
Lekë Tasi, njeriu energjik i penelit dhe i jetës kishtare
Intervistë me piktorin e mirënjohur shqiptar, z. Lekë Tasi, fitues i çmimit të parë në pikturë për vitin 2016, dhënë nga Akademia “KULT”

Nga Dr. Isidor Koti
I ka kapërcyes të tetëdhjetat, por vetëm në moshë. Në shpirt duket më i ri se një njëzetvjeçar dhe këtë e tregon jo thjesht me fjalë, por me dinamikën e krijimtarisë që lidh epokat me njëra-tjetrën. I shquar në fushën e pikturës, i përndjekur në kohën e diktaturës, triumfues në vitet e demokracisë. Në këtë bisedë, del në pah bota e artistit dhe ndikimet ne personalitetit të tij. Mjaft aktiv në jetën publike dhe në jetën kishtare, z. Tasi, mbetet një shembull interesant për brezat e rinj krijues dhe jo vetëm.

– Z. Leke, se pari ju urojme per cmimin qe keni fituar. Shume dashamires e kane quajtur te merituar, edhe pse te vonuar…
Cmimi që mu dha nga Akademia “Kult” qe nje kënaqësi për mua dhe e falënderova sinqerisht. Sa për vonesën, të shkuara të harruara. Ka shume gjëra tek ne që bëhen më vonë, shumë më vonë nga koha e duhur. Kjo ndodh sic po thonë edhe në disa shoqëri, ku e ku më të përparuara se e jona. Si duket vlen kudo ajo thënië e lashtë, që “Ka pasë plot që e përbuzën pranë , kurse lavdinë, askush!” prandaj dhe zhvillohet edhe një luftë nëpër korridore që kush ta marrë cmimin ose titullin etj.. Por c` ësht lavdia (te te dalë emri si fitues i një cmimi o titulli) në qoftë ti je vetdijshmë që vepra jote nuk vlen aq ? Prandaj më ësht dukur me vend, por edhe kam qeshur me zemër, thënia e Longanesit “Cmimet, jo vetëm nuk duhet t`i kërkosh, por as t`i meritosh!” Me një fjalë: Puno për vete, dhe mos pyet për mendimin e botës. Gjyko ti vet për punën tënde, me sens të rreptë autokritik, ose e shumta pyet ndonjë koleg serioz, që din të cmojë, por edhe që don të ndihmojë realisht, me vrejtje që mund të ta prishin qefin tani , por që dalin të dobishme me kohë.
– Ndonese jeni ne moshe te thyer dukeni mjaft aktiv ne fushen publike. Si ndikon arti ne kete dinamike?
Spiritualizmi ësht bërë një term jo fort i përshtatshëm në artin e sotëm. Artisti motivohet nga emocioni, ideja; muzikanti nga një motiv që i vjen, piktori nga një linjë që I shfaqet në mendje ose një raport ngjyrash ( thënë shkurt). Formimi i tij pastaj e shfrytzon në frymën që do Spiritualiteti shpesh kuptohet si i lidhur me tablo me tema të shenjta, dhe ësht e drejtë, por deri diku. Personalisht më duket se duke filluar nga shekulli XVI temat biblike në pikturë fituan një tipar mjaft të ftohtë, që s`kishte të bënte fort me të shenjtën e spiritualen, ndryshe nga shekujt e Mesjetës, kur shohim kryevepra që s`do njohin zbehje kurrë, sepse estetika e besimit po edhe ndikimi bizantin, i ndier gjerësisht në mbarë Evropën (ajo ishte unitare për njëmijë vjet), merrte tipare origjinale por pa lëshuar nga frymëzimi i krishterë që zinte vendin e nderit me devocionin e tij thellë në zemër . Ajo epokë të duket e paperëndueshmë në shijën e publiktut të kulturuar, mjaft të përmendësh piktorët pre-rafaelitë Giotto, Fra Angelico etj, ose më vonë, Musica Sacra , me kolosët J.S.Bach e bij, Haendel, Haydn, Mozart , Beethoven e pa numur të tjerë, që me meshat, oratoriot etj,, të cojnë të mendimi se objekti kujt i drejtohet artisti e ndihmon atë vetë, prej kësaj ka dalë dhe shprehja “muzikë hyjnore”. Nga ana tjetër, edhe një tablo laike, mund të frymëzojë një ndjenjë të ngrohtë, që nuk është larg spirituales. Të pikturuarit e ikonave , ka rregulla të përcaktuara që duhen zbatuar në mënyrë pak a shumë strikte, megjithatë, ka ikonografë më shumë ose më pak shpirtërorë, ka artizanë që pikturojnë ikona për fitim, ka dhe ikona të bëra pa pjesëmarrjen e dorës njerzore, dmth një mrekulli e mirëfilltë. Prej një shekulli, pat dalë brënda rymave,piktura e quajtur “metafizike” ose “surreale”. Pa e shpjeguar me gojë, autorët dëshmojnë që realiteti, nuk ësht vetëm ky që duket, por ka një tjetër dimension brënda tyre që janë të detyruar ta shprehin. Prandaj, për të qënë shterues në këtë cështje, mendoj se sinqeriteti me veten, dhe domosdo respekti për vlerat njerzore , është kontributi më i mirë që artisti mund të ofrojë sipas natyrës së tij. Drama personale është edhe ajo spiritualitet, pavarësisht nga shkuarja ose jo në kishë. Pra një pikturë që do të shprehi pasurinë dhe larminë e fenomeneve të natyrës (ku tani, mbas gjetjeve psikoanalitike bën pjesë dhe vet autori ,si botë me tipare të pazbuluara – pra dhe të talentit personal për t`I shprehur) por pa kaluar në ato të natyrës së ulët që fyejnë ndjenjën e pudorit publik. Sepse ashtu në cdo epokë artisti mund të gjejë rrugët e tij të reja , duke i siguruar artit në kohëra një larmi të pashtershme, me një fjalë, artistët t` i “këndojnë” veprës madhështore të Krijuesit, me mjetet që u janë dhënë. Mirëpo epoka jonë provon dorën edhe tek gjëra “palejuara”, frut ky i një krenarie që don të sheshojë barrierat e gustos së mirë dhe të dinjitetit. Interesant, këto sprova nuk kanë jetë të gjatë, mbas ca vitesh, ato humbasin favorin edhe të publikut më liberal, ato kalojnë në zbaticë thuajse të vetvetishme, gjë që dëshmon për një spiritualitet në sens të gjerë rezistent tek njeriu , por sidoqoftë garanci për kthimin tek spiritualiteti i vetdijshmë dhe aktiv.

– Ne cdo krijim tuajin, sikurse edhe ju e permendet, vihet re spiritualizmi. Eshte vetem motiv apo edhe keni lidhje me jeten kishtare?
Jeta kishtare së bashku me leximet që ajo të fton të bësh, është një ndihmë e pacmueshme në zhvillimin e personalitetit. Othodhoksia nuk është vetëm përjetuese por edhe e pajisur me një literaturë të përzgjedhur me kujdes gjatë shekujve për ta ndërgjegjësuar intelektualisht besimtarin, mjaft që ai të ketë dëshirë për thellim . Mund të ankohesh vetëm që jeta me kërkesat e saj të pasosura sot, të lën pak kohë për këtë detyrë kundrejt vetes, e cila njëherazi jep kënaqësi të madhe. Dhe kur them “jeta”, peshën më të madhe të pengimit e gjej te impenjimet artistike sidhe me gjëra pa fort rëndësi, por edhe zënies me detyra shoqërore që sidoqoftë duhen bërë.
– Ju i perkisni nje brezi te hershem dhe keni perjetuar disa faza te historise fetare ne Shqiperi. Cilat jane disa dallime qe vini re ne keto epoka?
Ka shumë për të thënë për dy epokat në të cilat jetuam. E kam shfrytzuar brënda shumë vështirësive kohën e diktaturës 45 vjecare për tu pajisur profesionalisht dhe për dije, por jo aq sa do të dëshiroja. Kam lënë bosh disa kapituj njohurish që më kushtojnë sot, dhe kam një peng për mosnjohjen e disa kryeveprave të letërsise botnore. Sa për raportin dje-sot objektivisht, kam mendimin se e sotmja është rjedhojë e natyrshme e së djeshmes; nuk ka ndodhur ajo mrekulli që pritnim, dhe për kët mundohem të shpreh në shtyp aspekte të ndryshme të kësaj vazhdimësie, por duke theksuar edhe rezultatet e mira që duken këtu e në botë, të cilat janë meritë gati ekskluzive e vullnetit të të rinjve, që kanë luftuar për të carë e për tu afirmuar, duke I dhënë Shqipërisë një famë që nuk e ka pasur kurrë, dhe që kontribuon në fatin e saj integrues.

– A do të vazhdoni te krijoni dhe keni menduar ndonje ekspozite tjeter se afermi?
Kam ndërmend të punoj më tej në fushat ku jam aktivizuar (pikturë dhe shkrime) dhe shpresoj që në të ardhmen, të krijohen mundësitë për këdo që ka diçka të vlefshme për të thënë, duke i dhënë një hapësirë më të madhe veprimi, të krijohet një treg arti që të mund të mbijetojnë ata që kanë vullnet për të këmbëngulur në punë e tyre.











