
Begaj në ekspozitën “Mish Dhie”: Reflektim artistik mbi paragjykimin dhe perceptimin në shoqëri
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi sot ekspozitën personale të artistit Helidon Haliti, e titulluar “Mish Dhie”

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi sot ekspozitën personale të artistit Helidon Haliti, e titulluar “Mish Dhie”, një projekt artistik që vjen si reflektim mbi paragjykimin dhe perceptimin në shoqërinë bashkëkohore.
Gjatë vizitës, Kreu i Shtetit u njoh nga afër me punimet e ekspozuara, të cilat trajtojnë në mënyrë konceptuale raportin mes individit dhe gjykimit kolektiv, përmes një qasjeje bashkëkohore vizuale dhe përdorimit të elementeve simbolike e figurative.
Një ndër instalacionet më të veçanta të ekspozitës përfshin imazhe të personazheve nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, krahas figurave historike, familjare, personazheve të Hollivudit, politikanëve, konspiracionistëve shqiptarë dhe elementeve të tjera artistike si kllounët, duke krijuar një narrativë reflektuese mbi perceptimin shoqëror.
Ekspozita “Mish Dhie” është realizuar me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës, Universitetit të Arteve dhe Galerisë FAB, ku edhe janë ekspozuar punimet.
Projekti artistik kurohet nga Diella dhe do të qëndrojë i hapur për publikun deri më 3 prill 2026.













