar të tjerët – shijen tjetërsuese të mishit të dhisë si një rit gjithë kohor satanik.

Helidoni guxon e prek, guxon e godet, guxon e bën shënjestër të paprekshmit!

Të krijuara me mjeshtëri artistike dhe nivel të lartë profesional para syve kalon një galeri e larmishme.

Risia është se kurator është Diella. Kjo i jep një tjetër vlerë ekspozitës si një konceptim i ri i saj, tashmë bërë nga vetë autori ndihmuar nga inteligjenca artificiale, duke shmangur tërësisht rolin e kuratorit.

Duke e përjetuar thellë risinë e inteligjencës artificiale, pikturi që në mëngjes, ditë për ditë e për një kohë të gjatë e vinte atë në provë në shtyrjen e kërkimit dhe qëllimit, se ku donte të arrinte, por edhe shpesh bashkëbisedonte me të, i kërkonte mendim dhe ndryshimin e asaj që i paraqiste. Ishin si të thuash dy mendje që udhëhiqeshin nga logjika e artistit në bashkëveprim. Një punë e lodhshme, se asnjëherë nuk i duhej ta lëshonte mendimin nga qëllimi i vënë. E njëjtë me procesin e boceteve apo vizatimeve të shumta për të mbrritur në kompozimin fundor, atë që do shpërfaqej si një e tërë organike në muret e ekspozitës. Ndonëse sasia e tablove dhe e personazheve është më e madhe se sa janë paraqitur, artisti nuk ka nguruar të mënjanojë e të shmangë shumë syresh për të mos e ngarkuar shumë ekspozitën, për të dhënë më frymëmarrje, ku shikimi i spektatorit të mos “bombardohet” nga një portret në tjetrin, por çdo portret të ngulet mirë në mendjen e tij dhe të bëjë të mundur shumëfishimin e mesazhit dhe rritjen e forcës së tij duke mos kursyer askënd sado i pushtetshëm nën goditjen e penelit të tij, aq sa çdokush me një fije pushtet apo pozitë ta ndjejë nën lëkurë mesazhin.

Si një tis i hollë mbështjellës ndihet ngjyra rozë që artisti e parapëlqen, por që di mirë ta barazpeshojë e t’i japë vlerë të veçantë aty ku duhet në ballafaqime të buta me mgjyra të tjera, ku shpesh ndihet konturimi i fortë dhe herë tonet e shkreta i jepin një paqëtim të këndshëm gamës së përgjithshme e si të thuash mbajnë në kontroll lojën koloristike dhe shprehjen e regjistrit koloristik në penelata të shtrira me penel të gjërë dhe ku nuk mungojnë edhe hollësitë e elementë plotësues aty ku duhen në rritjen e të qenësishme së shembëlltyrës duke shkuar deri në kërkime të vogla e në mbyllje të plota e të këndshme të portreteve të kompozuar jo vetëm për të mos rënë në përsëritje, por secila të ketë të veçantën dhe personalitetin e vet jo thjesht si model, por si vepër e arrirë artistike.

Lexo më shumë nga

Të godasësh të paprekshmit!

Me një titull intrigues "Mish dhie", që ngjalli kureshtje për t'u kuptuar dhe krijoi edhe pështjellim, piktori i njohur Helidon…

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.